Kodi, shtyhet afati, ringrihet komisioni për reformën
Mazhoranca ka vendosur të ringrejë komisionin për reformën. PS-ja kërkoi të kalonte përmes Komisionit të Ligjeve
TIRANË- Konferenca e kryetarëve i ka dhënë zgjidhje ngërçit procedurial të krijuar për rregullimin teknik të Kodit Zgjedhor. Me shumicë votash në këtë forum, mazhoranca ka vendosur të ringrejë edhe një herë komisionin e posaçëm të reformës elektorale për të riparuar ligjin zgjedhor, në pikën për të cilën Presidenti i Republikës e ktheu për rishqyrtim në Kuvend. Do të jetë seanca plenare e ditës së hënë ajo që do të vendosë për mandatin, brenda së cilit ky komision do të duhet të përfundojë këtë ndryshim.
Mbledhja
Për shkak të ndjeshmërisë që ka krijuar ky debat tek forcat politike, mbledhja e djeshme e Konferencës së Kryetarëve nuk ka kaluar pa debate, të cilat kanë ardhur si rrjedhojë e qëndrimeve krejt të kundërta midis pozitës dhe opozitës, edhe për përfshirjen në kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit të një sërë çështjesh të tjera të rëndësishme, si projektligji për dosjet apo edhe ai për Prokurorinë. Por, natyrisht, çështja kryesore ku dhe janë përqendruar diskutimet më të mëdha, ka qenë ajo që lidhet me shqyrtimin e Dekretit Presidencial për Kodin Zgjedhor. Kështu, mazhoranca dhe opozita kanë ndarë qëndrime krejt të kundërta për hapat procedurialë që do të ndiqen për të bërë këtë rregullim. Burime pranë Kuvendit konfirmuan se përfaqësuesit e mazhorancës në Konferencën e Kryetarëve kanë këmbëngulur në idenë për ringritjen e Komisionit të Posaçëm të reformës zgjedhore, kjo pasi sipas tyre, vetë rregullorja e Kuvendit në nenin 86 të saj sanksionon se ligjet e kthyera nga Presidenti rimerren në shqyrtim nga komisionet që edhe i kanë shqyrtuar fillimisht. Por kjo është kundërshtuar nga përfaqësuesit e opozitës, të cilët për efekte kohe, kanë propozuar që ligji zgjedhor të kalojë për rishqyrtim në Komisionin e Ligjeve, me argumentin se këtij ligji do t’i bëhet thjesht një amendim. Por, në këtë pikë ka gjetur kundërshtimin e përfaqësuesve të shumicës, që kësaj here edhe me mbështetjen e përfaqësuesit e LSI-së, kanë miratuar variantin e parë, atë të ringritjes së Komisionit të Posaçëm. Por duket se vendosmëria e shumicës për të ringritur këtë komision nuk qëndron tek meraku për respektimin e rregullores së Kuvendit, por për të fituar kohë për t’i marrë më parë Partisë Socialiste votën për një sërë draft-ligjesh të tjera që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash, siç janë Kodi Penal, Kodi i Procedurës Penale, drafti për dosjet apo edhe ai për Prokurorinë. Jo më kot, Partia Demokratike, me mbështetjen edhe të votës së aleatëve të saj, ka nxituar dje të përfshijë projektligjin për dosjet dhe atë për Prokurorinë për shqyrtim në seancë plenare brenda muajit dhjetor.
Deklaratat
Menjëherë pas mbledhjes së djeshme, krerët e dy grupeve të mëdha parlamentare, Astrit Patozi dhe Valentina Leskaj, kanë bërë publike vendimin për ringritjen e Komisionit të Posaçëm të reformës zgjedhore, por duke u ndarë tek qëndrimet në lidhje me kohëzgjatjen e mandatit të tij dhe objektin e punës. Patozi, duke iu referuar rregullores së Kuvendit, ka theksuar se ajo përcakton se Kuvendi ka 8 javë kohë për shqyrtimin e dekretit, duke lënë të kuptohet se kaq do të jetë dhe mandati i këtij komisioni, pavarësisht se 10 ditë nga ky afat janë konsumuar tashmë. “Mandati i këtij komisioni është i përcaktuar nga vetë rregullorja, e cila parashikon që ligji i kthyer nga Presidenti i Republikës, në këtë rast kodi, nuk mund të shkojë më tepër se 8 javë. Pra, është brenda këtij mandati”, - tha Patozi. Ndërsa Leskaj, megjithëse ka pranuar afatin që përcakton rregullorja, ka deklaruar se do të jetë seanca plenare ajo që do të caktojë kohën që do t’i jepet këtij komisioni. Megjithatë, duke sqaruar se ndryshimi i kodit ka të bëjë thjesht me një dispozitë, ajo ka theksuar se komisionit do t’i mjaftonte edhe një javë kohë. “Do e vendosë seanca kohën e komisionit, po natyrisht është vetëm një çështje që do shqyrtohet dhe nuk besoj se ka nevojë për 8 javë”, - tha Leskaj. Ndërkohë, një pikë tjetër për të cilën ndahen palët, është edhe ajo e objektit të punës së këtij komisioni, pasi kreu demokrat, Astrit Patozi, është shprehur se do të jetë në vullnetin e forcave politike për të riparë edhe pikat e tjera të këtij kodi. Nga ana tjetër, Leskaj, duke bërë të ditur qëndrimin e PS-së për këtë çështje, ka theksuar se rregullorja e Kuvendit përcakton qartë se ndryshimet bëhen vetëm për ato pika, për të cilat kthehet ligji nga Presidenti dhe në rastin konkret kjo ka të bëjë me qartësimin e afatit ligjor për shpalljen e datës së zgjedhjeve.