Kashari, prokuroria kërkon burg nga 3-10 vjet për vendorët
Tiranë- Prokuroria ka dhënë sot pretencën për 7 nga 10 të akuzuarit për abuzime me pronat në Kashar. Në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë, prokurori i çështjes ka kërkuar 12 vjet burg për ish-kryetarin e komunës Alfred Sula, 9 vjet burg për Faik Fejza, me detyrë ish-kryetar i Komunës së Kasharit, 8 vjet burg për Islam Sherën ish- kryeplaku i kësaj komune, 6 vjet burg për Shefqet Aliko përgjegjës i zyrës së Kadastrës, 10 vjet burg për Ismail Sulën, 7 vjet burg për Xhevahir Hykën, të dy banues në Kashar, si dhe 3 vjet burg per Bardhyl Kamberin, i cili aktualisht është në liri në provë.
Problemi me pronat në komunën e Kasharit ka nisur që në vitin 2000, kur kryetar ishte Naim Karaj, ndërsa kanë vazhduar edhe nga pasardhësi, Faik Fejzo dhe Alfred Sulaj. Ata kanë falsifikuar dokumentet e pronësisë, në bashkëpunim me ish-kryeplakun e fshatit, Islam Shera dhe me përgjegjësin e dy punonjës të Kadastrës së Kasharit.
Sipas prokurorisë ata kanë abuzuar me tapitë e tokës duke ua dhënë personave që nuk e kishin atë në pronësi, kundrejt rryshfetit. Bëhet fjalë për të paktën 150 mijë metra katrorë tokë bujqësore, mbi të cilën tashmë janë ndërtuar pallate dhe shtëpi private.
Të pandehurit akuzohen për veprat “korrupsion pasiv”, “shpërdorim detyre”, “falsifikim të dokumenteve” dhe “mashtrim në bashkëpunim”.