E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjiknuri: “Nuk do të ketë kompromis për komisionin hetimor”



Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, i bëri të ditur dje maxhorancës se nuk do të ketë kompromis nga opozita për komisionin hetimor. Ai sqaroi se nuk mund të ketë kompromis që themelet i ka në veprime arbitrare të ndërmarra nën diktatin e kartonëve, të cilat jo vetëm janë në kundërshti të plotë me rregullat e parlamentarizmit, por përbëjnë edhe një shkelje të hapur të ligjit dhe Kushtetutës. Deputeti Gjiknuri theksoi se vijimësia e kësaj sjelljeje kokëfortë të qeverisë do ta bëjë këtë të fundit plotësisht përgjegjëse për përkeqësimin e krizës së demokracisë në vend.
Deklarata
Ngritjen e komisionit hetimor vetëm me votat e maxhorancës, deputeti socialist e ka cilësuar arbitrar dhe i ka rikujtuar maxhorancës qëndrimin e ndërkombëtarëve. “Ky akt provokativ e ka rënduar më thellë krizën politike në vend, pasi vret çdo mundësi kompromisi për zgjidhjen e krizës. Nuk është rastësi që edhe partnerët ndërkombëtarë e kanë dënuar një veprim të tillë, pasi për ta, si për çdo demokraci të vërtetë, rregullat e sjelljes dhe vendimmarrjes në Kuvend janë e vetmja garanci që e bëjnë një parlament pluralist funksional. Në të kundërt, Parlamenti rrezikon të kthehet në një farsë sipas interesave të dyshes Berisha-Topalli, të cilët, me aktin që bënë, kërkojnë medoemos ta mbajnë opozitën jashtë Kuvendit”, - u shpreh Gjiknuri. Ai shtoi se “gjetja e kompromisit bëhet e pamundur për aq kohë sa maxhoranca jo vetëm ndërmerr veprime për ngritje pseudo-komisionesh hetimore si ai i ditës së premte, por edhe përpiqet me kokëfortësi dhe pa asnjë sens logjike t'u mbushë mendjen partnerëve ndërkombëtarë se votimet politike të njëanshme mund të quhen kompromis”.
Komisioni hetimor
Dy ditët e debatit parlamentar për gjetjen e një zgjidhjeje mbi krizën politike në vend u mbyllën dhe me një ndarje akoma më të madhe mes pozitës dhe opozitës. Ndërsa kaluan të gjitha limitet kohore për arritjen e një marrëveshjeje, socialistët tërhoqën dy nismat ligjore, ndërsa maxhoranca votoi me 73 vota komisionin parlamentar hetimor. Por, nga ana tjetër, kreu i selisë rozë e ka cilësuar një farsë ngritjen e këtij komisioni hetimor duke mohuar ekzistencën e tij. Komisioni i kërkuar nga opozita dhe i miratuar nga maxhoranca ka në përbërje të tij 15 deputetë, të gjithë anëtarë të Komisionit të Ligjeve. Ndërkohë që Partia Socialiste ka deklaruar mosnjohjen e tij, maxhoranca do të përfaqësohet nga Rusmali, Gumi, Halimi, Trashani, Paloka, Naço dhe Alibeaj. Qeveria ka deklaruar se Parlamenti do të ofrojë gjithë mbështetjen e nevojshme në hetimin e zgjedhjeve, duke vënë në dispozicion 100 prokurorë. Sipas saj, Prokuroria, si organ hetimor, ka të drejtë të hyjë në themel të çdo çështjeje.

Klosi: “Rruga e vetme e opozitës janë protestat”

Në kushtet e një maxhorance që nuk pranon dialog për t’i dhënë zgjidhje krizës politike, Partia Socialiste bëri të ditur dje se në mungesë të një partneri me minimumin e kulturës demokratike europiane, rruga e vetme që i mbetet opozitës shqiptare për përmbushjen e të drejtës së saj kushtetuese për transparencë, janë protestat. Deputeti Blendi Klosi tha se e gjithë kriza shumëdimensionale, e gjithë papërgjegjshmëria, i ka rrënjët te një qeveri që jo vetëm nuk përfaqëson më vullnetin e shqiptarëve, por refuzon në mënyrë të përsëritur të mbrojë interesat e tyre.
“Në seancën e fundit parlamentare, në një shfaqje të shëmtuar arrogance e papërgjegjshmërie, maxhoranca e Sali Berishës dhe Jozefina Topallit hodhi poshtë ofertat për kompromis të Partisë Socialiste dhe vendosi ta thellojë edhe më tej krizën ku është futur tashmë vendi”, - u shpreh Klosi, duke shtuar se “votimi i turpshëm i ditës së premte tregoi se dhe Parlamenti, si një sektor i administratës publike, merr vendime nën tiraninë e kartonëve të pushtetit. Me anë të këtij veprimi, Sali Berisha dhe Jozefina Topalli i thanë qartë Partisë Socialiste dhe mbarë shqiptarëve se ata nuk janë të interesuar për dialog, se ata nuk janë të interesuar për një zgjidhje institucionale të krizës”.
Sipas Klosit, sot Shqipëria është në një krizë më të thellë se dje dhe fatkeqësisht kriza nuk është më thjesht e vetëm një krizë politike. “Shqiptarët e ndiejnë përditë krizën e thellë ekonomike që po kushtëzon cilësinë dhe standardet e tyre të jetesës. Rritja e çmimeve të ushqimeve, faturat e shtrenjtuara të energjisë elektrike, rritja e paralajmëruar e çmimit të ujit, rënia e frikshme e niveleve të tregtisë, zhvlerësimi i monedhës vendase, vështirësitë e kredimarrjes jo vetëm për biznesin, por edhe për individët, janë treguesi më i qartë se vështirësitë me të cilat përballen qytetarët shqiptarë kanë shkuar aty ku nuk mban më”, - tha Klosi.

25 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›