Energjia, ja tarifat që ka propozuar CEZ për 2012
CEZ ka kërkuar për 2012-ën rritjen e tarifave të energjisë për konsumatorët familjarë poshtë fashës 300 kilovatorë. Nga 7.7 lekë që është çmimi i një kilovati aktualisht, CEZ ka kërkuar që për vitin 2012 ky çmim të jetë 8.06 lekë. Ja të gjitha tarifat
CEZ shpërndarje i ka kërkuar Entit Rregullator të Energjisë rritje të tarifave të energjisë për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. Gazeta “Mapo” zbardh për herë të parë tabelën e tarifave të propozuara. Për herë të parë këtë vit, CEZ ka kërkuar rritjen e tarifave të energjisë për konsumatorët familjarë poshtë fashës 300 kilovatorë. Nga 7.7 lekë që është çmimi i një kilovati aktualisht, CEZ ka kërkuar që për vitin 2012 ky çmim të jetë 8.06 lekë. Ndërsa për familjarët që konsumojnë më shumë se, 300 kilovat orë në muaj çmimi është propozuar 14.16 lekë nga 13.5 lekë për kilovat që është aktualisht. Në tërësi, për konsumatorët CEZ ka kërkuar një rritje çmimi më pak se mesatarja 4 për qind që ka kërkuar në tërësi për të gjitha kategoritë. Kështu, rritja e çmimit është kërkuar për të gjithë kategoritë, duke nisur nga 0.5 lekë deri në 1 lekë për kilovat sipas kategorive. Tarifat e propozuara, nëse miratohen nga Enti Rregullator i Energjisë, do të kenë vlefshmëri deri në 2014-ën. Pas këtij viti, kërkesa për çmimin do të shqyrtohet një herë në tre ose pesë vjet. Deklarata rregullatore e cila dikton një praktikë të tillë, është nënshkruar në momentin kur u privatizua OSSH-ja. Pavarësisht propozimeve nëpërmjet aplikimeve pranë ERE-s për rritje çmimi të këtij produkti jetik nga ana e KESH, CEZ Shpërndarje dhe OST, duket se nuk do të ketë rritje të çmimit edhe për vitin 2012. Konfirmimin e ka bërë pak ditë më parë për mediat vetë kreu i Entit Rregullator të Energjisë Elektrike, Sokol Ramadani, i cili është shprehur se, pavarësisht procedurës, ERE do të marrë parasysh konsumatorin fundor duke e ruajtur atë nga fatura e rëndë. Në këtë mënyrë, propozimet e operatorëve me shumicë dhe pakicë të energjisë elektrike janë: OST ka propozuar rritje çmimi me 0.73 lekë për kwh për vitin 2012, CEZ Shpërndarje i ka kërkuar ERE-s miratimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për vitin 2012, mesatarisht 4.5 për qind, ndërsa KESH mbi 5 %. Aktualisht, çmimi i energjisë për familjarët është 7.7 L/kwh për brezin e parë të faturimit dhe 13.5 L/kwh për tejkalimin e brezit prej 300 kwh/muaj. Dokumenti zyrtar i rregullimit të çmimeve të energjisë (Deklaratës Rregullatore) parashikon që çmimet e energjisë të vitit 2012 do të jenë të vlefshme deri më 2014-ën. Që do të thotë, tarifat që ERE do të miratojë në dhjetor të 2011-ës, nuk do të shqyrtohen më deri në vitin 2014. Ndërsa, për sa i përket miratimit të deklaratave rregullatore vijuese, jo më vonë se 30 qershor 2014, ERE do të miratojë një deklaratë rregullatore për periudhat e rregullimit që vijojnë pas vitit 2014, e cila nuk do të ndryshojë ndjeshëm në metodologji nga kjo deklaratë rregullatore dhe për të mënjanuar çdo dyshim, Deklarata Rregullatore e re do të vazhdojë të përmbajë Mekanizmin e Kompensimit. Tanimë të tre furnizuesit me shumicë dhe pakicë të këtij produkti; KESH, OST dhe CEZ Shpërndarje, kanë bërë aplikimet e tyre sipas traditës pranë Entit Rregullator të Energjisë në muajin shtator dhe ky i fundit është duke analizuar kërkesat e tyre për të vendosur në dhjetor tarifat përfundimtare.
KATEGORITE TARIFA AKTUALE PROPOZIMI 2012
Klientë të furnizuar në N/S 110 kV 8 8.6
Klientë të furnizuar ne 35 kV - 8.50 9.1
KLIENTË TË FURNIZUAR NË 20 KV:
• industri : 9.10 9.79
• Tregti & shërbime 10 10.73
• Furra buke, prodhim mielli 7.10 7.69
• Bujqësi 8.70 9.37
• Të tjerë 9.70 10.42
• Buxhetore 11.50 12.31
KLIENTË TË FURNIZUAR NË TU SIPAS KATEGORIVE:
• industri: 10.50 11.33
• Tregti & Shërbime: 12.20 13.14
• Furra buke & Prodhim mielli: 7.60 8.26
• Bujqësi : 10.50 11.33
• Të tjerë : 12 12.92
• Buxhetore: 14 15.04
• FAMILJARE:
-Blloku i Parë – deri në 300 kwh – 7.7 8.06
-Blloku i Dytë – mbi 300 kwh – 13.5 14.16
Propozimi i KESH: Çmimi ndaj CEZ të jetë 5.03 lekë/kwh
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) i ka propozuar Entit Rregullator të Energjisë, që për vitin 2012 të miratojë rritjen e tarifës për energjinë që i shitet CEZ në masën 239 për qind. Kështu, nga 1.48 lekë për kw/h që është tarifa aktuale, propozohet që gjatë vitit të ardhshëm të arrijë në 5.03 lekë për kw/h. Gjithashtu, KESH ka propozuar edhe rritje të çmimeve të prodhimit të energjisë nga 0.63 lekë që është aktualisht, në 0.90 lekë. Në relacionin drejtuar Entit Rregullator, KESH argumenton se, në tarifën e kërkuar për furnizimin e CEZ, rreth 90 për qind e zënë kostot për blerjen e energjisë, 6 për qind është kompensimi që ERE duhet t’i bëjë KESH për uljen e çmimit gjatë këtij viti dhe 4 për qind e zënë kostot e personelit. Nëse ERE miraton rritjen e çmimeve në masën e kërkuar nga KESH, atëherë rritja e çmimit do të transmetohet direkt te konsumatorët familjarë, për shkak se ERE do të jetë e detyruar të aplikojë një rritje të çmimit edhe për tregtimin e energjisë me pakicë. KESH e ka prezantuar tashmë zyrtarisht kërkesën për rritjen e çmimeve në Entin Rregullator të Energjisë, ndërsa ky i fundit është duke shqyrtuar kërkesat që tri kompanitë e energjisë kanë bërë për rritjen e çmimit, si CEZ, KESH dhe OST.