E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjiknuri: PS s'hyn në Kuvend pa transparencën e zgjedhjeve

Deputeti i PS-së deklaroi se plotësimi i kushteve ndikon në kthimin në normalitet të zgjedhjeve


TIRANË - Heshtja e mazhorancës ndaj kërkesës së vazhdueshme të opozitës për të bërë transparencën e zgjedhjeve, ka sjellë sërish reagimin e partisë më të madhe opozitare, PS-së. Deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri, deklaroi dje se plotësimi i kushteve të opozitës ndikon në kthimin e normalitetit në lidhje me zgjedhjet.


"Partia Socialiste e shikon me shqetësim indiferencën e kësaj mazhorance për të reaguar ndaj një kërkese krejt legjitime të opozitës, kryerjen e plotë të transparencës në lidhje me të gjitha problemet, që lidhen me zgjedhjet dhe që janë të konfirmuara edhe nga raporti i fundit i misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve.


Ky raport nuk bëri gjë tjetër, por konfirmoi edhe njëherë problemet që ka ngritur opozita shqiptare në lidhje me këto zgjedhje, duke shtruar si imperative adresimin e tyre, duke filluar së pari nga hedhja dritë e të vërtetave që fshihen në kutitë e votimit",- tha dje Gjiknuri.


Deputeti i PS-së sqaroi edhe njëherë se, Partia Socialiste kërkon t'i bëjë të qartë opinionit publik se marrëdhënia e kushtëzuar e selisë rozë me Parlamentin e dalë nga këto zgjedhje, në vetvete nuk kërkon përmbysjen e rezultatit zgjedhor, por hedhjen dritë mbi shkeljet, identifikimin e përgjegjësve, si dhe marrjen e masave që këto probleme të mos përsëriten më në të ardhmen.


"Kushtet e vendosura nga Partia Socialiste janë në vetvete çështje që në raport kërkohen të adresohen nga politika shqiptare.


Jo më kot ky raport konstaton përdorimin e administratës shtetërore në favor të PD-së dhe marrjen e masave për korrigjimin e tyre. Jo më kot ky raport konstaton se njerëzit janë kërcënuar e madje pushuar nga puna, për qëllime elektorale, gjë që në fakt po vërtetohet dita ditës në të gjithë vendin me anë të pushimeve masive nga puna me një sfond të pastër politik",- tha ai. Gjiknuri shtoi se problemet e konstatuara në këtë raport janë preludi i kushteve të PS-së.


"Plotësimi i tyre jo vetëm që nuk cenon imazhin e Shqipërisë, siç pretendon Berisha, por ndikon direkt në shëndoshjen e demokracisë dhe kthimin e normalitetit në lidhje me zgjedhjet në vend. Opozita është e gatshme që të hyjë në Kuvend menjëherë, nëse do të mundësohet transparenca e kërkuar.

Një mazhorancë që e ndjen veten legjitime në pushtet dhe që është e bindur në pastërtinë e zgjedhjeve, në asnjë rrethanë nuk mund të pengojë opozitën në hetimin dhe zbardhjen e të vërtetave që ndodhen në kuti",- tha ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›