E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti, SHBA: Partitë të zbatojnë rekomandimet!

Ambasada Amerikane, krahas vlerësimeve, veçon problemet me numërimin dhe presionet e qeverisë gjatë fushatës


TIRANË - Ambasada Amerikane në Tiranë është plotësisht dakord me raportin e OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të qershorit. Përmes një njoftimi për shtyp, Ambasada Amerikane vlerëson përfundimet e këtij raporti e veçanërisht rekomandimet e vëzhguesve.


Ajo vë në dukje mangësitë e përfshira në raportin e vëzhguesve e, konkretisht, ato që lidhen me numërimin dhe regjistrimin e votave, si dhe presionet nga partitë politike dhe qeveria gjatë fushatës elektorale.


"Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë me kënaqësi publikimin më 14 shtator nga Zyra për Institucione Demokratike dhe Të Drejtat e Njeriut (ODIHR) të OSBE-së të raportit përfundimtar mbi zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit në Shqipëri.


Mirëpresim përmirësimet e bëra në krahasim me zgjedhjet e kaluara të përshkruara në raport, siç është kuadri i përmirësuar ligjor dhe procesi i regjistrimit të votuesve. Këto fusha shënuan përmirësim të prekshëm në krahasim me zgjedhjet e kaluara",- thuhet në njoftimin për shtyp të Ambasadës Amerikanë në Tiranë.


Por, krahas vlerësimit për përmirësimet në këtë proces zgjedhor, SHBA-ja thekson atë që duhet të zbatohet nga ky raport, rekomandimet e saj, që nuk ishin të pakta drejtuar partive politike dhe qeverisë shqiptare. "Raporti i ODIHR-it gjithashtu identifikoi mangësi.


U shënuan probleme lidhur me numërimin dhe regjistrimin e votave, si edhe me anshmërinë e medias për partitë kryesore politike. Po ashtu, ODIHR-i nxjerr në pah veprime dhe presione problematike nga partitë politike dhe qeveria gjatë fushatës elektorale.


Nxisim qeverinë shqiptare dhe të gjitha partitë politike shqiptare që ta shfrytëzojnë këtë raport dhe rekomandimet e tij për të përmirësuar zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme për të punuar me qeverinë shqiptare, OSBE-në dhe Bashkimin Europian për t'u marrë me fushat e shënuara për përmirësim",- thuhet në njoftimin për shtyp të Ambasadës Amerikane në Tiranë.


Dy ditë më parë, edhe përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Europian, krahas vlerësimeve, që shprehën për zgjedhjet, këshilluan klasën politike shqiptare që ta lexonin me kujdes raportin, e veçanërisht rekomandimet, që OSBE-ODIHR-i i drejton politikës shqiptare.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›