Gjiknuri: Rikompozimi i KQZ-së, në raportin 3 me 3, ndërsa kryetari me konsensus
Sekretari i PS-së për çështjet zgjedhore, Damian Gjiknuri, ka thënë se zgjidhja për situatën e krijuar në KQZ, gjendet në Kodin Zgjedhor. Sipas tij, KQZ duhet të rikompozohet në raportin 3 me 3 dhe kryetari duhet të zgjidhet me konsensus, ashtu si parashikohet në Kodin Zgjedhor.
Gjiknuri thotë se kjo gjë duhej të kishte ndodhur edhe me KQZ-në paraardhëse, por mazhoranca vendosi që në krye të KQZ-së të vendoste një përfaqësues të vet, pra Lefteri Lleshin.
Zgjidhja është të bëhet rikompozimi i KQZ-së apo elementë të tjerë dhe patjetër që po të ulemi në tavolinë, ka opsione. Komuniteti ndërkombëtar po bën apele, uluni, dialogoni. Vazhdojnë të bëjnë kokëfortin, nuk po kuptojnë rrezikun që po u bëjnë standardeve të zgjedhjeve. Raporti në KQZ, sipas Kodit Zgjedhor, ka qenë 3: 3 dhe 1 me konsensus. Sipas ligjit, kreu i KQZ-së zgjidhet me një procedurë konsensuale. Lefteri Lleshi nuk u zgjodh me konsensus. Por ne nuk mund të ulemi të dialogojmë kur PD ka deklaruar publikisht se ka në KQZ 4 kamikazë politikë, deklaroi Gjiknuri për News 24.
Sipas deputetit socialist, KQZ-ja aktuale e ka humbur legjitimitetin dhe përgjegjëse për ngërçin e krijuar është mazhoranca, e cila shkeli në mënyrë të njëanshme ligjin me shkarkimin e anëtarit të propozuar nga LSI-ja, Ilirjan Muho.
KQZ u godit në mënyrë të njëanshme, ligji u shkel haptazi ditën me diell, përkundër thirrjeve për dialog. Mazhoranca vendosi ta ketë KQZ si një seksion të PD-së, le të mbaje koston dhe avantazhet e këtij kontrolli./b.l