E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjiknuri: Vonesa me kartat, ogur i keq

Kanë kaluar mbi dy javë që nga fillimi i aplikimit për karta dhe asnjë shtetas nuk është pajisur me një të tillë. Me këtë shqetësim u shfaq para medias dje nënsekretari socialist për çështjet ligjore, Damian Gjiknuri. "Jemi përsëri këtu për të shprehur shqetësimin tonë në lidhje me procesin e pajisjes me karta identiteti të shqiptarëve", theksoi ai. Gjiknuri vlerësoi që përtej deklarimit zyrtar se karta merret pas dy javësh pas aplikimit, asnjë evidencë në terren nuk e mbështet një deklarim të tillë. Për më tepër, vijoi ai, aplikantëve tashmë nuk po u jepet më datë për to, duke e kthyer këtë proces më shumë në një demagogji elektorale, apo pse jo një gënjeshtër publike. "Gjithashtu, asnjë zyrtar nuk mund të thotë me saktësi, se kur do të fillojë nga puna qendra e përpunimit dhe prodhimit të kartave", tha Gjiknuri. Teksa këmbënguli se kaosi dhe misteret që rrethojnë të gjithë këtë proces, hedhin dritë mbi dyshimet tona të hershme, se mënyra e kontraktimit dhe procedura e përzgjedhur nga qeveria shqiptare për prodhimin e kartave, fsheh abuzimin, që si pasojë sjell çorganizim dhe mungesë llogarie. "Akoma deri më sot asnjë zyrtar i lartë shqiptar nuk di të thotë me siguri se kur do të fillojë ky proces në të gjithë Shqipërinë, ndërkohë që sot po na thonë se procesi do të fillojë vetëm në qytetet e tjera të vendit, duke harruar si pa dashje, me qindra komuna ku jeton gati 50% e popullsisë", nënvizoi funksionari socialist. Partia Socialiste shprehet se vonesat në pajisjen e shtetasve me kartë identiteti janë një ogur i keq për zgjedhjet, duke i delegjitimuar ato që pa filluar. Ndërsa mospajisja në kohë e të gjithë zgjedhësve me të paktën një dokument të besueshëm, do të vinte të gjithë procesin parazgjedhor në pikëpyetje, duke përbërë kështu një recetë të sigurt për dështim. "Çdo dështim në këtë proces dhe si rrjedhim çdo implikim në lidhje me zgjedhjet është dhe do të mbetet një përgjegjësi vetëm e qeverisë shqiptare të kryesuar nga Sali Berisha", insistoi Gjiknuri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›