E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Pa zgjidhje të pronësisë, s‘ka zhvillim

Lëvizja Socialiste për Integrim fillon prezantimin dhe debatet e gjera të programit elektoral dhe qeverisës. Dje në Konferencën Kombëtare për Bujqësinë, u prezantua strategjia e së ardhmes. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi në takim se "Bujqësia është sektori më i diskriminuar nga Qeveria Berisha. Në vitin 2008, bujqësia zuri rreth 22 % në prodhimin e përgjithshëm bruto, por ajo përfitoi vetëm 0.5 % të tij. Rritja e prodhimit bujqësor është 2-3 % në vit, 2-3 herë më e ulët se ritmet e rritjes së GDP. Ndërkohë që deficiti i përgjithshëm tregtar, është 1 me 4, ai i produkteve ushqimore është 1 me 9, ndërsa ai i produkteve agroushqimore është 1 me 12". Kreu i LSI-së, duke dhënë prioritetet e programit qeverisës të partisë që drejton, theksoi se "Nuk mund të ketë zgjerim ekonomik të fermerëve pa zgjidhur përfundimisht çështjen e pronësisë mbi tokën. Krijimi dhe zhvillimi i tregut të tokës për ne është abc-ja e zhvillimit të këtij sektori. Ne do të konsolidojmë pronësinë mbi tokën dhe të zgjerojmë tregun e saj. Toka do të kthehet në një mjet pune, përmes investimeve edhe në sistemin e ujitjes dhe kullimit. Zgjidhja e çështjes së pronësisë do të çlirojë në qarkullimin ekonomik edhe miliarda euro, tashmë të ngrira".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›