E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezikohet shembja e faqes së malit. Lidhja me Tiranën, nëpërmjet Kukësit ose Gjakovës.

Bllokohet aksi rrugor Qafë-Mali - Fierzë, Tropoja mbetet e izoluar nga pjesa tjetër e vendit. Shkak është bërë shembja e skarpatës mëngjesin e djeshëm. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes bëhet fjalë për shembjen e disa qindra metër kub dhè si dhe plasaritje të trasesë së rrugës. Shembja ka ndodhur si rezultat i lagështirës së krijuar nga derdhja e ujërave nga njëra portë e hidrocentralit, si dhe presioni i fuqishëm i ujit që godet faqen e malit në mënyrë të vazhdueshme prej disa ditësh. Faqja e malit, një strukturë shkëmbore jo fort e qëndrueshme, rrezikon të zhvendoset drejt Drinit, duke marrë përpara aksin e rrugës Fierzë – Qafë-Mali në një gjatësi prej rreth 2 km.
Edhe më parë, në vendin ku ura takohet me anën tjetër të bregut, aksi i rrugës në fjalë ka pasur çarje, përkatësisht në një gjatësi prej 80 deri 100 m. Paraditen e djeshme janë vërejtur çarje në një gjatësi prej rreth 200 m, çfarë ka shtuar frikën e ekspertëve të Drejtorisë së Rrugëve për shembjen e krejt faqes së malit. Gjatë ditës së shtunë dhe të diel, një pjesë e vogël e kësaj rruge, pikërisht vendi i përshkruar si problematik, ka pasur shembje të skarpatës, por që janë pastruar nga fadromat e Ndërmarrjes së Rrugëve. Ndërkaq, mësohet se paraditen e djeshme një karvan mjetesh dhe udhëtarësh që udhëtonin drejt Tiranës nga drejtimi i Qafës së Malit, kanë pritur rreth dy orë derisa dheu të pastrohej. Derdhja e detyruar e ujit nga tuneli i shkarkimit kishte krijuar probleme jo të vogla edhe për urën që lidh dy brigjet, 500 m larg kullës së hidrocentralit. Drejtues të policisë së Qarkut të Kukësit bëjnë të ditur se qysh në orën 09:00 të mëngjesit aksi Qafë-Mali - Fierzë është bllokuar nga forcat e policisë, të cilat nuk kanë lejuar kalimin e automjeteve në këtë aks rrugor.
Po sipas këtyre burimeve, është bllokuar edhe lëvizja në urën mbi lumin Drin. Në këto rrethana banorët e Tropojës nuk do të kenë mundësi udhëtimi në zonat e tjera të vendit. E vetmja mundësi që ata të udhëtojnë drejt Tiranës mbetet rruga nga Gjakova, Prizreni dhe Kukësi për të kaluar sërish nga Qafa e Malit një rrugë që shkon 360 km dhe që zgjat më shumë se 10 orë. Varianti që propozohet është duke kaluar nga Hasi, një rrugë kjo e paasfaltuar dhe shumë e dëmtuar, që mund të përshkohet vetëm nga mjetet fuoristrada.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›