E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjiknuri përjashtohet një javë nga Kuvendi

Vendimi i Byrosë së Kuvendit, erdhi pas debateve të ashpra të shënuara dje në komisionin parlamentar të Ligjeve midis Gjinkurit dhe deputetit demokrat, Ilir Rusmajli.

“Byroja e Kuvendit shqyrtoi propozimin e një grupi deputetësh të Komisionit për Çështje Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, për marrjen e masës disiplinore ndaj deputetit Damian Gjiknuri për përjashtimin nga punimet e Kuvendit për shkak të prishjes se  mbledhjes se Komisionit te Ligjeve, për shkak të sjelljes së tij të padenjë. Deputeti Damian Gjiknuri kërkoi tre herë falje përpara Kryetares së Kuvendit dhe anëtarëve te tjerë të Byrosë. Pas kërkesës së faljes nga Deputeti Gjiknuri, megjithëse grupi i deputeteve te Komisionit te Ligjeve kishte kërkuar qe deputeti Gjiknuri te përjashtohej 2 jave nga punimet e Komisioneve parlamentare, Kryetarja e Kuvendit dhe Byroja vendosën zbutjen e masës disiplinore të propozuar, duke përjashtuar deputetin Damian Gjiknuri për një javë nga punimet e Komisioneve parlamentare”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Për rastin reagoi mbrëmë edhe nënkryetari i Kuvendit, deputeti socialist, Namik Dokle, i cili theksoi se mazhoranca po shkel Kodin Zgjedhor. “Në Kuvendin e Shqipërisë vazhdon sjellja brutale dhe represive ndaj opozitës, vazhdon shkelja e rregullores dhe e ligjeve që rregullojnë marrëdhëniet e Kuvendit me institucionet e tjera. E fundit ndër to është edhe përpjekja e mazhorancës për të imponuar sot në Komisionin e Ligjeve shkeljen flagrante të Kodit Zgjedhor mbi mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për Kryetar të KQZ; si edhe fyerjet e rënda ndaj deputetit Damian Gjiknuri, pasi ai nuk lejoi të shkelet Kodi Zgjedhor dhe as të procedohet më tej me këto shkelje”, theksoi ai.

“Është e turpshme që pas kësaj, mazhoranca, në vend që të kërkoj ndjesë për shkelje të ligjit dhe fyerje të deputetit, përkundrazi, nëpërmjet byrosë së kontrolluar prej saj merr masë përjashtimi nga punimet e komisionit të deputetit Gjiknuri, bashkëkryetar të hartimit të Kodit Zgjedhor. Është i qartë synimi i mbrapshtë i këtij akti antiopozitë në një moment delikat dhe të rëndësishme të zbatimit të Kodit Zgjedhor. Partia Socialiste dhe grupi i saj parlamentar janë të vendosur dhe do bëjnë gjithçka për zbatimin korrekt, pa imponime dhe dredhira politike të Kodit Zgjedhor dhe të legjislacionit në tërësi”, vijoi.

Debate në mbledhjen e djeshme pa praninë e kamerave televizive
Ilir Rusmali: Bëni gati zarfet
Damian Gjiknuri: Procedura përcakton se procedura e zgjedhjes së kryetarit fillon pas përfundimit të zgjedhjes së anëtarëve
Ilir Rusmali: Kolegë ne kemi të gjithë kohën e nevojshme në dispozicion. Prandaj me kujdes emrat i keni të gjithë atje, dosjet i keni atje. Ne jemi në proces.
Damian Gjiknuri: O Ilir, nuk jemi në proces. Komisioni do të zbatojë rregulloren. Vetëm dje ke shpallur emrat ore, çfarë po bën?!
Ilir Rusmali: Këtu flitet me radhë. Të fortin këtu s’mund ta bëjë askush.
Damian Gjiknuri: Po nuk është punë të forti, po lëre ti.
Ilir Rusmali: Prandaj më lër të flas siç fole edhe ti. Kam gjithë të drejtën që të flas siç fole edhe ti
Damian Gjiknuri: Dakord, i gjithë procesi pezullohet, edhe për firma madje.
Ilir Rusmali: Bëjini thirrje seriozitetit tuaj politik se nuk është sjellje e mirë. Bëjini thirrje seriozitetit tuaj politik. KQZ e re duhet të fillojë me urgjencë nga puna, jo për ndonjë gjë të madhe, por sepse Damiani e ka varur të ardhmen e vet nga ky komision. Ka sfidën e vet profesionale.
Damian Gjiknuri: Po lëri këto ti, mos bëj ironi. Lëre se ngele gjithë jetën me këto. Po rri tani mos më mërzit mua. As të dëgjon njeri. Kryetar, po ti ku e ke të varur karrierën dhe jetën tënde, apo te komisioni i Jozefinës?
Ilir Rusmali: KQZ duhet të kujdeset...
Damian Gjiknuri: Rri urtë, o Ilir, se do ta dh..., rri urtë mbaj vendin.
Ilir Rusmali: Ej torollak
Damian Gjiknuri: Ore rri urtë mbaj vendin. Mbaj vendin, do të degjeneroj si e meriton. Mbaj vendin. Po e përmende më... Dëgjo se ti e di kokën time...
Ilir Rusmali: Damian nuk të lejoj të flasësh në këtë mënyrë.
Damian Gjiknuri: Edhe ti mbaje gojën, je rrahur e do rrihesh përpara po hë se kështu e ke ti. Ma di kokën mua ti, kështu që mos fol shumë me ironi.
Ilir Rusmali: Filloj procedurë disiplinore.
Damian Gjiknuri: S’e kam edhe një anë tjetër unë që, çfarë nuk të bëj...
Ilir Rusmali: Të kërkoj të largohesh nga mbledhja për thyerje disiplinore.
Damian Gjiknuri: Seriozisht e ke që do më largosh? Si kështu, fizikisht e ke apo në mënyra të tjera?
Ilir Rusmali: Po të largoj, edhe fizikisht. Ndaj teje kam filluar procedurën disiplinore, ndaj largohuni nga mbledhja.

/S.Ll/Start/

                                                                                             2012-09-28 08:49
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›