Tradita në Eurosong!
Ishin katër net ethesh, emocionesh në një garë, ku të gjithë ngjisin skenën për një synim të përbashkët, të shkojnë në Eurosong. 18 emra të njohur të muzikës së lehtë shqiptare dhe 18 këngëtarë të rinj kanë marrë pjesë në festivalin e 48-të të RTSH-së, duke u përballur me njëri-tjetrin, nën cilësinë e të kënduarit live, siç e ka për traditë ky edicion në fundvit. Dikush më mirë e dikush edhe me ndonjë stonim të përciptë në konkurrim, kanë shkuar 20 këngë, të prezantuara nga këngëtarët Alban Skënderaj dhe Miriam Cani. Nën regjinë e Osman Mulës netët e spektaklit ishin konceptuar ndryshe nga vitet e tjera. Në natën e parë u shfaqën Big-ët, pra këngëtarët me emër të skenës shqiptare; nata e dytë u rezervua për talente e reja, ku vetëm dy prej tyre mundën të kalonin në finale; në të tretën duetet me këngëtarë të ftuar; ndërsa gjithçka u finalizua me fituesin e këtij edicioni në natën e katërt
Ishin katër net ethesh, emocionesh në një garë, ku të gjithë ngjisin skenën për një synim të përbashkët, të shkojnë në Eurosong. 18 emra të njohur të muzikës së lehtë shqiptare dhe 18 këngëtarë të rinj kanë marrë pjesë në festivalin e 48-të të RTSH-së, duke u përballur me njëri-tjetrin, nën cilësinë e të kënduarit live, siç e ka për traditë ky edicion në fundvit. Dikush më mirë e dikush edhe me ndonjë stonim të përciptë në konkurrim, kanë shkuar 20 këngë, të prezantuara nga këngëtarët Alban Skënderaj dhe Miriam Cani. Nën regjinë e Osman Mulës netët e spektaklit ishin konceptuar ndryshe nga vitet e tjera. Në natën e parë u shfaqën Big-ët, pra këngëtarët me emër të skenës shqiptare; nata e dytë u rezervua për talente e reja, ku vetëm dy prej tyre mundën të kalonin në finale; në të tretën duetet me këngëtarë të ftuar; ndërsa gjithçka u finalizua me fituesin e këtij edicioni në natën e katërt. Sipas drejtorit artistik, Selim Ishmaku, organizimi i këtyre netëve nuk ka pasur asnjë lloj incidenti, por gjithçka ka shkuar ashtu siç ishte parashikuar. “Jemi munduar që të kemi një organizim jo të përsosur, por të drejtë, në mënyrë që të jetë i lexueshëm nga të gjithë, duke filluar që nga seleksionimi i këngëve. Jemi treguar të hapur për çdo këngëtar me emër ose jo, i ri apo vjetër, pasi ne jemi në fund të fundit një institucion publik, pra është i hapur për të gjithë”, - shprehet Ishmaku, i cili shpjegon se cila ishte arsyeja që nata e dytë ishte rezervuar për të rinjtë. “Nuk ka asnjë lidhje me përfitime prej artistëve për t’i marrë dikujt më shumë e dikujt më pak në favorin tonë, por ka qenë e kundërta. Secilit i është marrë ana e dobishme e tij, si një anë funksionale në shërbim të të gjithë artistëve”, - thotë ai. Ishmaku nuk e mohon faktin që në natën e tyre kishte momente stonimesh, por ai justifikohet duke thënë se ata ishin veçse artistë të rinj. “Nuk mund të pretendonim që në një spektakël live, ku merrnin pjesë 18 këngëtarë të rinj, të mos kishte ndonjë gabim. Do të ishte një fitore e pabesueshme, nëse të gjithë do të interpretonin në mënyrë perfekte, por ne u kemi dhënë thjesht mundësinë”. Sipas tij, në konkurrim janë paraqitur 38 këngëtarë të rinj, por me gjykimin e një komisioni të përbërë prej personalitetesh të njohur të artit dhe kritikës, janë përzgjedhur vetëm 18 më të mirët. “Çdonjëri prej tyre vinte me krijimin e tij për të thënë më të mirën, por duhet të kuptojmë se për të krijuar një këngë duhet shumë kohë, ndërsa për ta gjykuar pak minuta”, - pohon Ishmaku.
Prezantimi i festivalit u realizua nga dy këngëtarë të njohur, si M. Cani dhe A. Skënderaj, një fakt që fillimisht ngjalli shumë interes për të mësuar më shumë rreth sekretit të tyre, si prezantues të rinj (veç Miriamit, e cila prezanton një emision të rinjsh në Gjermani). Si drejtor artistik, pra meqë statusi i tij nuk i përgjigjet kësaj zgjedhjeje, Selim Ishmaku i vlerëson prezantuesit e këtij viti. “Më kanë dhënë një kënaqësi të madhe, sepse të dy sinkronizohen me njëri-tjetrin. Në këtë rast vërtetohet se për showman-ët po krijohet një shkollë e tyre, me kusht që të jenë këngëtarë, kërcimtarë e të familjarizuar me skenën. Kjo shkollë fillon me A. Krastën, A. Gjebrenë, P. Çakon, E. Lilën, ndërsa tani kurorëzohem me sukses nga Miriam Cani dhe Alban Skënderaj”, - thotë ai.
Puna e tij si drejtor artistik konsistonte në një seleksionim të mirë të punës, këngëtarëve dhe një interpretim live. Ai bën një lloj thirrjeje se tani ka ardhur koha që festivali të ndryshojë edhe në forma të tjera, konkretisht në atë të kënduarit live. “Në konceptin tim ka ardhur koha që ata që do të vijnë pas meje, ta përfundojnë këtë koncept. Ne kemi qenë deri tani 90% live, sepse të këndosh në këtë mënyrë nuk është aq e thjeshtë sa ta shpjegosh me dy fjalë. Ka ende kompozitorë që mendojnë se të interpretuarit me playback është më cilësor, por kjo rezultoi që është një metodë e shpërlarë, që nuk i jep asgjë publikut, e s’ka asnjë vlerë për artistin që të dalë në skenë e të lëvizë vetëm gojën”, - shpjegon Ishmaku, duke e cilësuar këtë situatë edhe si një peripeci të këtyre netëve organizmi. Duke u përballur me tilla përplasjesh ai shton: “Ne kemi qenë nën kontroll të kësaj situate si për këngëtarin, ashtu edhe për orkestrën e shfaqur . Kemi kaluar pengesa, kontradikta me kompozitorët që mendojnë të kundërtën. Megjithatë, jemi shumë të gëzuar që ia kemi dalë mbanë. Institucioni del gjithnjë mbi individë, që në rastin tonë është festivali i këngës, RTSH”, - përfundon ai.
Aria e Denisës
Mes VIP-ash ishte renditur edhe Denisa, ndonëse ishte vetëm 20 vjeç. Këtë kapërcim ajo e kishte arritur për shkak të pjesëmarrjes së saj në festival, katër vjet më parë. Këtë vit, ajo erdhi sërish me këngën e kompozuar nga Adrian Hila dhe tekst të Pandi Laço, të titulluar “Aria”. “Pjesëmarrja ime është një eksperiencë e paharrueshme. Ndihem e privilegjuar pasi jam renditur tek këngëtarët VIP, si dhe ndihem me fat që konkurroj me një krijimtari të kompozitorit A. Hila dhe tekst të P. Laços”, - thotë Denisa Macaj, teksa tregon se ka qenë ajo që ua ka propozuar autorëve të krijojnë këtë këngë. Në qendër të fabulës së këngës gjendet një nënë, që kërkon të bijën e saj të braktisur, e cila quhet Aria. “Më është dashur të zhytem thellë në kuptimin e këngës për ta bërë timen, sepse të gjithë këngëtarët mund të mos përjetojnë një histori tragjike për dashurinë, por mund ta interpretojnë atë më së miri”, - thotë Denisa, duke shpresuar që kënga e saj të pritet mirë nga publiku. Si prurjet më të bukura të këtij festivali ajo veçon këngën e Boiken Lakos, për shkak të timbrit të tij të veçantë, siç e vë theksin ajo, këngën e Juliana Pashës, Mariza Ikonomit, Anjeza Shahinit etj.
Linda, live dhe “e çmendur” pas Makashit
Ajo erdhi jo vetëm të tregonte që di t’i bëjë ballë këngës live, por edhe të takohet me idhullin e saj, kantautorin Redon Makashi. Mes emocionesh të skenës së festivalit të RTSH-së e një konkurrence të fortë, siç thotë ajo, në natën e parë nuk është e kënaqur me veten. “Këto net i kam përjetuar me shumë emocione. Në natën e parë nuk e kam dëgjuar mirë veten, ndërsa herën e dytë jam ndier shumë më mirë pasi në praninë time ishte edhe Redon Makashi. Unë jam fansja e tij më e çmendur, më pëlqen zëri i tij, sepse më duket shumë engjëllor. Në ato momente më kaploi edhe një e qarë, jam ndier shumë emotive, por uroj që të mos jetë kuptuar edhe në kamera”, - thotë këngëtarja nga Kosova, Linda Halimi. Ajo ka kënduar një këngë baladë të rrymës pop-rrok në bashkëpunim me këngëtarin Erti Hizmo, ndonëse ajo është profilizuar si këngëtare e rrokut. “Më pëlqen të eksperimentoj”, - thotë ajo, duke shtuar se për të ardhur në Pallatin e Kongreseve është ftuar nga vetë këngëtari Hizmo, në bashkëpunim me kompozitorin Gent Myftaraj, një punë që Linda e vlerëson edhe si këngën e saj më të bukur të repertorit të saj, të deritanishëm (përfshinë edhe këngën “Dallëndyshja”). Si këngën më të bukur, ajo veçon këngën e Dorina Garucit e shumë të tjera.
Dorina, të gjithë duam Eurosongun
Duke lënë mënjanë modestinë, Dorina thotë se asnjë këngëtar nuk vjen vetëm për kënaqësi, siç shprehen, por për një synim të vetëm, për Eurovizionin. “Tashmë është bërë e modës që të gjithë këngëtarët nuk vijnë vetëm për të fituar çmimin e madh, por për të shkuar në Eurovizion. Unë do të isha hipokrite nëse nuk do ta pranoja këtë fakt, pavarësisht kënaqësisë së pjesëmarrjes”, - thotë Dorina Garuci, e cila në natën e dueteve kishte ftuar me Dr. Florin, për të cilin ajo thotë: “Bashkëpunimi me Dr. Florin ishte shumë interesant. Për mua ka qenë gjithnjë një kënaqësi të punoja me këtë këngëtar. Doli një këngë që e kanë pëlqyer goxha shumë. Ishte kompozitori Klodi Qafoku ai që dha idenë, ndërsa Dr. Flori e pranoi ftesën me kënaqësi”. Ajo shpjegon se kënga e saj flet për dashurinë dhe sekretin e saj, që tani për tani, në jetën e saj reale, ende nuk e njeh si ndjenjë. “Është një këngë që flet për dashurinë, pasi në konceptin më të gjerë dashuria është ndjenja më e shtrenjtë në botë e pa të nuk mund të bëjmë dot. Flet për sekretin e saj, por unë ende nuk e kam përjetuar. Në momentin që do ta provoj, do t’jua them patjetër”, - thotë Dorina. Si një aleate e më të mirit, nga ky edicion ajo veçon këngën e Anjeza Shahinit, si këngë profesionale, këngën e Flaka Krelanit si më të bukurat.