Gjilan, inaugurohet gjykata me standarde evropiane

Zyrtarët të lartë të Qeverisë së Kosovës, së bashku me përfaqësuesit e SHBA-së, gjykatës, e prokurorë, kanë inauguruar ndërtesën e re të Gjykatës Themelore në Gjilan, e cila tani është e gatshme të ju shërbejë qytetarëve të rajonit të Gjilanit. Hajredin Kuqi tha se çdo reformë i ka telashet e veta, por implementimi i reformës ka fituar stabilitetin e vet. Kuqi tha se aktualisht kemi gjyqtarë e prokurorë të respektuar dhe me dinjitet, raporton rajonipress.
Në këtë ceremoni inauguruese, ambasadorja e amerikane, Tracey Ann Jacobson tha se kjo ndërtesë e re e gjykatës është një shembull i mirë i bashkëpunimit të ngushtë mes Qeverisë së Kosovës dhe SHBA-së e Norvegjisë. Jacobson shtoi se vendi ynë ka një rrugë të gjatë në drejtësi dhe premtoi se edhe në këtë fushë SHBA-ja do e mbështesë Kosovën. Jacobson tha se është me rëndësi që në Kosovë të mbretërojë rendi e ligji dhe kemi besim se do të punohet me kujdes dhe mbi baza ligjore. “Sot në Bruksel po punohet se si të implementohet marrëveshja dhe këto bisedime janë të rëndësishme për Kosovën” tha ajo.
Zëvendëskryeministri Kuçi po ashtu tha se angazhimi konkret ka të bëjë me forcimin e rendit dhe ligjit, kurse duke folur për objektin e ri, tha se ky i ngjan objekteve të Perëndimit dhe se ka dëshirë që edhe ligji dhe puna të përngjajnë në standardet e Perëndimit.
Kreu i Gjykatës Themelore në Gjilan, Zyhdi Haziri siguroi qytetarët se kjo gjykatë me të gjitha kapacitetet e veta do të jetë në funksion të zbatimit të ligjit.
Gjykata e re është moderne dhe ka mbi 40 zyra për gjyqtarë, 10 salla gjykimi, zyra për konsultime e zyra të burgosurve, pesë zyra të menaxhimit, si dhe zyra të mëdha që do të shërbejnë si dhoma të pritjes për qytetarët./Indeksonline/