Pasnesër përfundon misioni i shpëtimit të arinjve të murrmë

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor njofton se nesër do të vazhdojë aksioni i shpëtimit të arinjve të murrmë nga minikopshtet dhe restorantet, kurse pasnesër përmbyllet ky aksion. Nesër fillimisht do të merren arinjtë nga restoranti “Gryka”, që gjendet afër grykës së Rugovës, ku momentalisht janë të internuar dy arinj, kurse më pas do të merret edhe ariu që gjendet në restorantin “Antika” në Pejë. Të tre arinjtë pritet të mbërrijnë në shtëpinë e tyre të re, në strehimoren afër liqenit të Badovcit, rreth orës 16:00.
Ndërkaq, të shtunën, më 1 qershor, në orën 6:00 të mëngjesit, do të merren edhe të pesë arinjtë që gjenden në minikopshtin e restorantit “Te Ariu” në Veternik.
Me këtë përfundon edhe i gjithë misioni i shpëtimit të kësaj specie shumë të mbrojtur të natyrës së Kosovës. Me arinjtë që do të transportohen gjatë dy ditëve të ardhshme, numri i arinjve në strehimore do të arrijë në 13, që është edhe numri final i arinjve të identifikuar që ishin në internim.
Njëkohësisht, MMHP demanton shkrimet e disa medieve elektronike se arinjtë e Naim Mujës, vëllait të deputetit Shaip Muja, nuk do të merren për t’u sistemuar në strehimoren pranë liqenit të Badovcit. Sipas MMPH-së, Naim Muja është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë me ministrinë. “Edhe unë jam i barabartë, sikur të gjithë, përballë ligjit” kishte deklaruar Muja gjatë bisedave me zyrtarët e MMPH-së.
Kjo ministri ka parashtruar ankesë pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës ndaj vendimit “skandaloz të gjykatës, ditë më parë, për vrasësit e dy arinjve në Mitrovicë të cilët u liruan pasi paguan gjobë prej 200 eurosh”.
Krahas ankesës, MMPH do të veprojë sipas ligjeve të zbatueshme në Kosovë dhe Kodit Penal, neni 359, që përcakton se “kushdo që pa leje ose autorizim gjuan ose mbyt një kafshë të egër ose e zë të gjallë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 (gjashtë) muaj”.
Ligji për Mbrojtjen e Natyrës parasheh dispozita ndëshkimore me gjobë deri në 40 000 euro ndaj personave juridikë që zhdukin llojin e egër autokton, dhe deri në 4 000 euro ndaj personave fizikë.
Në fund të njoftimit ceket se ministri Dardan Gashi është i vendosur t’i shkojë deri në fund këtij rasti dhe ndëshkimin meritor të vrasësve./Indeksonline/