E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Makthi” i ekskursioneve, 8 vula për të vizituar bregdetin



I kujtohet kur motra e saj më e madhe, së bashku me klasën e saj, u larguan për katër ditë në Sarandë, tre vjet më parë. Por ajo vetë, duket se nuk do ta ketë këtë fat. Tetë vula dhe qindra firma i nevojiten sot një grupi nxënësish për të organizuar një ekskursion, e në të gjitha rastet, ky aktivitet duhet të jetë i lidhur me procesin mësimor. Një urdhër i pluhurosur në sirtarët e Ministrisë së Arsimit e ka vështirësuar këtë proces e përveç kundërshtisë së nxënësve dhe pranimit të heshtur të mësuesve, më të prekur nga një burokraci e tillë janë shërbimet hoteliere në bregdetin shqiptar, që raportojnë uljen e këtij lloji turizmi.

Rregullat

Këtë vit, Alba është maturante, por duket se do ta ketë shumë të vështirë për të vazhduar traditën e motrës së saj. E takojmë në një prej shkollave të kryeqytetit, ku na thotë se ekskursionet janë anuluar prej dy vitesh dhe se tashmë ajo duhet të kënaqet vetëm me shëtitjet drejt Durrësit me prindërit e saj.

Rregullat e vendosura nga Ministria e Arsimit janë të rrepta. Për të organizuar një ekskursion, do të duhen tetë fleta të mbushura nga institucionet dhe shumë të tjera nga prindërit e nxënësve. Tashmë, ekskursioni miratohet nga Drejtoria Arsimore, vetëm pas mendimit me shkrim të departamentit lëndor të shkollës, qeverisë së nxënësve, bordit të shkollës, drejtorisë së shkollës, mësuesve që do të shoqërojnë nxënësit, këshilli pedagogjik i shkollës, agjencia turistike që do të kryejë transportin e në fund aprovim me shkrim nga të gjithë prindërit e fëmijëve që do të shkojnë në ekskursion.

Nxënësit

Denisa Skëndaj, nxënëse në vitin e katërt, thotë se përderisa lekët dhe organizimi bëhet nga vetë studentët dhe se mësuesit janë të ftuar për të mbikëqyrur këtë organizim dhe për t’u dhënë siguri prindërve, atëherë nuk ka pse të merret leja e Drejtorisë Arsimore. “Nëse Drejtoria Arsimore dëshiron të na japë leje, atëherë le të paguajë edhe shpenzimet e ekskursioneve, pasi nuk mund të japësh leje për diçka që nuk ka lidhje as ekonomike e as organizative me ty”, – thotë maturantja.

“Nëse do të përbënte problem një ekskursion që ne bëjmë në Lezhë apo në Sarandë, atëherë mua nuk do të më linin prindërit, prandaj s’ka pse të kërkojë edhe lejen e policisë dhe të ministrisë”, – thotë Eduardi, nxënës në shkollën “Sami Frashëri”. “Ne po kthehemi në diktaturë ushtarake, detyrohemi të veshim uniforma, paçka se s’duam dhe tani s’na lejohet të shkojmë as në ekskursione. Më duket se ndonjë ditë do të na kërkojmë të rrimë deri në 10 të darkës në shkollë, që të mos dalim për kafe pasdite”.

Nxënësit e shkollave të mesme janë të ndërgjegjshëm që në ekskursione ndodhin edhe veprime të pahijshme dhe të jashtëligjshme, si konsumimi i pijeve alkoolike, cigareve e deri në orgji dhe drogë. Por ata theksojnë se nuk duhet ndjekur parimi “dhemb koka, pritet koka” për të korrigjuar këto probleme të ekskursioneve. I të njëjtit mendim u duk edhe një mësues në shkollën “Sami Frashëri”.

“Duhet të gjejmë një mënyrë që të mënjanojmë këto fenomene, por jo duke u hequr kënaqësinë nxënësve”, – tha ai, duke u shprehur se është e nevojshme që të merren masa për më shumë shoqërues të ekskursionistëve. “Unë kam fëmijën tim nxënëse dhe gëzimin e saj kur shkon në një ekskursion unë nuk dua t’ia heq, sikurse nuk dua që edhe t’i ndodhë diçka negative”.

Hotelet: Po shkatërrohemi

Një tjetër reagim, kësaj here materialist, vjen nga pronarët e hoteleve në zonat bregdetare. Nxënësit që shkojnë për pushime gjatë fillimit të majit e deri në qershor, janë e vetmja e ardhur e biznesit të turizmit deri në fillim të muajit korrik. Në këtë mënyrë, një urdhër i tillë duket se u dhimbset pikësëpari atyre. Kontaktuam disa pronarë hotelesh në qytetin e Sarandës, të cilët na konfirmuan se gjatë viteve të fundit kishte një ulje të ndjeshme të nxënësve që shkonin për ekskursione e si pasojë, të ardhurat e tyre ishin përgjysmuar.

“Në maj dhe qershor ne i mbajmë hotelet vetëm për këtë arsye. Shumë pak vijnë për pushime gjatë këtyre dy muajve. Para dy vjetësh, të paktën, vinin nxënësit e shkollave me ekskursione dhe nuk dilnim me humbje. Por gjatë dy viteve të fundit tek-tuk vjen ndonjë autobus”, – na thotë Astriti, pronar i një hoteli në Sarandë.

Kur e sqarojmë për urdhrin e vendosur nga Ministria e Arsimit, ai vendos buzën në gaz dhe na thotë se diçka e tillë është pa vend. “Me të vërtetë kanë ndodhur disa incidente shumë të vogla gjatë ekskursioneve, por ato janë aq të rralla, sa në 100 hotele që ka Saranda, vetëm një a dy pronarë mund të thonë gjë mbi ndonjë incident konkret. Është komplet pa lidhje një vendim i tillë”, – thotë ai.

Arsyetimi

Urdhri në fjalë është miratuar nga ish-ministri i Arsimit, z. Genc Pollo, por nuk gjeti zbatim të menjëhershëm. Vetëm dy vitet e fundit është vërejtur një vështirësim i procedurës së organizimit të ekskursioneve. Maturantët tashmë nuk e kanë aq të lehtë të organizojnë një ekskursion, pasi krahas problemeve ekonomike dhe bindjes së mësuesve për t`i shoqëruar, duhet të kalojnë edhe në një procedurë të ngarkuar burokratike. Sipas udhëzimit, para miratimit të lejes, DAR/ZA-t duhet të garantojnë me përgjegjësi sigurinë e jetës së nxënësve dhe mësuesve nëpërmjet bashkëpunimit edhe me strukturat e rendit, të shëndetësisë e strukturat e tjera që lidhen me mjetet e transportit, fjetjen, ushqimin etj.

Për më tepër, nxënësit nuk kanë të drejtë të kryejnë ekskursione thjesht dhe vetëm për të plotësuar dëshirën e tyre, por duhet që të tregojnë arsyet didaktike për një ekskursion, ndonëse Ministria e Arsimit nuk mbulon asgjë prej shpenzimeve të tyre.

Ministria e Arsimit e arsyeton një vendim të tillë me shqetësimin e mësuesve në shkollat e vendit. “Nisur nga shqetësimi i mësuesve dhe prindërve të nxënësve të arsimit parauniversitar, për organizimet shpesh dhe pa kriter të aktiviteteve jashtëshkollore, ekskursioneve masive, sidomos gjatë sezonit të verës, ministri i Arsimit dhe Shkencës ka nxjerrë sot një urdhër për miratimin e lejes për zhvillimin e veprimtarive jashtëshkollore në shkollat publike e private”, - theksohet në njoftimin për shtyp të ministrisë.

Mbështetja

Kjo nismë ishte mbështetur fillimisht edhe nga disa drejtues shkollash, ndonëse shumica e mësuesve dhe nxënësve ishin shprehur kundër. Në atë kohë, drejtorja e shkollës “Petro Nini Luarasi”, znj. Diana Kalemi, kishte thënë për “standard” se një urdhër i tillë është i domosdoshëm. “Në ekskursione ne nuk i kontrollojmë dot nxënësit tanë”, – deklaronte ajo, duke theksuar se urdhri ka prekur plagën e shkollave të mesme. “Shumica e mësuesve nuk pranojnë të shoqërojnë nxënësit, pasi e dinë që në ekskursione të tilla, sidomos shumë larg kryeqytetit, do të ndodhin fenomene të pahijshme”.

Por, dy vjet pas futjes në fuqi të një barriere të tillë, duket se shumica e nxënësve, por edhe mësues, kanë dalë kundër një vendimi që ul mundësinë e nxënësve për të shkuar në një ekskursion dhe dëmton biznesin e hotelerisë përgjatë dy muajve përpara se të nisë faktikisht sezoni veror.

Pro dhe kundër, liri apo konservatorizëm, diçka është e sigurt, që nxënësit gjithnjë e më shumë do të kërkojnë që të shkojnë në ekskursione për t’ia kaluar mirë mes shoqërisë dhe mësuesit, prindërit dhe udhëheqja politike gjithnjë do ta kufizojë këtë të drejtë për të siguruar se çdo gjë shkon mbarë.

Për të marrë leje shkolla duhet të paraqesë në DAR/ZA:

a) Mendim me shkrim i departamentit lëndor për objektivin mësimor-edukativ të ekskursionit, fazat për realizimin e tij, vendin dhe kohën e zhvillimit të tij;

b) Mendim nga qeveria e nxënësve;

c) Mendim nga bordi i shkollës;

d) Aprovim me shkrim nga secili prind i nxënësve ekskursionistë;

e) Lista emërore e mësuesve shoqërues të nxënësve dhe përgjegjësia shtetërore e secilit mësues shoqërues;

f) Agjencia përgjegjëse për transportin e nxënësve, akomodimi i tyre, vendmbërritja, licenca, si dhe targat e shoferëve të autobusëve. Vendimet financiare të jenë e drejtë vetëm e nxënësve;

g) Vlerësim me shkrim nga dy mësues të dërguar nga shkolla jo më vonë se një javë para kohës së zhvillimit të ekskursionit për vendin ku do të zhvillohet ky ekskursion dhe plotësimin e kërkesave mësimore dhe ato të sigurisë së jetës së nxënësve;

h) Propozimi nga drejtoria e shkollës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›