Gripi i derrit, po afrohet në 1 mijë numri i të prekurve
Prej orës 6 të mëngjesit të djeshëm e deri në orën 16 janë shënuar më shumë se 100 raste të reja me gripin e derrave, duke e çuar numrin e të infektuarve në 898. Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se mund të jetë zbuluar rasti i parë që sëmundja transmetohet nga njerëzit tek derrat në Alberta të Kanadasë, ndërkohë që përhapja, ndonëse në masë të madhe, është drejt uljes për këtë sezon.
Afër 1-mijëshit
Deri në orën 16 të ditës së djeshme sipas OBSH-së, ka pasur 898 raste të konfirmuara, me 20 të vdekur në 18 shtete, prej të cilave 506 kanë qenë në Meksikë. OBSH-ja deklaroi se numri i madh i të infektuarve të raportuar në 48 orët e fundit reflekton testimin e të dhënave të grumbulluara më parë, duke parashikuar se jemi drejt fundit të përhapjes së gripit të ri H1N1.
Përhapja e sëmundjes është bazuar kryesisht në Amerikën Veriore. Kështu, në Meksikë ka pasur 506 të infektuar, në SHBA 106 dhe në Kanada 85 raste. Ndërkohë, pas këtyre vjen Evropa, ku sëmundja është përhapur në masë të madhe. Në Spanjë ka pasur 40 raste, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar, 15. Harta e të infektuarve pasohet me vende me më pak se 10 raste si: Austria (1), Kina (1), Kosta Rika (1), Danimarka (1), Franca (2), Gjermania (8), Irlanda(1), Izraeli (3), Italia (1), Holanda (1), Zelanda e Re (4), Koreja (1) dhe Zvicra (1). Vala e dytë e përhapjes së sëmundjes pritet gjatë muajit shtator, kur rinis përhapja e virozave stinore, duke ndihmuar edhe gripin e ri, H1N1.
Nga njeriu te derri?
Ajo çka ka surprizuar më shumë specialistët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë është sëmundja e një ferme derrash në Kanada, që dyshohet se janë infektuar nga njeriu. “Më 2 maj, në Kanada është raportuar identifikimi i virusit A (H1N1) në një fermë derrash në Alberta. Është shumë e mundshme që derrat t`i jenë ekspozuar virusit nga një punëtor kanadez ferme, i cili është kthyer nga Meksika dhe kishte simptomat e gripit dhe pati kontakt me derrat”, – bëri të ditur OBSH-ja.
Megjithatë, kjo mbetet ende një supozim dhe nuk është e sigurt nëse virusi mund të kalojë nga njeriu te derri, sipas OBSH-së. Organizata ndërkombëtare në fjalë nuk ka vërtetuar ende as nëse sëmundja mund të transmetohet nga njeriu te njeriu.
Gjithsesi, OBSH-ja vijon të këmbëngulë se situata nuk duhet të prodhojë alarme të kota, por duhet të paralajmërojë qytetarët për të marrë masa parandaluese. OBSH-ja këshillon shtetet që të mos vendosin pengesa në udhëtimet e rregullta e as të ndalojnë kalimin në kufij. Nga ana tjetër, sipas OBSH-së, është “e këshillueshme për personat që janë të sëmurë, të shtyjnë udhëtimet ndërkombëtare dhe personat që kanë simptomat, pas një udhëtimi jashtë shteti, të kërkojnë kujdes mjekësor, nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të autoriteteve shtetërore”.
Sakaq, OBSH-ja udhëzon qytetarët që të mos ndalojnë përdorimin e produkteve dhe nënprodukteve të mishit të derrit, pasi ato nuk shkaktojnë infektimin, nëse janë të gatuara mirë. “Individët janë të këshilluar të lajnë duart me sapun dhe ujë në periodicitet të rregullt dhe duhet të kërkojnë kujdes mjekësor, nëse u shfaqet çfarëdolloj simptome e gripit”, - duke përfshirë këtu edhe gripin e zakonshëm, sipas OBSH-së.
“Nënë Tereza”, dezinfektohen avionët
Gjatë ditës së djeshme janë dezinfektuar të gjithë avionët e kompanive shqiptare, në mënyrë që të parandalohet përhapja e mundshme e sëmundjes në Shqipëri. Në Shqipëri deri tani nuk ka asnjë të dyshuar me virusin H1N1 ose, siç njihet ndryshe, gripi i derrave. Sipas zyrës së shtypit të Ministrisë së Shëndetësisë, të dhënat e fundit konfirmojnë se asnjë shtetas, shqiptar apo i huaj, që ka hyrë në vend nga aeroporti ndërkombëtar "Nënë Tereza" apo pika të tjera kufitare, nuk ka qenë i dyshuar për këtë virus nga punonjësit shëndetësorë. "Nga data 28 prill deri në datën 1 maj në aeroportin “Nënë Tereza” kanë hyrë 6390 udhëtarë, nga të cilët 4257 shtetas shqiptarë dhe 2033 të huaj. Sipas të dhënave, 233 shtetas kanë qenë amerikanë, 4 meksikanë që jetojnë në Itali nga dhjetori i vitit 2008, 60 kanadezë, 11 izraelitë, 56 austriakë, 133 gjermanë, si dhe 241 anglezë". “Gjatë ditës së djeshme, janë dezinfektuar edhe avionët e dy kompanive shqiptare”, - bën të ditur zyra e shtypit e MSH-së. Ministria e Shëndetësisë ka shpërndarë materialet informative për virusin H1N1, simptomat, masat për parandalimin dhe këshillat përkatëse në Vlorë dhe Durrës. Ndërsa, materialet mbrojtëse dhe dezinfektantët janë shpërndarë tashmë në 12 rrethe të vendit.