Gjimnazet me korrespondencë, ndryshon mënyra e funksionimit
Jonida Tashi
Gjimnazet me korrespondencë do të kenë një mënyrë të re funksionimi në fillim të këtij viti shkollor. Ministria e Arsimit ka vendosur të ndryshojë rregullat për funksionimin dhe organizimin e gjimnazeve me korrespondencë. Ndërkohë që të gjithë të interesuarit, për të vazhduar shkollën e mesme në një gjimnaz të tillë, duhet t’i nënshtrohen njëvlershmërisë së provimeve gjatë këtij muaji. Nëse një nxënës nuk rezulton kalues në një nga këto provime, atij i humbet e drejta për të vazhduar shkollën e mesme gjatë këtij viti. Ndërsa riprovimet e klasës për nxënësit që kanë mbetur në disa lëndë do të zhvillohen në muajin tetor. Regjistrimet e nxënësve në shkollat e mesme me korrespondencë do të bëhen nga data 1 tetor deri më 31 tetor.
Udhëzimi
Sipas udhëzimit të fundit të Ministrisë së Arsimit, shkollat e mesme të përgjithshme me kohë të shkurtuar do të funksionojnë në dy forma: me proces mësimor tri ditë në javë, dhe me korrespondencë. Ndërkohë të dyja format do të punojnë me të njëjtat plane dhe programe mësimore. Ndërsa procesi mësimor në shkollën e mesme të përgjithshme me korrespondencë (SHMK) do të përbëhet nga: studimi vetjak, konsultimet dhe provimet. Kur njëvlershmëria është e nevojshme, me kërkesë të drejtorisë së SHMK-s ose nxënësit, Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore (DAR/ZA) kryen njëvlershmërinë mbi bazën e planeve dhe programeve përkatëse dhe cakton provimet plotësuese. Njëvlershmëria është procesi i ekuivalentimit të planeve dhe programeve mësimore. Regjistrimet për njëvlershmërinë bëhen në muajin qershor. Kurse provimet e njëvlershmërisë kryhen me gojë, në SHMK, në muajin shtator, pranë një komisioni prej tre mësuesish të lëndës përkatëse, të cilët caktohen nga drejtori i SHMK-së. Nxënësi, që nuk kalon qoftë edhe në një provim të njëvlershmërisë, nuk regjistrohet në SHMK për atë vit shkollor dhe në vitin pasardhës i nënshtrohet vetëm
provimeve të pashlyera. Në amzë shënohen notat e mbartura dhe notat e provimeve të njëvlershmërisë. Në të bashkëngjiten dëftesa përkatëse dhe një kopje e procesverbalit të provimeve të njëvlershmërisë që nxënësi ka dhënë.
Provimet
Provimet e klasës në gjimnazet me korrespondencë do të zhvillohen në dy sesione. Afërsisht gjysma e numrit të lëndëve zhvillohet në sesionin e parë dhe pjesa tjetër në sesionin e dytë. Ndërsa riprovimet e klasës zhvillohen në muajin tetor. Datat e provimeve dhe riprovimeve caktohen me marrëveshje ndërmjet drejtorit të shkollës dhe drejtorit të DAR/ZA. Nxënësi duhet të paraqitet në provime me pasaportë, letërnjoftim ose certifikatë me fotografi. Drejtori i SHMK-së, ose një person i ngarkuar prej tij, verifikon pasaportën, letërnjoftimin ose certifikatën me fotografi të pjesëmarrësve në provimet. Sipas udhëzimit të ri të MASH-it, provimet e klasës do të zhvillohen vetëm me shkrim. Në secilin sesion të provimeve të një klase do të zhvillohet vetëm një provim në të cilin testohen të gjitha lëndët e sesionit. Kohëzgjatja e provimit të një sezoni për një klasë është 3 deri më 4 orë. Testi i një lënde për provimin e klasës do të hartohet nga një grup prej dy mësuesish të lëndës përkatëse. Hartuesit e testit lëndor po ashtu edhe administratorët e provimeve do të përzgjidhen nga DAR/ZA. Administratorët e provimeve nuk do të jenë mësues të lëndëve që testohen dhe numri i tyre është “1 administrator për 15 nxënës”. Ndërsa pjesëmarrësit në provim duhet të qëndrojnë jo më pak se 1,5 metra larg njeri-tjetrit, vertikalisht dhe horizontalisht.
Regjistrimi
Regjistrimi i nxënësve do të kryhet pranë SHMK-së në të cilën zhvillohen provimet
Pranohen për regjistrim në një SHMK vetëm nxënësit
që banojnë në qarkun ku ndodhet ajo shkollë
Ka të drejtë të regjistrohet në klasën e parë të SHMK-së
Nxënësi, i cili ka kryer arsimin e detyruar brenda ose
jashtë vendit dhe është mbi moshën 16 vjeç
Regjistrimet e nxënësve në SHMK do të bëhen nga data 1
tetor deri më 31 tetor
Për t’u regjistruar në klasën e parë të SHMK-së nxënësi
duhet të paraqesë këto dokumente:
Dëftesa e lirimit ose dokumenti i njëvlershëm me të
Certifikata e lindjes me fotografi
Vërtetimi nga njësia administrative ku banon
Në klasat e ndërmjetme të SHMK-së pranohen nxënësit
që kanë kryer një ose disa klasa të shkollave të mesme të përgjithshme ose të shkollave profesionale brenda vendit ose jashtë vendit të cilat përmbushin kriteret e njëvlershmërisë
Kur shihet e arsyeshme nga drejtori përkatës i shkollës,
lejohet kalimi nga sistemi i SHMK-së në atë 3-ditor dhe
anasjelltas. Ky kalim mund të bëhet vetëm në fillim të
vitit shkollor
Për t’u regjistruar në një klasë të ndërmjetme të SHMK
nxënësi duhet të paraqesë këto dokumente:
Dëftesa e përfundimit të klasës paraardhëse ose dokumenti
i njëvlershëm me të
Certifikata e lindjes me fotografi
Vërtetimi nga njësia administrative ku banon
Sekretimi
Sekretimi i testeve kryhet nga sekretues të cilët caktohen
nga DAR/ZA
Dy sekretuesit kanë listën emërore të nxënësve për të
cilët do të kryejnë procedurat e sekretimit
Kjo listë ka disa shtylla. Njëra shtyllë është për numrat
e sekretimit të nxënësve dhe të tjera për notat e
tyre lëndore
Të dy sekretuesit për çdo nxënës kryejnë funksionet e
mëposhtme:
Marrin fletën e testit ku shënojnë numrin përkatës të
sekretimit pa u parë nga nxënësit;
Shënojnë këtë numër te lista emërore e nxënësve krahas
nxënësit përkatës;
Palosin fletën në mënyrë që të mos shihet ky numër;
e ngjisin palosjen;
Vulosin te vija e palosjes.
Sekretuesit mbyllin në një zarf listën emërore të
nxënësve, e cila është plotësuar me të gjitha numrat e
sekretimit, e vulosin atë disa herë dhe e dorëzojnë te
drejtori i SHMK ose një person i ngarkuar prej tij.
Qortimi
Përgjigjet e testeve do të qortohen nga Komisioni i Qortimit, i cili përbëhet nga dy mësues për lëndë dhe ngrihet nga DAR/ZA
Qortimi i përgjigjeve të testeve kryhet në mjediset e
SHMK-së ose në mjedise të tjera të përcaktuara nga DAR/ZA
Nëse dy qortuesit e një testi vlerësojnë nxënësin me
pikë të ndryshme sa rezultojnë dy nota të ndryshme,
atëherë të dy qortuesit së bashku diskutojnë vlerësimet
e tyre dhe arrijnë në një notë të njëjtë
Komisioni i Qortuesve të një klase plotëson një listë me
numrat e sekretimit për çdo nxënës dhe notat përkatëse
të lëndëve të provimit
Drejtori i shkollës, ose një person i ngarkuar prej tij, hap zarfin e mbyllur e të vulosur në prani të Komisionit të
Qortuesve të një klase dhe të sekretuesve të një klase
Qortuesit shtojnë notat lëndore të secilit nxënës sipas
numrit të sekretimit në listën që gjendet në zarfin e
mbyllur
Lista firmoset nga sekretuesit dhe qortuesit e klasës
përkatëse
Pagesa e hartuesve të testeve, administratorëve të provimeve, e qortuesve të testeve dhe e sekretuesve të testeve kryhet nga DAR/ ZA përkatëse sipas akteve nënligjore në fuqi
Përgjigjet me shkrim ruhen në SHMK për një vit
Konsultimet
Nxënësit e SHMK-së nuk janë të detyruar të ndjekin
konsultimet që shkolla organizon
SHMK-ja ofron 10 orë konsultime për çdo lëndë për një vit shkollor
Drejtoria e SHMK-së shpall orarin e konsultimeve më
01 nëntor të çdo viti shkollor
Zhvillimi i konsultimeve dokumentohet në regjistra të veçantë ashtu si çdo orë tjetër mësimore
Kalimi i klasës
Nëse një nxënës është mbetës në tri lëndë gjatë një viti shkollor, nuk e kalon klasën
Nëse një nxënës është mbetës në të paktën një lëndë në riprovim, nuk e kalon klasën
Në përfundim të shkollës, nxënësi pajiset me dëftesë ku shënohen notat për të gjitha lëndët e SHMK-së
5 Shtator 2008