E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët on-line, pacientët mund të zgjedhin të preferuarin



Emanuela Sako
Tani mjekët mund t’i zgjedhësh on-line për të kryer një vizitë mjekësore në një klinikë apo qendër spitalore. Një faqe zyrtare në internet jep të gjitha të dhënat për mjekët në të gjithë vendin. Faqja zyrtare në internet është hapur nga “Urdhri i Mjekut”, të cilit kërkojnë që pacientët të njohin profesionin apo përgatitjen profesionale të mjekëve. Nëse një pacient vuan nga një problem, atëherë ai mund të futet në internet dhe të gjejë emrin e mjekut dhe përgatitjen profesionale të tij, mes shumë emrave të tjerë të mjekëve. Adresa e internetit që është vënë në dispozicion të pacientëve është ëëë.umsh.org, e cila qëndron gjatë gjithë kohës në dispozicion të pacientëve. Presidenti i “Urdhrit të Mjekut”, Faik Toska, shprehet se kjo mënyrë e re do të bëhet praktikë pune për pacientët. Sipas tij, ky projekt sapo ka filluar, por pritet që të japë rezultatet e veta, pasi pacientët janë të interesuar për një mënyrë të tillë. Të gjitha ankesat që vijnë në drejtim të Urdhrit të Mjekut, janë nga mosnjohja e pacientëve me mjekët dhe të shkuarën e tyre.
Projekti
Projekti parashikon që në faqen zyrtare dhe në të dhënat e mjekëve të shtohen edhe gabimet profesionale të mjekëve. Kjo bëhet në mënyrë që pacienti të njohë dhe të jetë i vetëdijshëm për mjekun që do të kurohet. Sipas, përfaqësuesve të urdhri të mjekëve, për këtë mënyrë kanë rënë dakord të gjithë mjekët dhe tashmë projekti është në fazën e zbatimit. Toska shprehet se deri tani janë regjistruar në faqen e internetit të dhënat për 6 mijë mjekë, nga të cilët 2 mijë janë stomatologë. Këto të dhëna për mjekët përfshijnë sektorin shtetëror dhe atë privat. Kësaj liste pritet t’i shtohen mjaft mjek të tjerë dhe gjithçka do të rifreskohet vazhdimisht me të gjitha të dhënat për të gjithë mjekët që do të shtohen në sistemin mjekësor.
Ankimi
“Urdhri i Mjekut” ka të drejtën e shqyrtimit të rasteve të ankesave të ardhura nga qytetarët për punë joprofesionale të mjekëve. Deri tani, pranë këtij dikasteri janë depozituar rreth 20 ankesa nga qytetarët. Problemet e tyre janë të ndryshme. Por vendin e parë të ankesave e zënë stomatologët dhe okulistët. Ankesat për stomatologët janë për shkak të cilësisë së dobët të protezave të punës joprofesionale të kryer nga specialisti për vënien e dhëmbëve apo protezës. Ndërsa ankesat për okulist janë për arsye se pacientët e operuar nga sytë kanë humbur shikimin apo kanë probleme edhe pas kryerjes së operacionit. Por, nëpërmjet procedurës së re, tashmë pacientët kanë të drejtë të njihen me punën e stomatologëve, okulistëve apo mjekëve të tjerë specialistë.

Arsyet e ankesave nga pacientët

Ankesa për sjellje të keqe profesionale, si:

Pranim dhe pritje jokorrekte e të sëmurit;
qëndrime diskriminuese të karakterit etnik, racor, fetar, partiak-politik, shtrese a klase shoqërore;
shfrytëzim i pozitës profesionale ndaj të sëmurit për përfitime nga ai në formë mitmarrje apo forma të tjera përfitimi;
pakënaqësi për komunikim jo korrekt si sqarim i pamjaftueshëm mbi diagnozën, rëndësinë e ndërmarrjes së ekzaminimeve dhe të mjekimeve të domosdoshme, pra mosmarrje e vendimit të përbashkët mbi parimet e konsentit të informuar dhe të drejtat e pacientëve;
shfaqje imoraliteti;
sjellje jokorrekte me kolegët si qëndrim diskriminues, prirje për të diskretituar e fyer në sy të kolegeve të tjerë, të sëmurëve dhe të publikut.
Në të njëjtën mënyrë edhe për sjellje ndaj personelit tjetër mjekësor.

Ankesa për performancë profesionale të mangët, si:

Gabime të përsëritura mjekësore me pasoja rrezik për dëmtimin e shëndetit të të sëmurit, kërcënim për jetën apo edhe humbje të jetës (vdekje nga gabimi mjekësor);
dëme ekonomike nga shpenzime të pajustifikuara dhe të pabazuara shkencërisht;
trajtim e mbajtje e të sëmurit tej kufijve të kompetencës profesionale;
braktisje e të sëmurit ose mungesë gatishmërie për të dhënë ndihmën urgjente.

Denoncime për mjek të ndëshkuar nga gjykata për vepra penale.

Ankesa për papërgjegjshmëri në marrjen e vendimit për diagnostikimin dhe mjekimin e të sëmurit për shkak të gjendjes shëndetësore të mjekut (sëmundje psikike, alkoolizëm, drogë) duke vënë në rrezik shëndetin dhe jetën e të sëmurëve.

Ministrja Godo, takim me ambasadorin italian për Shëndetësinë
Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, priti dje në një takim ambasadorin e Italisë në vendin tonë, Saba D` Elia, i cili ofroi mbështetjen maksimale të vendit fqinj në realizimin e reformave dhe përmirësimin e sistemit shëndetësor. Zyra e Shtypit pranë MSH-së bëri të ditur se gjatë takimit të zhvilluar në mjediset e dikasterit të Shëndetësisë, ministrja Godo dhe Ambasadori D’Elia diskutuan mbi suksesin e projektit INTERREG III, thellimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë mes dy vendeve si dhe për transplantimin e veshkave, që pritet të fillojë në vendin tonë me asistencën edhe të profesorëve italianë. Pasi vlerësoi mbështetjen që Italia ka dhënë për pacientët shqiptarë, ministrja Godo theksoi se marrëdhëniet që ekzistojnë mes dy vendeve në fushën e shëndetësisë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Ajo e njohu ambasadorin me projektet dhe reformat e ndërmarra për përmirësimin e shërbimit shëndetësor në vendin tonë si dhe u shpreh e gatshme për bashkëpunim në reformimin e sistemit shëndetësor, trajnimin e stafit, binjakëzim spitalesh. Italia po ndihmon së fundi në rikonstruksionin e Poliklinikës Qendrore dhe Poliklinikës tek ‘21 Dhjetori’. Rehabilitimi i plotë i këtyre institucioneve po realizohet përmes një kredie ndihme me vlerë 780 mijë euro nga Cooperacioni Italian i Ministrisë Italiane të Punëve të Jashtme, në favor të Ministrisë tonë të Shëndetësisë. Kjo iniciativë vlen edhe për tre poliklinika në Korçë, Gjirokastër dhe Peshkopi, rikonstruksioni i të cilave do të kushtojë 5 190 000 00 euro. Ambasadori D` Elia e garantoi znj. Godo se bashkëpunimi me Italinë do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe shteti Italian do ofrojë mbështetjen maksimale për përmirësimin e standardeve shëndetësore në Shqipëri.

Stafi i Ambasadës së Malit të Zi dhuron gjak për talasemikët

Stafi i Ambasadës së Malit të Zi në Tiranë ka dhuruar dje gjak për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve talasemikë dhe qytetarëve në nevojë. Ambasadori i Malit të Zi, Zhelko Peroviç, dhe stafi i tij iu drejtuan Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut në Laprakë, ku dhe dhuruan gjak. Me këtë rast, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka falënderuar Ambasadorin e Malit të Zi dhe stafin e tij, duke shprehur mirënjohjen ndaj të gjithë dhuruesve që u përgjigjën thirrjes së MSH. Sipas ministres Godo, dhurimi vullnetar i gjakut është qytetari dhe humanizëm. Të hënën e kaluar, MSH apeloi për të sensibilizuar opinionin publik për dhurimin vullnetar të gjakut. Apelit të MSH-së i janë përgjigjur deri tani individë dhe shoqata, ndër të cilët dhe gazetarët, Kryqi i Kuq etj.

5 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›