Libri i Transparencës, maturantët e kryeqytetit, 245 ankesa për pasaktësi
Maturantët e kryeqytetit kanë depozituar më shumë ankesa se rrethet e tjera të vendit për të dhënat e publikuara në Librin e Transparencës. Rreth 245 ankesa për pasaktësi jo vetëm në llogaritjen e pikëve, por edhe në të dhënat e tyre personale kanë mbërritur në APRIAL nga maturantët e Tiranës. Ditën e djeshme specialistët e APRIAL-it kanë nisur verifikimin dhe shqyrtimin e hollësishëm të pretendimeve të tyre. Frederik Shalsi, drejtor i APRIAL, qendrës ku verifikohen ankesat, bën të ditur se numri i ankesave të ardhura nga rrethet është shumë i vogël krahasuar me kryeqytetin. Shalsi sqaron se pasaktësitë e verifikuara në llogaritjen e notave ata do të korrigjohen dhe ndryshimet e bëra do të publikohen në renditjen e re. Pas përfundimit të kësaj procedure do të bëhet renditja e kandidatëve fitues sipas degëve dhe kuotave në universitetet përkatëse. Data 1 shtator ka qenë afati i fundit për plotësimin e formularit të pasaktësive.
MASH: “Maturantët duhet të kenë kujdes afatet e regjistrimit”
Renditja e kandidatëve fitues për universitetet publike të vendit pritet të bëhet publike në datën 10 shtator. Kjo renditje do të bëhet sipas parimit Meritë-Preferencë dhe degëve dhe kuotave të përcaktuara për universitetet publike të vendit. Specialistët e Ministrisë së Arsimit sqarojnë se maturantët duhet të bëjnë kujdes me plotësimin e afateve të përcaktuara në rregullore për regjistrimin në degët e fituara. Nëse nuk respektohen afatet e përcaktuara, ata mund të humbasin të drejtën e ndjekjes së studimeve në universitet, edhe pse mund të kenë marrë pikët maksimale në preferencat e kërkuara. Sipas rregullores së publikuar nga MASH, regjistrimi i kandidatëve fitues do të kryhet si një vit më parë, në dy faza kryesore: regjistrimi paraprak dhe përfundimtar. Pas shpalljes së listës së fituesve me renditjen fillestare të të gjithë kandidatëve në programet e studimit (degët) përkatëse, ku janë shpallur fitues, bëhet regjistrimi paraprak pranë sekretarive në fakultetet e universiteteve publike.
5 Shtator 2008