E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji antiduhan, Ministria pranon dështimin dhe nis nga sanksionet



Ligji për duhanin nuk do të ndryshojë, por do të forcohet me sanksione ligjore. Ky fakt është konfirmuar nga zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, sipas të cilit, ligji për duhanin është ndër më të mirët. Moszbatimi i këtij ligji në praktikë është pranuar edhe nga Ministria e Shëndetësisë. Kjo Ministri cilëson se ligji për duhanin, i miratuar një vit më parë, është ndër më të mirët, por zbatimi i tij lë për të dëshiruar. Në analizën e punës shtatëmujore të këtij dikasteri, drejtuesit e Shëndetësisë deklaruan se kanë riparë strategjinë në luftën kundër duhanit dhe për zbatimin e saj janë vënë në lëvizje strukturat përgjegjëse. Për këtë, zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, sqaron se ligji mund të forcohet në sanksione dhe kjo është shumë e rëndësishme të kuptohet nga të gjithë. Sipas numrit dy të Shëndetësisë, çdo iluzion se ligji për duhanin do të ndryshojë është mentalitet i gabuar. Zbatimi i ligjit për duhanin është detyrë funksionale e institucioneve që varen nga Ministria e Shëndetësisë dhe e policive bashkiake apo komunale. Më tej Ivanaj shprehet: “Ligjin për duhanin ne nuk e kemi menduar si ligj represiv, si dënim penal, por e kemi menduar si ligj të parandalimit dhe ai duhet të jetë i tillë”. Për zëvendësministrin e Shëndetësisë zbatimin e këtij ligjit në praktikë e kanë penguar disa “sëmundje” të shoqërisë sonë, apo mentalitete të vogla. Për këtë, sipas tij, po punohet për të ngritur strukturat e promocionit, të cilat lidhen jo vetëm me zbatimin e ligjit për duhanin, por dhe me të tjerë. Ivanaj rithekson se “ligji për duhanin nuk i referohet asnjë baze në Kodin Penal, pra është problem që duhet të zgjidhet me anë të edukimit të njerëzve dhe rritjes së vlerave tona civile”.

5 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›