Ndotja nga pluhuri në Tiranë, 2.5 herë më e lartë se norma e lejuar
Jonida Tashi
Ndotja e ajrit nga pluhuri në Tiranë mbetet sërish në shifra alarmante, edhe pse premtimet për ajër më të pastër për shqiptarët vijnë çdo ditë me doza të larta, sikurse edhe niveli i ndotësve. Kryeqyteti vazhdon të jetë në krye të listës së zezë të ndotjes së ajrit edhe nga matjet e ditëve te fundit. Rreth 2,5 herë mbi normën e lejuar është ndotja nga grimcat e pluhurit në Tiranë. Faktorët e ndotjes së kryeqytetit janë të shumtë, gjë e cila e ka klasifikuar atë në kryeqytetin më të ndotur në Europë. Ndërsa kryeqytetasve po ju rrezikohet jeta për çdo ditë e më tepër për shkak të ndotjes.
Kryeqyteti
Kryeqyteti ynë po kërcënohet çdo ditë e më tepër nga nivelet e larta të ndotjes. Aktualisht, ndotja nga grimcat e pluhurit në Tiranë është 2,5 mbi normën e lejuar. Me gjithë shifrat pozitive që japin specialistët për zvogëlimin e ndotjes në zona të ndryshme, kryeqyteti mbetet i pari në listën e ndotjes nga pluhuri. Ndërsa përsa u përket ndotësve të tjerë në ajër, si lëndët toksike apo mbetjet e ngurta, ato rezultojnë në normat e lejuara nga ndërkombëtarët. Drejtoresha e Agjencisë Rajonale të Mjedisit, Etleva Cami, sqaron se në mbajtjen e ndotësve të tjerë në nivele normale ka ndikuar ndjeshëm përmirësimi i cilësisë së karburanteve, pjesa më e madhe e të cilave importohen edhe nga infrastruktura në përmirësim. Nga monitorimi që është bërë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2008, në qytetet si Tirana, Elbasani, Durrësi, Fieri e Shkodra, ajri ka rezultuar me një cilësi të mirë, por problem mbeten grimcat e pluhurit dhe gazet.
Rreziku
Fëmijët janë kontingjenti më i rrezikuar nga ndotja e ajrit në kryeqytet. Sipas një studimi të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), kryeqyteti është më i ndoturi nga të gjitha rrethet e tjera të vendit dhe detyrimisht në Tiranë ka më tepër persona që vuajnë nga mushkëritë. Por këtë vit, ndryshe nga studimet e tjera, ka rezultuar se më të prekurat janë mushkëritë e fëmijëve të vegjël. Specialistët e ISHP-së kanë specifikuar katër sëmundje që u shkaktohen fëmijëve nga efektet negative të mjedisit të ndotur, që janë: sëmundjet respiratore të fëmijëve (astma, alergjia); çrregullime të zhvillimit mendor; tumore fëminore si dhe çrregullime endokrine. Sipas specialistëve të ISHP-së, sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes pasohen nga sëmundjet e moshës perinatale, sëmundje simptomatike, sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut, infeksione të sistemit nervor qendror, infektive etj. Një studim i ISHP-së, i kryer 8 vite më parë, tregonte se Tirana është 4 deri në 8 herë më e ndotur se normat e përcaktuara nga BE-ja për ajrin, ndërkohë edhe pas 8 viteve studimet tregojnë se nuk ka ndryshuar asgjë dhe situata vazhdon të mbetet njëlloj. Sipas një konstatimi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shqiptarëve u shkurtohen 2 vjet jetë për shkak të ajrit të ndotur. Shkaktarët e ndotjes së ajrit janë të shumtë, por një ndër faktorët kryesorë janë edhe gazrat e makinave, që çdo ditë shkarkohen në natyrë.
5 Shtator 2008