E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjimnazet, regjistrimet vazhdojnë deri më 12 shtator

Drejtoritë e rreth 376 shkollave të mesme dhe 1.749 shkollave 9-vjeçare në vend nisën të hënën procesin e regjistrimeve të nxënësve për vitin e ri shkollor, i cili, sipas udhëzimit të fundit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, do të përfundojë më 12 shtator.

Specialisti i Drejtorisë Arsimore Tiranë, Muharrem Mesi, u shpreh se pas procesit të regjistrimit, "nxënësit do ta fillojnë vitin e ri shkollor më 15 shtator dhe do ta përfundojnë më 12 qershor 2009".

Struktura e vitit shkollor për arsimin 9-vjeçar, - tha Mesi, - përmban semestrin e I me 17 javë mësim (deri më 30 janar), semestrin e II me 18 javë (deri më 12 qershor) dhe 10 ditë festa kombëtare. Për të gjitha gjimnazet me kohë të plotë dhe të shkurtuar, struktura e vitit shkollor, përcakton se semestri I nis më 15 shtator dhe mbaron më 30 janar 2009, ndërsa semestri tjetër fillon më 4 shkurt 2009 dhe mbaron më 5 qershor 2009. Për shkak të ndryshimit të sistemit arsimor parauniversitar, të gjithë nxënësit që kanë mbaruar këtë vit klasën e tetë të arsimit bazë, do të edukohen këtë vit shkollor në klasën e nëntë. Këto ndryshime përcaktojnë ndër të tjera, se "të gjithë fëmijët e moshës 6-vjeçare në Republikën e Shqipërisë duhet të fillojnë arsimin bazë, i cili zgjat jo më pak se 9 vjet". Arsimi bazë është i detyruar dhe i njësuar. Ndërsa afati i shkollave të mesme është 3 vjet. Si rrjedhojë të gjithë ata gjimnazistë të vitit të parë dhe nxënësit e klasës së VIII që nuk arritën ta kalonin klasën, nuk mund t'u bashkohen moshatarëve të tyre në vitin e ri, pasi nuk do të ketë vit të parë, por klasë IX dhe vit të II gjimnaz. Sipas të dhënave të Drejtorisë Arsimore të Tiranës, këtë vit shkollor nuk arritën ta kalojnë klasën e tetë rreth 427 nxënës, si dhe 1.042 nxënës të viteve të para në Tiranë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›