Strehimi, në 6 muaj 900 familje janë bërë me banesa
Për vitin 2008, vetëm në 6 muajt e para rreth 900 familje kanë siguruar strehimin. Ndërkohë që pritet që një kontingjent tjetër të sistemohet në muajt në vazhdim. Ministri Olldashi tha dje se është përgatitur blerja nga tregu i lirë me një fond prej rreth 80 milionë lekësh i banesave për 55 familje. Ndërkaq është realizuar transferimi i fondeve për subvencionimin e kredisë të “Raiffeisen Bank” në masën 33% me një vlerë 10.000 milionë lekë bazuar kjo në fondet e çelura nga thesari. Olldashi bëri me dije dje se realizimi faktik i fondeve të investimeve është në masën prej 90% me një vlere 5.159 milionë lekë të rrjetit për ndërtim banesa në Shkodër, që është në proces përfundimi. Ndërkaq është realizuar 90% investimi për rrjetin inxhinierik të Kavajës me vlerë 6.024 milionë lekë. Është realizuar alokimi i fondeve për projektin “Përmirësimi i kushteve të banimit për komunitetin Rom”, për bashkitë Tiranë, Korçë, Bilisht, Pojan, Kuçovë, gjithsej në vlerën 30.000 milionë lekë. “Pra, në total, deri në mesin e vitit 2008, është siguruar strehimi për rreth 900 familje dhe është përgatitur baza ligjore dhe financiare për sistemimin me strehim të rreth 1.800 familjeve, nëpërmjet fillimit të zbatimit të projektit të banesave sociale me qira dhe projektit të kreditimit të strehimit”, - është shprehur dje ministri Olldashi.