E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kopshtet publike, prindërit grushte për regjistrimet

Për të gjithë kryeqytetasit, të cilët kanë rendur dje për të regjistruar fëmijët e tyre në kopshtet publike, ka qenë në shërbim të tyre vetëm një zyrë regjistrimi. Që në orët e para të mëngjesit prindërit kanë braktisur punën për të kryer regjistrimin. Por aty janë ndeshur me të vetmin sportel në shërbim të tyre dhe një specialiste, e cila mezi punonte. Dita e djeshme e caktuar si e vetmja datë për t’u regjistruar, si dhe mungesa e sporteleve të tjera ka sosur durimin e prindërve, duke shkarë në grindje dhe grushte mes tyre.

Grindja

Për mijëra banorë të kryeqytetit që kanë fëmijë për t’i regjistruar në kopshtet publike është menduar të lihet vetëm një zyrë regjistrimi. Vetëm një sportel dhe një specialiste që iu përgjigjet kërkesave të tyre. Drejtoria e Arsimit dhe Bashkia e Tiranës ndryshojnë mënyrën e regjistrimit, duke mos njoftuar aspak qytetarët, të cilëve durimi i tyre u ka shpërthyer në grindje, aq sa është dashur ndërhyrja e forcave të policisë.

Regjistrimi i fëmijëve të tyre për në kopshtet publike ka qenë një “shfaqje” përleshjesh. Për këtë ka ndërhyrë policia. Në këtë mënyrë janë stërmunduar prindërit, pasi Drejtoria Arsimore kishte caktuar vetëm një datë për pranimin e fëmijëve në kopshte. Frika se mos plotësohet shpejt numri i pranimeve ka bërë që prindërit të nxitojnë për të zënë radhë që në orët e para të mëngjesit.

DAR

Drejtoria Arsimore e Tiranës ndryshe nga një vit më parë nuk e ka bërë regjistrimin e fëmijëve pranë kopshteve, por në një pikë të vetme për të gjitha kopshtet e Tiranës, duke përfshirë edhe zonat periferike si Kombinati, Sauku, Alliasi e të tjera. Në pamundësi për t’i çuar në kopshte private, prindërit kanë lënë punën për të bërë regjistrimin e fëmijëve, por që në fakt ka rezultuar si një makth. E gjithë turma duhej të përballohej vetëm nga një inspektore e Drejtorisë së Arsimit, e cila shpjegon se ky grumbullim u bë për një menaxhim më të mirë, por që në fakt rezultoi ndryshe. Në një kopsht mund të bëheshin më pak se 30 pranime të reja, ka qenë kjo një ndër arsyet që ka shtyrë prindërit të regjistrojnë fëmijët.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›