E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT-ja, edhe shtatori pa operacione

1 shtatori do të ishte data e shfuqizimit të urdhrit për pezullimin e ndërhyrjeve kirurgjikale në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe fillimin edhe të ndërhyrjeve të planifikuara. Gjatë vëzhgimit të kryer nga gazeta “standard” ka rezultuar se as dita e djeshme nuk ka hapur siparin për kryerjen e operacioneve të planifikuara në QSUT.

Mjekët

I janë rikthyer punës. Të veshur me bluza të bardha, mjekët nëpër pavijonet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë ardhur sërish në postet e tyre. Ndërsa për kirurgët dita e djeshme ka rezultuar më shumë biseda mes kolegësh sesa punë. Ndërkohë që të tjerët, pasi kanë konsumuar kafen, i janë rikthyer spitalit dhe vizitave të pacientëve.

Operacionet

Muaji shtator do të rezultonte periudha në të cilën do të fillonte puna normalisht për kryerjen e operacioneve të planifikuara. Drejtoria e qendrës spitalore në javën e dytë të qershorit në ndryshim nga viti i kaluar dha urdhër për ndërprerjen e operacioneve dhe rifillimin e tyre në muajin shtator. Kjo, sipas tyre, u bë si shkak i motit tejet të ngrohtë të asaj periudhe. Por me ardhjen e shtatorit, temperaturat do të shënonin ulje dhe operacionet do të rifillonin të bëheshin.

Dje pavijonet e QSUT-së kanë qenë të dyndura nga pacientë që kërkonin të kryenin operacione. Nga rrethe të ndryshme të vendit kishin ardhur në QSUT për të caktuar datën e kryerjes së operacionit. Por sipas tyre, përgjigjet e marra nga mjekët kanë qenë negative, duke mos u thënë atyre datën e mundshme për fillimin e operacioneve. “Kishim ardhur për t’u operuar, por mjekët na thanë se nuk bënin operacione dhe se duhej pritur një datë tjetër”, - shprehen pacientët.

Nga ana tjetër, pacientët pohojnë se janë vetë mjekët të cilët u kanë thënë atyre të rikthehen në shtator për t’u operuar dhe se po ata mjekë dje nuk kanë ditur të japin shpjegime.

Burime pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” shpjegojnë se mjekët presin që drejtoria e udhëhequr nga mjekja Gjeorgjina Kule të japë një tjetër urdhër për rinisjen e operacioneve të planifikuara. Ndërkohë që pohohet se spitalet ende nuk janë pajisur me medikamente dhe se vazhdon të vuajnë krizën e disa muajve më parë. Ndërkohë që nga muaji qershor e deri më tani në këtë spital po kryhen vetëm operacionet në urgjencë dhe jo ato të planifikuara.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›