E Diel, 1 Nëntor 2026

Kledi Ademi “Deri në dhjetor nuk do të ketë asnjë mbivendosje”

Në një intervistë për “standard”, drejtori i ZRPP-së Durrës, Kledi Ademi, ka treguar problematikën e fluksit të verës në sportelet e institucionit të tij, mbivendosjet dhe miratimin e nenit 24/b. Ademi shprehet i sigurt se “problemet e mbivendosjeve do të marrin shumë shpejt një zgjidhje ligjore”

Si u mbyll fluksi i këtij sezoni veror?

Mund të them se u përballua me sukses, pasi në sportelet tona nuk u vunë re dyndje apo radhë. Punonjësve të zyrës iu kërkua rritja e performancës së tyre në drejtim të komunikimit ndaj qytetarëve, si dhe rritja e rendimentit në punë, pasi dihet që qytetarët duan të gjithë të mbarojnë punë brenda ditës. Mund të them se jam i kënaqur në këtë drejtim, sigurisht me rezervën se mund të bëhet më shumë. Motivi ynë mbetet “Zbatimi i ligjit dhe korrektësi ndaj qytetarit”, kush nuk është gati ta zbatojë le të ikë nga ky institucion.

Një tjetër shqetësim mbetet për ju mbivendosja e pronave në Durrës, duke ditur se zona urbane mbetet problematike, si po veproni?

Pas Tiranës, mendoj se Durrësi mbetet qyteti me problemet më të shumta në mbivendosjet e pronave, pasojë kjo e punës së paraardhësve të mi, vendimeve të pabaza të gjykatave dhe organeve të tjera të shtetit, që kanë abuzuar gjithë këto vite. është e vërtetë se zona urbane është problematike. Numri i rasteve të paraqitura në ZVRPP Durrës për fillimin e procedurës së fshirjes në bazë të nenit nr. 10 të ligjit Nr. 7843. dt 13/07/94 është rreth 60, kurse numri i rasteve të përfunduara deri tanimë është 20, numri i rasteve për të cilat po bëhet hetim administrativ është 33. (Në bazë të ligjit jemi të detyruar që përpara se Kryeregjistruesi të marrë vendim për fshirje, zyrat vendore duhet të konfirmojnë të gjithë titujt e pronësisë të regjistruara në ZVRPP, të cilat kanë krijuar mbivendosje. Theksoj se ky është një proces i vështirë, dhe se krijon pakënaqësi në popull, por ne jemi të vendosur në zbatimin rigoroz të ligjit. Mendoj se me punën intensive që kemi nisur, shumë shpejt ndoshta nga dhjetori, të gjitha mbivendosjet e pronave do të kenë fatin e mirë të marrin zgjidhje ligjore.

Si po zbatohet nga ju neni 24/b në zyrën e Durrësit?

Tanimë mund të them se neni 24/b ka lehtësira të mjaftueshme, për qytetarin si procedurë maksimalisht zgjat 45 ditë (pune). Dokumentet që qytetari duhet të paraqesë janë: 1 - origjina e pronës, ku në të cilën të mos jetë e përcaktuar sipërfaqja, 2 – kërkesë me shkrim drejtuar regjistruesit, 3 – plan-rilevimi nga ing. topograf i licencuar, 4 - deklaratat e kufitarëve, qofshin këta individë, shtet, bashki, njësi shërbimi etj., 5 - skicë e vjetër e pronës që do të regjistrojë, të cilën mund ta marrë në arkivën e institutit të ndërtimit. Me plotësimin e këtyre dokumenteve në zyrë, më lind e drejta që të ngre grupin e punës dhe pas afishimit 45-ditor, të bëjë të mundur regjistrimin e pronës. Theksoj se kjo procedurë bëhet vetëm për zonat që nuk janë në sistem, ndërsa për zonat e azhornuara për të cilat kanë dalë në afishim pasuria, atëherë qytetari pajiset brenda 5 ditëve me certifikatë. Vetëm duke paraqitur në ZRPP dokumentin e origjinës së pronës. Për sa u përket deklaratave me kufitarët, dua të qëndroj dhe të sqaroj qytetarët për disa keqkuptime që po na dalin në rastet kur kufitar është Bashkia Durrës. Nënvizoj se ne duam deklaratat me kufitarët dhe se nuk është detyrë e jona që për çdo kufitar të çojmë konfirmime, po kështu dhe në rastin kur kufitari është bashkia. Miratimi i 24/b ka rritur gjithashtu gatishmërinë maksimale nga në zgjatjen e orarit të punës nga personeli ynë, duke kërkuar shkurtimin e afateve kohore për qytetarin. Pra gjithçka për ligjin, gjithçka për qytetarin. Në respekt të tij dhe ligjit, ZRPP Durrës ka afishuar në ambientet e institucionit saj edhe numrat nga ku qytetari mund të telefonojë pa pagesë ndaj çdo sjelljeje arrogante dhe afere korruptive që mund t’i bëhet nga zyrtarë të shtetit. Së shpejti një tjetër bashkëpunim i frytshëm për ne do të jetë edhe ai me ALUIZNI-n, lidhur me hipotekimin e pronave të legalizuara nga ai institucion.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›