E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis Ramazani, Selim Muça uron besimtarët

Ditën e sotme ka nisur Muaji i Ramazanit, muaji më i rëndësishëm për të gjithë besimtarët myslimanë. Për këtë rast, kryetari i Komunitetit Mysliman shqiptar, Selim Muça, uroi dje të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë, duke vlerësuar se "qëllimi i Ramazanit është të tentohet vlerësimi i këtij Muaji të begatë, në arritjen e kënaqësisë së Zotit dhe në formimin e një bashkësie me vlera të shëndosha njerëzore". Ai theksoi se "ky Muaj na nxit të jemi gjithmonë të gatshëm që të bëhemi më humanë dhe më të afruar me njerëzit në nevojë". Ramazani është muaji i nëntë i vitit sipas kalendarit të Hixhretit. Ajo që e dallon këtë muaj, është agjërimi, të cilin e kryejnë të gjithë besimtarët e botës islame. Në përfundim të këtij muaji një miliard myslimanët e botës festojnë festën e Eid al-Fitr (Bajramin e Madh). Komuniteti Mysliman shqiptar, i cili vite më parë e respektonte në mënyrë të fshehtë muajin e shenjtë të Ramazanit, tashmë e mban atë në mënyrë të vullnetshme.

Godo: Të rriten pagat, që të ulet korrupsioni

Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka akuzuar edhe njëherë punonjësit e sistemit të shëndetësisë, duke e cilësuar korrupsionin si një fenomen të pamohueshëm në shëndetësi. Ajo deklaroi dje, gjatë paraqitjes së analizës 7-mujore të qeverisë se është e vendosur për të luftuar korrupsionin në shëndetësi, duke nënvizuar se "korrupsioni mbetet një fenomen, për të cilin të gjithë jemi të vetëdijshëm se ekziston, në nivele e forma të ndryshme".

Për të zgjidhur këtë problem, sipas ministres Godo, nevojitet një sistem i mirë pagash. “Një politikë më e mirë e pagave, përdorimi më me efektivitet i të ardhurave dytësore, ndryshimi i mekanizmit të financimit të shërbimeve shëndetësore, ndërhyrje reformuese në sektorin farmaceutik, auditim i rreptë e i vazhdueshëm i proceseve tenderuese e prokuruese, do të përbëjnë bazën e luftës kundër korrupsionit”, – deklaroi ministrja.

Ndërkohë një pjesë të rëndësishme të analizës përfshinte edhe infrastruktura. “Aktualisht po punohet për përfundimin e fazës së parë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, e cila pritet të përfundojë në mars 2009”, – tha ministrja. Sipas saj, po punohet gjithashtu për fazën e dytë të spitalit të Durrësit, fazën e tretë të spitalit të Shkodrës, si dhe për ndërtimin e spitalit të Kavajës, ku po punohet për të arritur afatet.

Ndërkohë në këtë analizë, ministrja Godo vlerësoi punën e bërë me rikonstruksionin e spitalit të Sanatoriumit, i cili tashmë është shndërruar në spital të Tiranës, rikonstruksionin e Shërbimeve të Neurokirurgjisë dhe Pediatrisë në QSUT, duke cilësuar se tashmë ka përfunduar rikonstruksioni i plotë i Shërbimit të Psikiatrisë në QSUT.

Për sa i përket skemës e sigurimeve të kujdesit shëndetësor, ministrja nuk pohoi rritjen e përfolur të kontributit të sigurimeve, duke u përgjigjur se “po punohet për konsolidimin e financimit të kujdesit parësor, me qëllim përdorimin me sa më eficiencë të fondeve”. Në analizën e punës 7-mujore të Ministrisë së Shëndetësisë, Godo ka pohuar se për këtë qëllim, dikasteri që drejton synon, futjen në axhendën parlamentare të një sërë ligjesh të rëndësishme për mbarëvajtjen e këtij sektori. Ajo kujtoi me këtë rast se "me asistencë të ekspertëve të Bankës Botërore, janë përfunduar dy ligje bazë të shëndetësisë, ligji “Për Kujdesin Shëndetësor” dhe ligji “Për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor”, të cilët janë në procesin e miratimit". Sipas znj. Godo, ndryshimet në ligjin e shërbimit farmaceutik, si dhe ndryshimet në procedurën e licencimit të aktivitetit privat, janë në plan për t’u diskutuar në Kuvendin e Shqipërisë gjatë muajit shtator, ndërkohë që po punohet për përgatitjen e ligjit të Shëndetit Publik.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›