Gjimnazistët dhe nxënësit e Tiranës i bashkohen fushatës sensibilizuese kundër dhunës, të ndërmarrë nga Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.
Fushata sensibilizuese kundër dhunës, ndërmarrë nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë u zhvillua sot në një audiencë të veçantë, me qindra fëmijë të shkollave nëntëvjeçare dhe gjimnazistë të kryeqytetit.
Aktiviteti me të rinjtë me slloganin Njëzëri ti themi dhunës JO u mbajt në sallën e Parlamentit, me rastin e ditës ndërkombëtarë kundër dhunës, 25 Nëntor 2009.
I organizuar në një performancë të veçantë artistike, aktiviteti kishte si qëllim të përcillte mesazhin rinor kundër dhunës së çdo forme ndaj fëmijve, si dhe brenda familjes, për ti hapur rrugë tolerancës dhe mirëkuptimit.
Në përshëndetjen e saj ,Kryetarja e Kuvendit e vlerësoi si shumë të veçantë aktivitetin me të rinjtë e kryeqytetit për të përcjellë mesazhin kundër dhunës,
Dashuri dhe jo dhunë, ky është aksioni ku unë ftoj sot të gjithë të rinjtë, optimizmi i të cilëve tek e nesërmja është më i madh se i çdokujt tjetër.
Dhe një e nesërme ku respektohen vlerat e barazisë , demokracisë dhe të jo dhunës, besomëni është shumë më e bukur - u shpreh Kryetarja e Kuvendit.
Mesazhin e edukatorëve dhe mësuesve të Tiranës, e përcolli arsimtarja Anila Alliu
Kam kënaqësinë të përgëzoj Kryetaren e Kuvendit për këtë fushatë sensibilizuese kundër dhunës dhe në mbrojtje të dinjitetit të gruas e personalitetit të saj.-tha zonja Alliu
Mësuesja Alliu tha se "ka ardhur koha që të gjithë sëbashku në emër të ligjit me vepra dhe jo fjalë të punohet për një shoqëri të lirë e pa dhunë.
Në emër të prindërve dha mesazhin për të rinjtë, këngëtarja e mirënjohur Manjola Nallbani .
Çdo brez nga ne ka luftuar për një botë pa dhunë, por sot ju keni privilegjin e veçantë që gjendeni në këtë sallë dhe me përkrahjen e Kryetares së Kuvendit ta përcillni këtë mesazh, më fort dhe më thellë në mentalitetin e njerëzve.
Për ju ky takim do të mbetet gjatë në kujtesë, si një ngjarje e rëndësishme për një mision shumë fisnik të gjithë kundër dhunës.
Mesazhin kundër dhunës, nxënësit e Liceut Artsitik e përcollën nëpërmjet një ekspozite me piktura në kavaleta, që ishin vendosur në sallën e Kuvendi, e titulluar Unë një tjetër zë kundër dhunës, si dhe me pjesë orkestrale nga të kompozitorëve të njohur.
Gjatë aktivitetit, Kryetarja e Kuvendit iu përgjigj interesimit të madh të të rinjve, për legjislacionin në mbrojtje të fëmijve dhe rolit të saj si Kryetare e Kuvendit në fushatën sensibilizuese kundër dhunës ndaj fëmijve dhe në familje.
Kryetarja e Kuvendit ndau dhe tri çmimet e para për nxënësit e Liceut Artistik në ekspozitën e pikturës që ata organizuan gjatë kësaj seance të veçantë.