E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjimnazistët grabisin turistet

 

DURRES/ OERD ULQINI

Tre minorenë durrsakë janë vënë në pranga, pasi kanë grabitur me dhunë dy shtetase gjermane, anëtare të një shoqate të njohur animaliste.
Vetëm pak orë pas identifikimit, policia ka realizuar me sukses operacionin e koduar “Apollonia”. Grabitja ka ndodhur nën kërcënimin e armëve të zjarrit dhe shtetaset gjermane nuk kanë bërë asnjë lloj rezistence, duke u dorëzuar minorenëve gjithçka që kishin me vete. E.S., 17 vjeç, A.M., 16 vjeç dhe A.D., 15 vjeç, respektivisht nxënës të shkollave “Vëllezërit Kajtazi” dhe “Gjergj Kastrioti” të Durrësit, u kanë vjedhur me dhunë mbrojtësve të kafshëve një kamerë, një celular, 200 dollarë, 30 mijë lekë si dhe një pasaportë gjermane. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, në sektorin “Apollonia” të Plazhit të Durrësit, në kohën kur turistët gjermane kishin dalë për shëtitje në breg të detit. Mbi bazën e kallëzimit të bërë në Policinë e Durrësit nga këto dy shtetase u bë organizimi i punës në drejtim të zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimit të autorëve të saj, duke çuar në kohë rekord ndalimin e tyre. Në cilësinë e provës materiale u bllokua një armë zjarri automatik, model 56 i kalibrit 7,62 mm, dy krehra automatiku me nga 30 fishekë secili, një videokamerë digitale tip “Sony”, një aparat telefonik celular dhe një kartëmonedhë 200 dollarëshe. Nga ana e policisë u kryen veprimet e nevojshme procedurale dhe materialet e para hetimore për veprën penale të “vjedhjes me dhunë në bashkëpunim” iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës. Tre adoleshentët durrsakë nuk kishin pasur në të shkuarën asnjë precedent penal. Momentalisht ata janë të ndaluar nga policia e Durrësit. Ata ishin shokë të ngushtë dhe banorë të së njëjtës lagje në zonën e plazhit. Pas furnizimit të të dhënave nga gjermanet, hetuesit kanë identifikuar në kohë të shpejtë grabitësit e mitur, pasi përshkrimi fizik i tyre ishte tepër i saktë. Asnjëri prej tyre nuk ka marrë pronësinë e armës automatike me të cilën janë kërcënuar animalistet. Arma “model 56” dhe pjesa e mbetur e sendeve të grabitura, janë gjetur të fshehura në një kabinë të braktisur plazhi. Arma luftarake e bllokuar po i nënshtrohet një akt-ekspertimi të hollësishëm për të parë gjurmë gishtash apo të dhëna të tjera teknike. Grabitja është kryer rreth orës 20:00 kur në plazh kishte pllakosur errësira. Nuk dihet ende shkaku që i shtyu adoleshentët drejt një akti të tillë, pasi ata kishin një gjendje të mirë ekonomike në shtëpi. Ndërkohë adoleshentët kanë pranuar grabitjen, por pa treguar rrethana të tjera mbi ngjarjen. Dy prej tyre E.S., dhe A.M., studionin në gjimnazin privat, ndërsa tjetri në një prej gjimnazeve më në emër të Durrësit. Gjermanet kishin mbërritur në Durrës që prej një jave, ku ishin akomoduar në një prej hoteleve të qytetit bregdetar.

Vidhnin hekur, plagosin rojën dhe qenin
KORÇE - Tre hajdutë të hekurit qëllojnë me thikë qenin e një pike grumbullimi hekurishtesh e dhunojnë rojën e saj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 03:00 të ditës së djeshme në pikën e grumbullimit, në lagjen Radanec të Korçës. Namik Zaçe, 42 vjeç, banor i fshatit Gradishtë në rrethin e Fierit, Gentian Shkëmbi, 30 vjeç dhe Robert Xoxe, 32 vjeç, të dy banorë të kësaj lagjeje kanë shkuar për të vjedhur hekur pikërisht në njërën nga pikat e grumbullimit të tyre. Ata kanë tentuar të shqyenin derën e murit rrethues me mjete të forta, por shumë shpejt janë gjendur të sulmuar nga qeni i rojës së objektit. Njëri prej vjedhësve i është përgjigjur me goditje thike deri sa e ka rrëzuar përtokë të plagosur rëndë. Më pas ata kanë shqyer drynin dhe kanë hyrë brenda. Roja i pikës së grumbullimit ka dalë nga vendqëndrimi i tij dhe është munduar t’i zmbrapsë. Tre vjedhësit jo vetëm që nuk janë larguar por kanë filluar të dhunojnë edhe rojën, duke e kërcënuar se do ta vrisnin. Ky i fundit ka thirrur për ndihmë, duke bërë që shumë shpejt në vendngjarje të shkojë policia. Zaçe dhe Shkëmbi janë arrestuar në flagrancë, ndërsa Xoxe arriti të largohej.              j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›