Panik në muzeun e armëve, shkrehet padashur pushka mes 60 nxënësve
VLORE - Panik në muzeun historik të Vlorës në Ditën e Trashëgimisë Kulturore. Një shkrehje e papritur arme në ambientet e muzeut vuri në alarm e panik dhjetëra vizitorë. Ngjarja ndodhi dje paradite, ndërsa protagonistë të kësaj situate u bënë rreth 60 nxënës të shkollave të Vlorës. Ata kishin shkuar për vizitë në muze bashkë me mësuesit e tyre. Ndërkohë, janë ndodhur në vend edhe dhjetëra turistë nga Kosova, të cilët kanë preferuar të vizitojnë muzeun historik. Një nga punonjësit e qendrës së monumenteve, bashkë me vizitorët është ndaluar te vendi i ekspozimit të armëve në muzeun historik. Ndërsa iu shpjegonte armët, punonjësi ka mbushur një pushkë të vjetër italiane duke u treguar fëmijëve kureshtarë se si funksiononte. Por papritur, nga një pakujdesi e punonjësit që kishte pushkën në dorë, arma bën shkrehje të pavullnetshme. Për fat të mirë, plumbi ka zënë vetëm murin, duke shmangur ndonjë ngjarje të rëndë, përveçse janë trembur vizitorët. Kjo ngjarje është konsideruar aksidentale dhe mësohet se policia nuk ka marrë asnjë masë ndaj punonjësit të muzeut. Muzeu i Vlorës ka 50 armë të luftës së parë dhe të dytë botërore, mes të cilave mitraloza, pistoleta, pushkë, topa, etj. q.b