E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama: “Shmangëm ndikimet politike në hetimet për Gërdecin”

Autori i Lajmit: red.
Pas akuzave të shumta të bëra në drejtim të Prokurorisë për mangësi në hetimet për tragjedinë e Gërdecit, ka ardhur edhe reagimi i Kryeprokurores Ina Rama, e cila ka mohuar çdo detaj që ka dalë në dritë pas hetimeve. Në një konferencë për shtyp ajo ka pohuar se për Gërdecin janë bërë hetime konform ligjeve dhe është shmangur në maksimum ndikimi nga politika. Gjithashtu, Rama ka mbrojtur edhe vartësit e saj, duke theksuar se është bërë një punë shumë e mirë për zbardhjen e ngjarjes. Por kjo gjë nuk ndodh brenda administratës së Prokurorisë, pasi vetëm pak ditë më parë Kryeprokurorja ka mbledhur grupin e hetimit të Gërdecit dhe i ka kërkuar llogari për dokumentacionin e bërë publik nga mediat, dhe që prokurorët nuk kishin arritur ta siguronin për shkak të neglizhencës.
Reagimi
Duke u nisur nga publikimi ditët e fundit të disa akteve në media, si dhe komenteve që janë bërë rreth punës së Prokurorisë në ndjekjen penale, të procedimit penal nr. 3, të vitit 2008, që lidhet me ngjarjen e 15 marsit 2008 në Gërdec, Vorë. E ndiejmë për obligim që të sqarojmë publikun se, në ndjekjen penale të këtij procedimi, Prokuroria ka realizuar një procedim të drejtë, të barabartë dhe të rregullt ligjor, duke angazhuar kapacitetet më të mira profesionale dhe duke shmangur çdo përpjekje për ndikim dhe presion politik. Prokuroria ka hetuar, analizuar dhe ngritur akuzë në gjykatë për çdo fakt kriminal që ka evidentuar se ka lidhje me këtë ngjarje. Kështu, për sa bëhet fjalë në media, Prokuroria ka ngritur akuzë në gjykatë në ngarkim të ish-zyrtarëve të lartë ushtarakë dhe civilë, të cilët në shkelje të ligjit dhe në mospërmbushje të detyrës, kanë urdhëruar lejimin e subjekteve private, të prishin objekte në inventarin e pronës në Gërdec, të kryenin punime për ndërtimin e strukturës së përkohshme industriale dhe të administronin këtë pronë. Prokuroria ka ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale penale të nevojshme, ndaj pasurive të të pandehurit Mihal Delijorgji, sapo është vënë në dijeni të aseteve apo përqindjes së aksioneve të tij në shoqëritë ku ai është aksioner.
Akuzat
Kohët e fundit kanë dalë në skenë disa dokumente ku tregohet se firma e Mihal Delijorgjit dhe e vajzës së Fahri Balliut ka ndërtuar fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec. Në bazë të dokumentacionit që disponohet pranë QKR, vihet në dukje se Prokuroria nuk ka bllokuar këtë firmë ndërtimi që ka filluar prishjen e repartit të tankeve në Gërdec për të ndërtuar më pas fabrikën e “vdekjes”. Këto akuza të hedhura nga mediat për neglizhencë të Prokurorisë kanë bërë që sot kreu i organit të akuzës të dalë në një konferencë për shtyp dhe të mohojë mangësitë që kanë pasur hetimet. Përveç dokumenteve ku tregohet se firma e Delijorgjit, e pabllokuar, ka kryer punimet në Gërdec, në skenë kanë dalë edhe disa dokumente të tjera që tregojnë se kjo firmë ka ushtruar aktivitetin vetëm në bazë të një urdhri verbal të dhënë nga gjeneral Shpëtim Spahiu. Këto dokumente nuk janë sekuestruar asnjëherë nga ana e Prokurorisë, pasi edhe në QKR, kjo firmë vazhdonte të ishte e zhbllokuar, madje vetëm pas daljes së skandalit u bë edhe ndryshimi i bashkëpronarëve. Gjithashtu, ky detaj plotësohet edhe nga fakti se bashkëpronarët e kësaj firme nuk janë marrë asnjëherë në pyetje nga organi i akuzës, edhe pse janë arkitektët e vërtetë të Gërdecit.

Prokuroria ka hetuar, analizuar dhe ngritur akuzë në gjykatë për çdo fakt kriminal që ka evidentuar se ka lidhje me këtë ngjarje.
Ky lajm është publikuar: 16/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›