E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani kërkon rishikimin e ligjit për faljen e të burgosurve

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, i ka kërkuar kryeministrit Berisha dhe ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, rishikimin e ligjit për faljen e të burgosurve, pasi sipas tij, ky ligj ka shumë mangësi. Në rekomandimin e bërë nga Dobjani theksohet se “Pranë institucionit të Avokatit të Popullit vitin e fundit janë shtuar shumë kërkesat për falje nga të burgosurit që vuajnë dënimin për vepra te ndryshme penale në burgjet shqiptare. Objekti i këtyre kërkesave është që institucioni i Avokatit të Popullit të bëjë propozim për secilin prej tyre pranë Presidencës për faljen e pjesshme apo të plotë të pjesës së mbetur të dënimit të tyre. Kjo është edhe një nga arsyet pse na dërgohen kërkesat e tyre për falje”.
Kërkesa
Sipas Dobjanit, miratimi i një ligji të ri bashkëkohor do të ishte një hap i rëndësishëm, sidomos për të siguruar transparencën e duhur nga autoritetet përkatëse, për të mos u lënë vend edhe komenteve abuzive të përdorura vitet e fundit.
Ligji aktual është i përbërë gjithsej me vetëm 5 nene dhe nuk përmban shumë elemente thelbësore që duhet të ketë një ligj i rëndësishëm për legjislacionin shqiptar. Në asnjë prej neneve të këtij ligji nuk përcaktohen kriteret që duhet të plotësojë çdo i dënuar për të pasur të drejtën e faljes, siç mund të jenë lloji i veprës penale, mosha, gjinia, gjendja shëndetësore, familjare etj.
Avokati i Popullit mendon se një ligj i ri për faljen duhet të përcaktojë në mënyrë të detajuar shumë elemente të tjera. Aktualisht, rregullimi ligjor i së drejtës së ushtrimit të faljes bëhet nga neni 92/b i Kushtetutës së Republikës që përcakton se “Presidenti ushtron të drejtën e faljes sipas ligjit” si dhe nga neni 70 i Kodit Penal që përcakton se “Me aktin e faljes organi kompetent përjashton tërësisht apo pjesërisht personin nga vuajtja e dënimit të dhënë me një vendim gjyqësor ose bën zëvendësimin e dënimit me një lloj dënimi më të butë”, si dhe nga ligji nr. 6299.
Ndryshimet
Në kërkesën e Dobjanit është kërkuar rishikimi i disa pikave kryesore. Së pari, subjektet që kanë të drejtë të bëjnë propozimin të përcaktohen konkretisht dhe shprehimisht, duke pasur parasysh ato autoritete të cilat janë më afër halleve të popullit dhe që njohin më nga afër gjendjen ekonomiko-shoqërore të të dënuarve apo familjeve të tyre. Të tillë janë: Kryetarët e bashkive dhe komunave ku ka vendbanimin i dënuari, deputeti i zonës elektorale, Avokati i Popullit, organizatat joqeveritare në mbrojtje të të drejtave të njeriut që ushtrojnë aktivitet human dhe jofitimprurës, shërbimi i provës etj. Konkretisht, në nenin 2 të ligjit nr 6299, datë 27.03.1981 përcaktohen në mënyrë të përgjithësuar organet që kanë të drejtë të bëjnë propozim për falje janë: “Këshilli i Ministrave, ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, organet qendrore të organizatave shoqërore, organet e pushtetit lokal, gjykatat, prokuroritë, organet e rendit dhe organizatat shoqërore…”. Së dyti, kriteret që duhet të plotësojë një i dënuar për të pasur të drejtën e faljes pjesërisht apo tërësisht. Ne mendojmë se veç llojit të veprës penale, për faljen e një të dënuari duhen pasur parasysh edhe profili i tij personal si koha dhe mënyra e kryerjes së veprës, mosha, gjendja shëndetësore e tij, koha e mbetur e dënimit, gjinia e tij, marrëdhëniet me të dëmtuarin ose familjen e tij, sjellja e tij në vendin e vuajtjes së dënimit, rrethanat familjare, integrimi i tij etj.

Përcaktimi i afateve problem i ligjit aktual
Së katërti, procedura e shqyrtimit duhet të jetë e përcaktuar shprehimisht në ligj dhe më pas njoftimi zyrtar që institucioni i Presidencës duhet të japë për miratimin ose jo të faljes. Aktualisht, pas përgatitjes së materialit nga ana e zyrës përkatëse në institucionin e Presidencës, është zgjedhje e Kreut të Shtetit se kur dhe si e ushtron këtë të drejtë. Kjo, ndoshta, krijon një vonesë në përgjigjen zyrtare që ky institucion duhet të japë për miratim ose jo të propozimit. Mendojmë që të vendoset një afat kohor i arsyeshëm për dhënien e një përgjigjeje që mund të jetë jo më shumë se gjashtë muaj nga data e aplikimit. Ky afat mendojmë se është më se i mjaftueshëm edhe për shqyrtimin e kërkesave për informacione shtesë që mund të kërkojë institucioni i Presidencës nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për dinamiken dhe sjelljen e çdo të dënuari në vendin e vuajtjes së dënimit apo nga institucione të tjera.
Ky lajm është publikuar: 16/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›