Gjinushi: E majta do fitojë, sepse dëshiron ndryshimin
Partia Socialdemokrate ka nisur takimet për fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të qershorit. Ashtu si PS-ja, edhe kreu i kësaj partie, Skënder Gjinushi, ka bërë kryefjalë të fushatës fjalën ndryshim, simboli i fitores së Presidentit amerikan, Obama. “Zgjedhjet e 28 qershorit do të jetë fitorja e së majtës, sepse do të fitojë ndryshimi”, - është shprehur Gjinushi në një takim me bazën në Pogradec, Ersekë dhe në Qarkun e Korçës. Sipas Gjinushit, të majtët nuk mashtrohen me parti pazaresh, një thumb ky drejtuar Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kreu i PSD-së gjithashtu u shpreh se Partia Socialdemokrate është një forcë në rritje dhe gjithashtu është forca e tretë politike në Qarkun e Korçës. Sa për qeverinë, kreu i PSD-së vuri në dukje se ajo është në konflikt me Bankën Botërore, SHBA-në dhe BE-në, në mbrojtje të korrupsionit.
Kodheli: Qeveri-bashki, dallimet për hartimin e buxhetit
Selia rozë akuzoi dje qeverinë shqiptare për mungesë transparence në hartimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit. Në kulmin e krizës që ka përfshirë Këshillin Bashkiak të kryeqytetit, zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, tha se buxheti i bashkisë është më transparenti, edhe pse dy forca politike në këtë këshill e akuzojnë kryebashkiakun se nuk ka bërë zbardhjen e investimeve. Referuar raportit të OBI-t, Kodheli theksoi se hartimi i buxhetit të qeverisë së Shqipërisë, sipas ekspertëve të OBI, bëhet jashtë çdo standardi ballkanik e jo më evropian. “Asnjë transparencë për buxhetin e shtetit nuk bëhet nga qeveria, 7 transparenca, një për çdo vit, janë realizuar për buxhetin e Tiranës, asnjë dëgjesë publike me qytetarët për buxhetin e shtetit, 33 dëgjesa publike për buxhetin e Tiranës, asnjë informacion mbi projektet e miratuara nga qeveria, informacion një herë në çdo 6 muaj për qytetarët e Tiranës”, - tha Kodheli. Sipas saj, kriteret e OBI-t e rendisin Shqipërinë në grupin IV me 37 pikë, jashtë shoqërisë ballkanike që ndodhet në grupin III dhe në shoqëri me Azerbajxhanin, Mongolinë, Tanzaninë etj. “Thënë ndryshe, as që bëhet fjalë për Evropën e për standardet evropiane në hartimin e buxhetit të shqiptarëve nga ana e koalicionit qeveritar të prapambetjes e të kokëfortësisë provinciale, që na qeveris me papërgjegjshmërinë më shembullore”, - deklaroi ajo.