Murati: PLL, asnjë lidhje me LZHK-në
Partia Lëvizja e Legalitetit hedh poshtë të gjitha insinuatat në adresë të këshilltarëve të saj në Këshillin Bashkiak të Tiranës lidhur me votimin e buxhetit të saj. Besnik Murati, sekretari organizativ i kësaj partie, tha se Partia Lëvizja e Legalitetit nuk ka asnjë lidhje me votimin në Këshillin Bashkiak të Tiranës për buxhetin e vitit 2009. “Çdo hamendësim që kërkohet të hidhet ndaj PLL-së për votimin pro buxhetit të këshilltarit të LZHK, është i pavërtetë dhe dashakeq. Në zgjedhjet për pushtetin vendor të 18 shkurtit, Partia Lëvizja e Legalitetit ka qenë pjesë e koalicionit me Partinë Demokratike. Të zgjedhurit e PLL-së në pushtetin vendor, qofshin këta kryetarë bashkie apo komunash, kryetarë të këshillave apo këshilltarë të thjeshtë, janë shquar për qëndrimin e tyre korrekt ndaj interesave të komunitetit, programit të PLL-së dhe detyrimeve të koalicionit”, - tha Murati. Lidhur me LZHK-në, Murati sqaroi se PLL është shkëputur nga koalicioni dhe pas kësaj shkëputjeje të PLL-së, NMT Leka I, ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se nuk ka asnjë lidhje me atë strukturë politike që vazhdonte të mbante emrin LZHK. “Në këtë kuptim, NMT Leka I dhe Partia Lëvizja e Legalitetit nuk kanë asnjë përgjegjësi për qëndrimet politike të së ashtuquajturës LZHK”, - tha ai.