E Shtunë, 31 Tetor 2026

Varroset në Nju Jork ish-ambasadori Lublin Dilja



Qindra bashkatdhetarë përcollën për në banesën e fundit ish-ambasadorin e Shqipërisë në SHBA, diplomatin Lublin Dilja, i cili ndërroi jetë një javë më parë në moshën 51-vjeçare. Qindra bashkatdhetarë, politikanë, afaristë, veprimtarë, artistë, shkrimtarë, studentë dhe njerëz të thjeshtë, nga Nju Jorku, Uashingtoni, Nju Xhersi, Pensilvania, Kenektiket, Bostoni e tjerë, u mblodhën në shtëpinë mortore "Walter B. Cooke Funeral Home", për të përcjellë trupin e pajetë të ambasadorit Lublin Dilja, i rrethuar nga dhjetëra kurora e buqeta me lule të freskëta. Të gjithë njerëzit lanë një shënim në librin e zisë, si dhe kaluan për një çast në heshtje, duke u përkulur përpara arkivolit me trupin e tij që t'i shprehnin, edhe një herë para ndarjes, gruas së tij dhe dy fëmijëve që qëndronin përball arkivolit, respektin dhe të zëvendësonin fjalët e dhimbjes për ndarjen e tij nga jeta. Gjatë rrugës për në "banesën" e fundit, vargu i gjatë i makinave në krye me arkivolin, kaloi shumë afër për herë të fundit, përpara godinës së Misionit të Përhershëm të Kombeve të Bashkuara, dhe godinës "pallatit të Qelqtë" së OKB-ës, ku nga viti 2002 e deri në fund të jetës (1 shkurt 2009), ai ishte Ministër Fuqiplotë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë OKB-së dhe zëvendëspërfaqësues i këtij Misioni. Të enjten trupi diplomatik i shteteve të akredituara pranë Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, bëri homazhe dhe la shënime në librin e zisë. Ambasadori Lublin Dilja me kërkesë të familjes e varrosë të shtunën në Nju Jork.

Më 1 shkurt 2009, vdiq në një spital të Nju Jorkut, pas një sëmundjeje të rëndë ambasadori Dilja. Lublin Dilja lindi në Elbasan më 10 tetor të vitit 1957, ku kaloi edhe vitet e fëmijërisë. Shkollën e lartë ai e kreu në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, dega anglisht. Pasi përfundoi shkollën, në vitin 1980, ai punoi fillimisht si mësues i gjuhës angleze. Më pas kreu disa kualifikime pasuniversitare për psikologji-pedagogji, si dhe kurse për diplomacinë në Shtetet e Bashkuara, në Britani e Itali. I ndjeri ka pasur një karrierë të spikatur si profesor në Universitetin e Tiranës dhe atë të Elbasanit dhe si punonjës shkencor në Institutin e Pedagogjisë dhe të Psikologjisë. Ai kishte titullin “Doktor i Shkencave”. Nga viti 1993 deri në 1997, Lublin Dilja ishte ambasador i Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara. Në shtator të vitit 2001 ai u zgjodh deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë. Nga viti 2002 e deri në fund të jetës, ai ishte Ministër Fuqiplotë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë OKB-së dhe njëkohësisht zëvendëspërfaqësues i këtij misioni. Lublin Dilja lë pas vetes gruan Nora dhe dy djem, Luarad dhe Kevin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›