E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjinushi: E majta u keqdrejtua dhe u shit

Humbja e zgjedhjeve të 28 qershorit po përçan edhe më shumë të majtën, e cila dita-ditës shton dhe përforcon deklaratat kundër PS-së. Dje ka qenë kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, i cili gjatë një komunikimi me mediat deklaroi se PS-ja i ka vjedhur votat PSD-së dhe ka synuar asgjësimin e kësaj force politike, duke bërë thirrje që të mos votojnë socialdemokratët, sepse votonin për Berishën në pushtet. Por, tha Gjinushi, tashmë u vërtetua gjithçka, vota për Metën ishte votë për të mbajtur Berishën në pushtet. Kreu socialdemokrat akuzoi kryetarin e LSI-së, Meta, se u shit te Sali Berisha, pasi ky i fundit, theksoi Gjinushi, nuk i ka fituar zgjedhjet. Sipas kreut të PSD-së, "Berisha është humbësi kryesor i zgjedhjeve përballë shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar, pasi humbi standardet zgjedhore, ka deformuar dhe manipuluar zgjedhjet dhe mbi të gjitha nuk ka marrë 71 mandate dhe nuk ka marrë as mbështetjen popullore". Po sipas gjykimit të Gjinushit, "zgjedhjet e majta nuk i fitoi, as nuk i humbi, pasi ajo u shit nga LSI-ja dhe u drejtua keq nga PS-ja". Për të veprimi më i fundit i LSI-së është një veprim i paravendosur, është një matrapazllëk politik që thellon krizën. Gjinushi tha se vendimi i marrë nga Meta "është një goditje që u bëhet vetë parimeve të demokracisë, sepse thuhet që në demokraci vendos sovrani, në Shqipëri, me lëvizjet e Xhuvelit dhe të Ilir Metës, nuk vendos më sovrani, vendos pelivani, pra votimet bëhen kot dhe Shqipëria është futur në rrethin viciozo-mafioz, ku një qeveri super e korruptuar tenton të blejë votat dhe të bëjë një fushatë të zhbalancuar, nuk arrin të fitojë mbështetjen e duhur dhe blen mandate nga Meta". Për Gjinushin, "zgjedhjet ishin jashtë standardeve, sepse 300 mijë shqiptarë nuk u pajisën me karta, sepse kartat ishin të pakontrollueshme dhe lejohej vota e shumëfishtë. KQZ-ja u tregua një militante e pakorrigjueshme, totalisht antiligjore; numërimi i votave është i deformuar dhe sondazhet u keqpërdorën etj". Të gjitha këto, tha Gjinushi, bëjnë që Shqipëria të mos e kalojë klasën, sepse standardet zgjedhore janë një kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe heqjen e vizave për shqiptarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›