Godet me dru 42-vjeçarin, policia prangos autorin
Godet me dru në kokë një 42-vjeçar, prangoset nga policia. Ngjarja ka ndodhur paraditen e së martës në qytetin e Durrësit. Burime zyrtare nga policia lokale bëjnë të ditur se 42-vjeçari, Xhelal Mëhilli është sulmuar nga Shkëlqim Cani, 36 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në lagjen nr. 14 të Shkozetit. Mësohet se viktima është shtruar në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Ushtarak në Tiranë pas goditjeve të forta që ka marrë, ndërsa policia e Durrësit ka arrestuar në flagrancë 36-vjeçarin Cani. Të njëjtat burime referojnë se paraditen e së martës, për motive të dobëta, Cani i ka dalë përpara shtetasit Xhelal Mëhilli dhe e ka goditur me dru në kokë dhe në pjesët e tjera të trupit, duke i shkaktuar plagë të mëdha në kokë dhe trup, duke e rrezikuar seriozisht jetën. Pas arrestimit ndaj Canit kanë nisur hetimet për veprën penale të plagosjes së rëndë me dashje, të parashikuar nga neni 88 i Kodit Penal.