E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy të rinj, në pranga për vjedhje

Dy të rinj, njëri nga Durrësi dhe tjetri në Fier, kanë rënë në prangat e policisë për akuzën e "vjedhjes". Kështu, burimet policore të qytetit bregdetar bëjnë të ditur se është prangosur në kushtet e flagrancës, Gerald Zenali, 18 vjeç, pasi mëngjesin e së martës ka vjedhur me thyerje, një market në plazhin e Durrësit, ku ka marrë një sasi prej 10.000 lekësh. Ndërkohë, ndaj 18-vjeçarit rëndojnë akuzat e disa vjedhjeve të tjera. Zenali ka qenë person i shpallur në kërkim në fillim të këtij muaji, pasi ishin siguruar prova se më 18 qershor në lagjen 17 të Durrësit ka vjedhur me thyerje një kancelari ku ka marrë një shumë prej 200.000 lekësh. Ndërkohë, më 4 korrik, në po këtë lagje të qytetit bregdetar ka vjedhur një bar-bufe, ka marrë sërish para dhe një magnetofon. Janë 4 vjedhje që rëndojnë mbi të riun e dënuar dhe më parë për të njëjtën vepër penale, atë të vjedhjes.

Ndërkohë, një 20-vjeçar nga Komuna Kurjan, në rrethin e Fierit është vënë në pranga, pak minuta pasi ai kishte realizuar vjedhjen e dy motoçikletave. Burimet zyrtare të Komisariatit të Policisë Fier bëjnë të ditur për gazetën "Shqip" se kanë arrestuar, në agimin e së mërkurës 20-vjeçarin Ilirjan Panahori, lindur e banues në fshatin Kurjan në komunën me të njëjtën emër në rrethin e Fierit. Panahori është arrestuar në qendër të qytezës së Roskovecit. Burimet policore tregojnë se mbrëmjen e së martës, Panahori ka udhëtuar nga fshati ku banon, për në drejtim të Roskovecit. Në një rrugë lagjeje të kësaj qyteze, 20-vjeçari ka marrë një motoçikletë të tipit "Yamaha" pa targa që i përkiste shtetasit I.Cjapi, të cilën e ka fshehur në një vend me shkurre, në rrugën që të çon për në fshatin Kurjan. Por 20-vjeçari nuk është mjaftuar me kaq. Dy orë më vonë, ka marrë një motoçikletë tjetër, në pronësi të shtetasit me inicialet A. Tanku. Ndërsa po çonte "prenë" e dytë, ai është pikasur nga policia, e cila e ka ndjekur dhe e ka prangosur në kushtet e flagrancës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›