Kërkohej për vjedhje, prangoset si prostitutë
Një e re nga Kukësi që kërkohej nga policia për vjedhje, është kapur duke ushtruar prostitucion për 500 lekë të reja. Papunësia dhe pamundësia për të siguruar të ardhura në një mënyrë tjetër e kanë kthyer Adelina M. 26 vjeçe nga fshati Novasej i Komunës së Shishtavecit në hajdute dhe më pas, prostitutë. Një ditë më parë, policia e Durrësit bëri arrestimin në flagrancë të saj pas kapjes në ambientet e hotel "Riviera" në Shkozet të Durrësit. Nga dëshmia e klientit të saj, po dhe e të arrestuarës, pagesa për një akt seksual midis tyre ishte vendosur 500 lekë. Pas ndalimit të 26-vjeçares, nga verifikimet e bëra rezultoi se e reja ishte në kërkim nga policia e Kukësit, pasi gjykata e këtij rrethi e kishte dënuar më datë 23 shkurt të këtij viti, me 9 muaj burg për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim. E ndërsa 26-vjeçarja do të dërgohet në qeli për të vuajtur dënimin e dhënë, ndaj saj në Prokurorinë e Durrësit pritet të nisë hetimi për ushtrim prostitucioni.