Shkon si "misionar pajtimi", kërcënon me armë të zotin e shtëpisë
Ka shkuar për të bashkuar shokun e tij me ish të fejuarën, prangoset nga policia pas kërcënimit me armë që i ka bërë familjes së vajzës. Ngjarja në fjalë ka ndodhur mbrëmjen e së martës, në periferi të Shkodrës, kur 26-vjeçari Florenc Kalvari, banues në lagjen "Daniel Matlia", kishte vendosur të pajtonte mikun e tij të ngushtë me vajzën që ai dashuronte, pas ndarjes së tyre pak ditë më parë. Por ndonëse në rolin e "misionarit të paqes", ai ka marrë me vetë një armë zjarri. Sapo ka mbërritur në banesën e ish të fejuarës së shokut, 26-vjeçari Kalvari ka nisur një debat me të zotin e shtëpisë, që mësohet se është shtetasi me inicialet D.G. I riu ka pretenduar bashkimin e tyre sërish, madje i ka kërkuar ta atit të vajzës që ta bënte një gjë të tillë. Duket se kërkesa e Kalvarit, nuk është pranuar nga babai i vajzës, duke i hapur rrugën kështu një debati në formë fyerjesh banale mes tij dhe mikut të paftuar. Burime nga policia bëjnë të ditur se pas grindjes me fjalë, Florenc Kalvari, ka kërcënuar me jetë D.G, duke i drejtuar armën e zjarrit. Duke parë se ngjarja po shkonte drejt përdorimit të armëve dhe gjakderdhjes, familjarët e vajzës që ndiqnin skenën, kanë mundur të lajmërojnë policinë, e cila ka shkuar brenda pak minutash në vendin e ngjarjes që ndodhej në periferi të qytetit, në lagjen "Dracin". Sapo ka parë makinën e policisë, agresori, i frikësuar, duke përfituar nga errësira është larguar me shpejtësi. Policia është vënë menjëherë në ndjekje të tij dhe brenda pak minutash, është bërë e mundur prangosja e tij si dhe sekuestrimi i automatikut, me të cilin ai kishte kërcënuar D.G-në, armë të cilën ai e mbante pa leje. Më pas familjarët e kërcënuar kanë bërë denoncim në polici ndaj agresorit, ndërkohë që uniformat blu kanë dërguar në Prokurorinë e Rrethit të Shkodrës të gjitha materialet hetimore në ngarkim të shtetasit Florenc Kalvari. Mësohet se akuzat që rëndojnë mbi të riun shkodran janë "kanosje serioze" dhe "armëmbajtje pa leje". Ndërkohë, mësohet se banesa e familjes që ka bërë denoncimin, po mbahet nën vëzhgimin e agjentëve të policisë me qëllim ruajtjen e tyre dhe parandalimin e ndonjë situate tjetër që mund të vërë në rrezik jetën e tyre.