E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Jo normale akuzat për korrupsion, nuk do të dalin pa pasoja



Askush nuk mund të dalë pa pasoja. Ky është paralajmërimi që ka dhënë kreu i shtetit në lidhje me akuzat për afera korruptive mes partive politike. Në një intervistë dhënë për gazetarin Alfred Peza në emisionin “Ora e Debatit” në stacionin televiziv “Ora News”, presidenti e ka konsideruar situatën jo normale dhe ka pohuar se prokuroria po vepron, në ndryshim nga sjella e mëparshme e këtij institucioni. Ai ka bërë apel për lënien e imunitetit nga deputetët, për ti hapur rrugën procedurave hetimore.

Zoti President, të jemi më konkretë. Si e vlerësoni ju konkretisht debatin që po bëhet kohët e fundit me aktorët politikë të dy kaheve në lidhje me afera korruptive, në lidhje me tenderë, në lidhje me të kaluara, në lidhje me deklarime, apo mos deklarime pasurie e kështu me radhë?

Është e drejta juaj të më thoni që të jem më konkret, por unë besoj që kam qenë shumë konkret. Unë mund të flas brenda limiteve që ka kjo zyrë dhe ky institucion. Në mënyrën më absolute, pasi nuk më duket normale dhe këtë e kam thënë dhe në mesazhin publik, nuk më duken normale, akuza të kësaj natyre ku po del gjithçka, ndoshta dhe me hollësira të panevojshme, ndërkohë që institucionet ekzistojnë. Apeli im ka qenë i drejtpërdrejtë. Nëse një akuzë artikulohet politikisht, duhet të ndërtohet politikisht. Ndërsa, akuzat konkrete duhet patjetër që të drejtohen në institucionin e Prokurorisë. Fakti që unë e kam kanalizuar pikërisht në institucionin e Prokurorisë, nuk është atribut i imi dhe nuk është se po e bëj unë këtë zbulim sot. Ky është një institucion i shtetit shqiptar, i cili operon me standardet e institucioneve paralele të vendeve te tjera, ku për të njëjtat gjëra, të së njëjtës natyrë, gjërat shkojnë në Prokurori, shkojnë në drejtësi dhe fjalën e fundit e jep drejtësia. Unë mund të them shumë gjëra politikisht. Mund të abuzohet me të drejtën e të qenit deputet dhe mund të thuash gjithçka. Vërtetë, Parlamenti, imuniteti të japin mundësinë që ti të flasësh dhe të mos mbash përgjegjësi për atë që flet, por janë disa akuza, të cilat detyrimisht duhet të shkojnë në Prokurori. Dhe ka dy gjëra. Askush nuk mund të paragjykojë përfundimin e një procesi, por askush nuk mund të dalë pa pasoja, nëse ka shpikur publikisht, sepse nuk është çështje e reputacionit të një partie politike, apo e një deputeti, por është çështje e personalitetit të një individi, i cili është politikan, por, pas tij është një familje, pas atij është një farefis, pas atij është një rreth shoqëror. Pra, apeli im për politikanët është që të jenë më të kujdesshëm në publik; rezervat që kanë t’i orientojnë, dhe unë mbështes absolutisht sistemin e drejtësisë, i cili duhet të punojë mbi bazën e atij betimi që ka bërë secili përfaqësues, që detyra e tyre të jetë e ndershme, të jetë profesionale dhe gjërat të marrin një fund.

A ka qenë e tillë në fakt e tillë puna e tyre?

Të gjithë ne e dimë që sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka progresin e vet, por ka edhe problemet e veta.

Të cilat janë?

Askush nuk mund të ketë kurajën që të thotë se gjithçka ecën mirë, apo gjithçka ecën keq, sepse Presidenti vërtetë është kryetarit i Këshilli të Lartë të Drejtësisë, por tek drejtësia kanë dorë dhe duhet të kenë dorë shumë institucionet. Kjo fillon patjetër me atë institucion nga ku burojnë pastaj të gjitha institucionet e tjera, me Parlamentin, ku zgjidhen një pjesë e tyre, ku miratohen një pjesë shumë e rëndësishme e të gjitha akteve rregullatore, që kanë formën e ligjit, ku sikurse e thashë, pjesa dërrmuese e ligjeve që kanë të bëjnë me drejtësinë, ose miratohen me tre të pestat, ose në rastin e ndryshime kushtetuese duhet dy të tretat. Por, nga ana tjetër është vetë sistemi i drejtësisë. Është Prokuroria, janë të gjitha shkallët e gjyqësorit, të cilat në vetvete kërkojnë, në pjesën ligjore të legjislacionit, integritetin moral, kërkojnë edhe përgatitjen profesionale. Pra, drejtësia operon në një masë të caktuar. Ka nevojë që të rrisë performancën, ka nevojë që të rrisë kurajon, edhe kur ka të bëjnë me politikën, duhet të ketë modele, që gjyqtari, apo prokurori që ka kurajë, nuk trembet, nuk influencohet, por e çon detyrën e vet deri në fund. Vetëm atëherë mund të themi se po ndërtojmë realisht një shtet të së drejtës.

Në rastet konkrete, për të cilat po flasim dhe për debatin konkret, si po veprojnë prokurorët?

Unë mendoj, mbi bazën e të gjithë informacionit që kam, se ndryshe nga një rregull i hershëm tradicional, ku një deputet nuk thirrej në Prokurori pa iu hequr imuniteti, sot është krijuar një modus i pranuar nga të gjithë, që atë që e thonë publikisht, ta thonë edhe në Prokurori dhe institucioni i Prokurorisë po punon në këtë drejtim.

Ju, në mesazhin tuaj, ditën e liberalizmit të vizave, keni tërhequr vëmendjen, zoti President, edhe lidhur me çështjen e ligjit të heqjes së imunitetit jo vetëm për deputetët, por edhe të një rangu tjetër zyrtarësh të tjerë ...

Duke filluar nga unë.

... duke filluar nga vetja. Por, pse nuk keni qenë specifik në mesazhin tuaj, pasi dihet që është opozita ajo që nuk po pranon ta votojë në këtë rast këtë ligj. Pra, thirrja juaj i drejtohet pikërisht opozitës?

Së pari, në apelin tim, unë nuk kam parasysh kategori specifike, nëse janë në mazhorancë, apo në opozitë. Apeli im është i përgjithshëm: U drejtohet të gjithëve. Kam parasysh institucionin, kam parasysh parlamentarët, por kam parasysh edhe njerëzit e drejtësisë, kam parasysh dhe kategori të caktuara të institucioneve të pavarura dhe kushtetuese, kam parasysh edhe personin tim. Pra, ti je i besueshëm në publik, në momentin kur zhvishesh nga imuniteti. Vërtet ka një imunitet që i jep komoditet punës, por kur vjen puna për akuza të kësaj natyre, unë besoj që ky imunitet nuk duhet të ekzistojë. Dhe apeli është që politika duhet të largohet nga parametrat demagogjikë, nëse është thënë, duhet bërë. Në rast se ai që jep një apel kaq të rëndësishëm siç është institucioni i Presidentit, që heqja e imunitetit të fillojë me imunitetin e Presidentit, besoj që ka gjithë të drejtën që të konsiderohet një apel i sinqertë, i drejtë që vlen për të gjithë. Kjo pastaj do të qetësonte edhe klimën politike. Kjo do të qetësonte politikisht edhe ata që merren me drejtësinë. Kjo do të qetësonte edhe publikun, sepse kanë të drejtë pastaj një pjesë e njerëzve të thjeshtë, që janë të profesioneve nga më të zakonshmet, që ndonjëherë kujdesi për të qenë të rreptë për gjëra të karakterit fare ordiner, është i tillë që i shkohet deri në fund, ndërsa pastaj për gjëra që kanë një ndikim mjaft të hidhur në shoqëri, për gjëra të mëdha, duket shumë e vështirë të punojë pastaj në mënyrë të qetë, pasi imuniteti bëhet pengesa më e madhe.

Ka pasur një akuzë konkrete nga ish-ministri i Ekonomisë në lidhje me një çështje që implikon Policinë e Shtetit dhe struktura të tjera të të saj. Me cilësinë e Presidentit të Republikës, keni marrë informacion, jeni njoftuar, jeni munduar të mësoni diçka më tepër për kontrabandën e naftës në Shqipëri?

Është detyrimi i institucioneve që të sjellin informacionin korrekt edhe në institucionin e Presidentit. Por, unë dëshiroj të jem i pozicionuar parimisht për aq sa thashë. Të gjitha akuzat duhet të kanalizohen, dhe në dijeninë time, edhe në rastin konkret, Prokuroria po merret me punën e hetimit dhe nuk dëshiroj të ndërhyj në hallka intermediare të procesit të hetimit, që nuk janë detyrë e Presidentit.

Pra, ju jeni i qetë se gjërat janë vënë në lëvizje dhe po ecin në drejtimin e duhur?

Njeriu asnjëherë nuk mund të konsiderohet i qetë, kur çështjet dhe debati politik konsiderohet i deformuar. Këtë term së paku mund ta modifikojmë. Unë nuk mund të ndihem i qetë. Por, në terma relative jam i qetë, sepse institucionet që e kanë për detyrë të merren me këtë punë, e kanë shprehur dhe janë orientuar drejt këtyre institucioneve, kanë shkuar atje dhe po punojnë.....

Stabiliteti politik është atëherë kur forcat politike dhe institucionet punojnë në qetësi relative për të realizuar programet dhe detyrat e tyre. Por, ndonjëherë stabilitetin mund ta sjellin dhe zgjidhje të tjera në demokraci, siç janë zgjedhjet e parakohshme. Është folur këto ditë për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, si mundësi krejt hipotetike, por gjithsesi. Ju e vlerësoni se njëra nga mundësitë mund të jenë zgjedhjet e parakohshme?

Së pari, nuk dëshiroj të futem në këtë temë, jo se nuk kam mundësi të flas për këtë temë, por qëndroj pozicionit që stabiliteti i Shqipërisë është shumë i rëndësishëm, kështu që gjithçka që del nga linja normale e institucioneve, nuk është e pëlqyeshme për Presidentin. Pra, nuk mund të inkurajoj, nuk mund të marr pjesë, përkundrazi, e përsëris edhe një herë, dhe gjatë kësaj interviste e kam përdorur ndoshta në mënyrë shumë inflacioniste, termin stabilitet. Edhe sikur ta përmend edhe herë të tjera, natyrisht që nuk do të bëj gabim. Jam për një stabilitet të institucioneve. Jam që zgjedhjet e radhës të jenë zgjedhje më të mira nga ç’kanë qenë dhe vërtetë duhet një angazhim i të gjithëve. Duhet të bëjmë shumë kujdes që këto zgjedhje, të mos kenë asnjë lloj shansi për t’u kontestuar dhe kjo do patjetër angazhim, do angazhim nga partitë politike e nga institucionet dhe gradualisht njerëzit që merren me administrimin e zgjedhjeve duhet të kuptojnë që tifozllëku ndaj partive, nuk e ndihmon procesin. Përkundrazi, njerëz që kanë të gjithë integritetin e tyre, strukturat e tyre për të qenë korrektë, do ta ndihmonin procesin dhe ne nuk do të harxhonim shumë kohë pas zgjedhjeve për të thënë që zgjedhjet nuk ishin të mira.

...A është tejkaluar kjo krizë apo ky ngërç politik, apo jemi duke e konsumuar ende?

Unë besoj që jemi në të njëjtat pozicione. Ju e keni në memorie edhe takimin e zhvilluar në Presidencë. Unë nuk besoj që palët kanë lëvizur. Të jemi realistë, palët janë në të njëjtat pozicione. Pra, është diskutuar gjatë, është diskutuar për nevojën e futjes në lojë të Komisionit të Venecias, të Gjykatës Kushtetuese, është diskutuar për vektorët që do ta venë në lëvizje, pra, jemi praktikisht në të njëjtën situatë. Palët janë në të njëjtin pozicion, çka tregon që ai problem është prapë i mbartur muaj pas muaji dhe natyrisht që, nuk lejon që palët të shikojnë përzgjedhjet që do vijnë për zgjedhjet lokale, të cilat janë dekretuar në datën 8 maj të vitit 2011, çka nënkupton një lloj nevoje dhe një lloj shqetësimi të natyrshëm, që e kanë jo vetëm institucionet në Shqipëri, por e kanë edhe institucionet, të cilat në një lloj mënyre monitorojnë. Besoj e mbani mend fare mirë, sepse është apel i ditëve të fundit, apeli i ambasadorit të ri të OSBE-së, i cili risolli në vëmendje të partive nevojën për t’u marrë me zgjedhjet e pushtetit vendor, të cilat janë shumë afër. Nëse do të jetë i nevojshëm, një reformim i Kodit Zgjedhor e për t’u përgatitur ashtu siç duhet, në mënyrë serioze, në mënyrë që, zgjedhjet e pushtetit vendor, si zgjedhje të karakterit administrativ, janë zgjedhje që janë më afër interesave të qytetarit, janë zgjedhje që sikurse thashë, duhet të jenë të drejta, korrekte, të pakontestuara...

...si mund të tejkalohet dhe a do të tejkalohet në fund të fundit, sepse njerëzit presin të dëgjojnë diçka nga ju?

Ju mendoni që mund të tejkalohet gjë pa shprehjen e një vullneti politik? Mendoni që Presidenti do t’u tregojë aktorëve politikë rrugën e tyre, që e kanë rrugën absolutisht të qartë, që është rruga e bashkëpunimit në parlament për të ndërtuar një ligj, pasi përndryshe ligjet nuk ndërtohen, aq më shumë kur lind nevoja për të ndryshuar ligjet e karakterit kushtetues, që domosdoshmërisht kërkojnë dy të tretat e votave në parlament. Më thoni ju nëse ka një mekanizëm tjetër. Shqipëria nuk është Republikë Presidenciale, është Republikë Parlamentare. Apeli i Presidentit është pikërisht për të gjetur bashkëpunimin dhe për të ruajtur patjetër seriozitetin e një procesi që konsiderohet mjaft jetik për Shqipërinë. Nëse ju keni një mekanizëm tjetër, ju mund të ma thoni, por çështja është tek vullneti politik, çështja është tek bashkëpunimi, çështja është që t’i paraprihet një procesi, i cili kurrsesi nuk mund të ndërtohet brenda disa ditëve. Ne jemi mësuar, në retrospektivë, që të gjitha ndryshimet e Kodit Zgjedhor i kemi bërë “in extremis” ditën e fundit, atëherë kur ka qenë dita e fundit e sesionit të fundit të Legjislaturës së fundit. Nëse më thoni një eksperiencë tjetër, ja kjo eksperiencë ka qenë. Pra, politika shqiptare ka nevojë që të maturohet për t’u paraprirë gjërave. Është shumë më mirë t’i parandalosh se sa t’i mjekosh....

Zoti President, pak ditë më parë është bërë publike letra e komisionerit Shtefan Fyle drejtuar Kryeministrit të vendit. Citoj, në paragrafin e parafundit thuhet: “Unë do të doja të shpreh shqetësimin për progresin e pamjaftueshëm në normalizimin e situatës politike në Shqipëri. Si Kryeministër dhe si Kryetar i partisë më të madhe në qeveri, ju ndani me të gjithë kriteret e tjerë politikë, përgjegjësinë për t’i dhënë fund kësaj situate”. Si e vlerësoni këtë letër dhe a po shihni reflektim?

Unë besoj që çfarë kemi konsumuar deri tani në këtë bisedë, është pak a shumë shqetësimi për zgjidhjen e atyre momenteve, të cilat nuk u japin mundësi institucioneve për t’u paraprirë etapave të tjera të rëndësishme të progresit demokratik. Pra, në rast se kemi një situatë të tillë, ku partitë politike kryesore jo vetëm që nuk merren vesh, por janë në një etapë të konsumimit të akuzave të ndërsjella, sigurisht që kjo sjell një shqetësim edhe tek Bashkimi Evropian dhe tek i dërguari i posaçëm, tek Komisioneri Fyle, i cili ka jo vetëm shqetësimin e Bashkimit Europian, por ka dhe një lloj shqetësimi të karakterit personal, meqënëse është njeriu që merret më nga afër me këtë problem. Dhe unë e konsideroj një mesazh të natyrshëm, një mesazh që vlen për të gjithë, për të gjithë aktorët, duke filluar që nga ata që janë të përfshirë direkt në këtë proces si dhe për institucionet e tjera, edhe për institucionin e Presidentit, ku të gjithë duhet të jenë më aktivë, duhet të jenë më bashkëpunues, duhet të jenë në gjendje që të dallojnë cili është dominanti dhe rëndësia e një procesi politik dhe cilat janë gjërat sekondare. Kështu që nga kjo pikëpamje, unë e mirëkuptoj, por nga ana tjetër, është një deklaratë e Komisionerit që besoj që nuk ka nevojë për komente, perifrazim.

Zoti President, në të gjithë këtë debat që po zhvillohet, ka pasur një institucion, siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që herë pas here ka hyrë në lojë për shkak të pozicionit që ka në raport me proceset elektorale dhe ka deklaruar që do t’i djegë fletët e votimit, përkundër debateve që bëhen ‘duhen djegur, s’duhen djegur. Keni ju një mendim në lidhje me këtë gjë, pra, jo nëse duhen djegur ose jo, sepse sigurisht ajo është atribut i Komisionit, por çfarë roli mund të luante Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si një institucion kushtetues në këtë situatë, sipas jush?

Nëse do të ma kishit bërë këtë pyetje para ndryshimeve kushtetuese, jo vetëm do kisha mundësi më shumë për të folur, por do të kisha dhe detyrimin për të folur. Ju e dini që pas ndryshimeve kushtetuese pati një ndryshim edhe të strukturës të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku, as në mënyrë të drejtpërdrejtë, as në mënyrë të tërthortë, d.m.th., asnjë kandidaturë e Presidentit, qoftë si Institucion Presidenti, qoftë me atributin e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, sot pra Presidenti nuk ka asnjë përfaqësues. Partitë politike patën mirëkuptimin e plotë në atë kohë për të bërë ndryshimet kushtetuese, për të kufizuar kompetenca të caktuara, për të fuqizuar kompetenca të caktuara, për të zgjedhur Presidentin e ardhshëm me 71 vota, për të ndryshuar strukturën e KQZ-së, dhe sot, çdo gjë e ndërtuar në atë kohë, konsiderohet legjitime. Askush pas miratimit të ligjit nuk ka të drejtë t’i bëjë koment ligjit, sepse ligji është ligj, por nga ana tjetër duhet të kuptohet që, të gjitha ato ndryshime kanë ardhur me një vullnet të caktuar politik të partive politike dhe tërë përgjegjësia në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ju duhet ta kuptoni, se gjithmonë performanca, profili politik, natyrisht kanë edhe përfundime të karakterit politik në parametrat e ligjit. Unë nuk i bëj koment Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nuk mund të them që nuk është në parametrat e ligjit. Gjithçka që është me ligj, është me ligj, por përsa i përket pozicionimeve politike, kjo ka të bëjë me përgjegjësinë politike të partive politike të cilat ndërtuan një strukturë thellësisht politike. Të gjithë njerëzit që janë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë të katapultuar nga vullnetet politike të partive politike...

...Zoti Presidenti, përmendët pak më parë, dekretimin e zgjedhjeve të reja lokale në 8 maj 2011, pra, në vitin e ardhshëm. Në këto zhvillime që po ndodhin, a mund të shtyhen zgjedhjet lokale?

Sigurisht që nuk kam të drejtën, as të hamendësoj. Nuk mund të hamendësoj, nuk mund të bëj parashikime, aq më shumë pesimiste. Dëshiroj t’i qëndroj pikërisht asaj date, e cila ka qenë data e fundit e kufirit ligjor, ku i jepet mundësia Presidentit për të dekretuar zgjedhjet. Pra, data 8 maj është data e fundit, sipas të gjitha përllogaritjeve dhe unë nuk mund të bëhem sigurisht njeriu që merr karakteristikat e “Kasandrës”, përkundrazi dëshiroj t’i inkurajoj të gjithë aktorët politikë që zgjedhjet jo vetëm të zhvillohen në kohë, por të zhvillohen sipas të gjitha kushteve, të jenë korrekte, të jenë të lira, të jenë të ndershme, të jenë të pranueshme dhe të mos vijnë si një moment kontestimi që do ta çonte prapë situatën politike në këto parametra.

...Herë pas here keni dhënë mesazhe gjatë mbledhjeve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por dhe në takime të tjera, por në fakt, mund të jeni më konkretë për të na identifikuar kush janë problemet më të mëdha që ka sot sistemi dhe ky pushtet?

... Unë mendoj që institucionet e drejtësisë kanë nevojë patjetër që të kenë një legjislacion, i cili do t’i garantojë atyre jo vetëm lirinë e ushtrimit të profesionit, por edhe të gjitha detyrimet që ato kanë para Kushtetutës, ligjit, qytetarit. Kjo duket si një terminologji e përgjithshme, por kam parasysh këtu organizimin e Konferencës Gjyqësore, e cila vjen pastaj, jo vetëm si detyrim i Kushtetutës dhe i ligjit, por ka një ndikim të drejtpërdrejtë në rolin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili për hir të kalimit të afateve, të mandateve të disa anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e sjell këtë institucion në vështirësi reale. Mora vetëm një shembull për të thënë se sa e rëndësishme është politika, sa i rëndësishëm është ai votim i cilësuar, i parashikuar nga Kushtetuta. Kjo ka bërë që gjyqtarët të organizohen, sikurse ju jeni në dijeni, për të mbyllur disa vakuume, të cilat normalisht funksionojnë me Kushtetutë dhe me ligj.

Ju i përmbaheni deklaratës që keni bërë më parë që Konferenca Gjyqësore nuk duhet mbledhur pa u bërë ligji apo e pranoni që duhet të mblidhet dhe të miratojë kandidatura për Këshillin e Lartë të Drejtësisë?

Edhe njëherë, nuk do ta bëj kurrë atë gabim që, në këtë pozicion, ku dekretoj ligje, të them që bie ndesh me ligjin që rregullon, aq më shumë një ligj, i cili ka kaluar edhe nga Gjykata Kushtetuese. Përgjithësisht, sepse nuk dëshiroj të jem kategorik për të thënë totalisht, i qëndroj të gjitha deklaratave të bëra në funksion të këtij momenti. Por paralelisht, pa dashur që të ndryshoj pozicion, do t’ju jap një argument nga bota e mjekësisë. Normalisht, organet e trupit funksionojnë mbi bazën e parimeve dhe funksioneve fiziologjike. Ju e keni dëgjuar ndonjëherë kur një organizëm, kur ndonjë organ i rëndësishëm nuk funksionon si duhet, ndodh ajo që quhet kompensimi i funksionit? Pra, një zemër që punon shumë, që nuk përballon, hipertrofizohet, pra zmadhohet. Ky quhet kompensim fizio-patologjik i një organi. Kjo po ndodh edhe në këtë situatë, kur politika, institucionet nuk po e mbyllin me ligj. Është vetë sistemi i drejtësisë, janë vetë gjyqtarët të cilët po ndërhyjnë me një mekanizëm kompensator për të bërë të mundur që të mbyllin një boshllëk, i cili është shumë i dëmshëm, në radhë të parë për institucionin e drejtësisë dhe për vetë gjyqtarët. Në rast se KLD-ja nuk funksionon me kapacitet të plotë, pastaj do të krijohen probleme të jashtëzakonshme, që lidhen qoftë me emërimin, qoftë edhe me penalitetet ndaj gjyqtarëve, qoftë me kontrollin e sistemit të drejtësisë, qoftë me ndërtimin e akteve rregullatore dhe në fund fare, me fizionominë e vetë sistemit të drejtësisë. Kështu që nga kjo pikëpamje, në rast se nuk ndodh, ne nuk duhet të themi: “Shiko, nuk duhet të ndodhë sepse ligji e parashikon këtu-këtu!’. Por në rast se pranohet nga të gjithë një lloj fryme, sikurse me sa duket është pranuar, e mënyrës së riorganizimit, e në çdo rrethanë, për të ruajtur pozicionin kushtetues e ligjor të Presidentit, do jetë vetë Këshilli i Lartë i Drejtësisë, që punon në mënyrë kolegjiale dhe me vendimmarrje ekskluzive, ai që do të gjykojë nëse ky proces ka qenë i rregullt apo jo. Dhe këtë nuk mund ta thotë Presidenti sot, sepse unë atje, pavarësisht se jam Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kam një votë. Kështu që i takon Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në ditën që do të mblidhet për të gjykuar për legjitimitetin e emërimeve dhe do të pres atë ditë kur të vijë ky moment...

Botohet me shkurtime

16 Tetor 2010

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›