Gjinushi: Kriza në Shqipëri ka nisur që në 2005
Në konferencën për organizimin dhe forcimin e strukturave socialdemokrate, në kuadër të zgjedhjeve të 28 qershorit, kreu i PSD-së tha se kriza në vend e ka emrin qeveri dhe e gjithë kjo falë paaftësisë qeverisëse: "Kriza ka ardhur nga keqqeverisja, kriza jonë ka ardhur nga paaftësia e qeverisë, veçanërisht e Kryeministrit; ajo ka ardhur nga korrupsioni i pamatshëm i kësaj qeverie", shtoi ai. Sipas tij, korrupsioni i kësaj qeverie është i dimensioneve të papara, prandaj dhe tërë premtimet kanë dështuar. Gjinushi theksoi se me një qeveri të korruptuar nuk mund të realizosh as programe sociale dhe as investime. "Kjo ka bërë që qeveria të mos mbajë asnjë premtim dhe nga një qeveri e premtimeve të mëdha, e realisht Sala premtimet i ka butaforike, sot ajo shihet nga i gjithë opinioni si një qeveri e mashtrimeve të mëdha", deklaroi ndër të tjera kreu i PSD-së. Kryesocialdemokrati tha se në Shqipëri, në fakt, ka nisur qysh në 2005-ën, kur u rikthye Berisha dhe PSD-ja këtë e ka paralajmëruar. Gjinushi ka shtuar më tej, duke bërë një paralelizëm për dy kohët e qeverisjes së Kryeministrit Berisha. "Tabloja e qeverisjes së Berishës në ‘92-‘97 dhe 2005-2009 ngjan si dy pika uji: ai merr një Shqipëri normale e lë në krizë totale; vjen në mënyrë paqësore dhe ikën në mënyrë konfliktuale; vjen me mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe ikën në konflikt të hapur me institucionet kryesore ndërkombëtare", tha Gjinushi. PSD-ja ka nisur një tur takimesh në të gjithë vendin, në kuadër të përgatitjeve të saj për zgjedhjet.