E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi i udhëheqësve të botës, në rrezik

Policia nëpër të gjithë Evropën po përgatitet për një valë protestash nga grupimet e ndryshme radikale, ku Londra dhe Strasburgu pritet të jenë epiqendra, njofton "Financial Times". Të dhënat operative të policisë nga kryeqytete të ndryshme tregojnë për një aktivitet të zgjeruar të organizatave antikapitaliste, të cilat po përgatiten të protestojnë gjatë takimit të udhëheqësve të 20 vendeve më të rëndësishme të botës. Udhëheqësit do të takohen të enjten në Londër.

Protesta priten të zhvillohen edhe në Strasburg të Francës, ku të premten do të takohen udhëheqësit e 26 vendeve anëtare të NATO-s. Grupimet anti-NATO thonë se do të grumbullojnë deri në 60 mijë protestues, ndërkohë që policia ka angazhuar 11 mijë trupa për t‘i mbajtur protestuesit disa kilometra larg vendit të takimit. Mes Francës dhe Gjermanisë janë rivendosur kontrollet kufitare dhe kufiri mund të mbyllet nëse do të ketë protesta të dhunshme.

"Ne kemi precedentë se takime të mëparshme të NATO-s janë shoqëruar me përplasje të dhunshme", thotë Roland Ries, kryetar Bashkie i Strasburgut. Shërbimi Sekret Gjerman vlerëson se 3 mijë protestues agresivë mund të grumbullohen në Strasburg. Policia britanike ka vërejtur se ka një nivel "të paprecedent" aktiviteti mes anarkistëve dhe grupeve antikapitaliste para takimit të grupit të 20 vendeve më të rëndësishme. Anarkistët po marrin hov nga kriza financiare botërore për të thithur mbështetës të rinj.

Disa ekspertë vlerësojnë se Evropa është pranë protestave me përmasa si ato të takimit të Organizatës Botërore të Tregtisë dhjetë vjet më parë dhe se lëvizja antiglobaliste mund të rigjallërohet si pasojë e krizës.

Dhjetorin e kaluar, protesta të dhunshme që vijuan për javë të tëra, u zhvilluan në Greqi. Anarkistë nga Italia dhe Franca asistuan te protestuesit grekë.

Dyshohet se në Londër grupime të ndryshme nga ambientalistët tek anarkistët dhe antikapitalistët, mund të bashkohen për protesta më masive. Edhe qeveria britanike pranon se protestuesit mund të tërheqin vëmendjen e publikut të zemëruar nga bankat dhe bonuset multimilionëshe të menaxherëve. Që sot, pritet që në Londër mijëra veta të dalin në protestë në lagjen e qendrës, ku shumica dërrmuese e kompanive financiare kanë selitë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›