E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Do trefishojmë buxhetin për bujqësinë

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, zbardhi disa prej pikave të programit të partisë së tij për bujqësinë. Gjatë një takimi në Këmishtajt të Lushnjës, Meta vuri në dukje se LSI-ja e ka një program për të zgjidhur të gjitha problemet e bujqësisë. Sipas tij, ai bazohet në një pikë të rëndësishme për të rritur rolin e shtetit përmes programeve mbështetëse ndaj fermerëve dhe subvencioneve të njësisë së prodhimit, që nga farërat dhe plehrat kimike. Kreu i LSI-së nënvizoi se bujqësia është një çështje shumë e rëndësishme për ekonominë kombëtare, por edhe për zhvillimin e turizmit. Ndaj, shtoi Meta, ne jemi të angazhuar për të mbështetur bujqësinë. Më tej, Meta theksoi se 30 mijë vende të reja pune që ne synojmë të hapim në 4 vitet e ardhshme, do të realizohen përmes mbështetjes dhe duke dalë garant shteti para bankave për të gjithë biznesmenët dhe sipërmarrësit, të cilët do të luftojnë për të krijuar industrinë agropërpunuese. Kreu i LSI-së bëri thirrje se është koha për veprim, për të nxjerrë vendin nga kjo krizë e rëndë ekonomike. "Është koha për veprim", tha Meta, "për të nxjerrë bujqësinë nga kriza e braktisja e shtetit dhe e qeverisë".

Ai premtoi se do të trefishohet buxheti i shtetit që në ditët e para për bujqësinë, pasi ky sektor ka nevojë për mbështetje.

Bujqit që do të punojnë më shumë do të ndihmohen më shumë nga shteti ka premtuar kreu i LSI-së, Ilir Meta. "Ne kemi një plan për ta nxjerrë bujqësinë nga kjo prapambetje dhe nga kjo braktisje. Ky plan bazohet në radhë të parë në një vullnet të fuqishëm politik për të rritur rolin e shtetit përmes programeve konkrete të mbështetjes dhe të subvencionimit, duke filluar që nga farat, plehrat kimike, te punimi i tokës", tha Meta.

Njëkohësisht, Meta shprehu vendosmërinë dhe mbështetjen ndaj brezit të ri, që të kenë mundësi të shkollohen e të punësohen.

Në kuadër të afrimit të fushatës elektorale, partitë po shpalosin pjesë nga premtimet e tyre elektorale. Sipas deklarimeve të kreut të LSI-së, Meta, punësimi është prioriteti i kësaj partie pasi të vijë në pushtet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›