E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjinushi: “Kriza zgjidhet me krijimin e një qeverie teknike”



Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, deklaron se kushti i vetëm që opozita të tërhiqet nga bojkoti i Kuvendit dhe i proceseve zgjedhore është krijimi i një qeverie teknike me bazë të gjerë. "Hapja e kutive imponon një zgjidhje politike, sepse do të bëhet një lexim më i drejtë. Vetë leximi do të theksojë qartazi që duhet një qeveri e përbashkët, e balancuar, një qeveri që përfaqëson të gjitha votat e dhëna dhe për të garantuar zgjedhjet e radhës të lira, të ndershme dhe të standardit europian. Patjetër që ato s'mund të jenë pas katër vjetësh, sepse Shqipëria nuk mund të presë dhe katër vjet të tjera për të kapur standardet zgjedhore", - tha Gjinushi gjatë një interviste televizive. Sipas tij, të majtët nuk do të tërhiqen në asnjë rast nga bojkoti deri kur të hapen kutitë e votimit. Kreu socialdemokrat ka theksuar se në rast se nuk do të hapen kutitë, bojkoti i opozitës do të vijojë edhe për zgjedhjet lokale. "Automatikisht pyetja që bëhet është: A ka shqiptar që mendon se zgjedhjet lokale të radhës, nëse nuk ndryshohet asgjë, nëse ka një dështim të bojkotit dhe me këtë qeveri, do jenë të lira e të ndershme? Të terë do të përgjigjen 'Jo'. Bëhet njëherë pyetja: a do ketë zgjedhje? dhe në qoftë se ato zgjedhje s'janë të standardeve që sot diskutohen. Atëherë pyetja a do të bojkotohen është e tepërt", - vijoi Gjinushi. Sipas kreut të PSD-së, opozita mund të tërhiqet nga hapja e kutive të votimit vetëm në një rast: nëse krijohet një qeveri me bazë të gjerë që përgatit standarde europiane për zgjedhjet e parakohshme. "E vetmja marrëveshje që mund të bëhet është pikërisht: s'hapen kutitë, po kalojmë në zgjidhje politike. Dhe unë apelin e Brukselit kështu e kam kuptuar. Qeveria të gjejë zgjidhje. Cila është zgjidhja? Në qoftë se e pranojnë zgjidhjen politike, atëherë, do s'do, hapja e kutive kalon në plan të dytë, pasi shkohet drejt një kompromisi të madh. Të dyja palët pranojnë bashkëqeverisjen, pranojnë përgjegjësinë e përbashkët, pranojnë kryerjen e reformave dhe e çojnë vendin në zgjedhje të lira dhe të ndershme", - theksoi Gjinushi.

27 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›