Ligji “Antimafia”, vishesh firmato dhe lëviz me makina luksoze, je objekt nga Prokuroria
Kostumi i shtrenjtë, makina luksoze, faturat e kripura të restoranteve, biletat e shtrenjta të udhëtimeve me avion tashmë mund të të bëjnë shënjestër të prokurorisë. Nëse ke prona, por “nuk u mbush dot mendjen” prokurorëve se shpenzimet e tua të mëdha vijnë si pasojë e fitimeve nga këto prona, atëherë prokuroria mund të të kërkojë sekuestrimin e të gjitha pasurive. Kjo është logjika e ndryshimeve të reja në ligjin “Antimafia”, ndërsa relacioni i qeverisë mbi këto ndryshime zbardh edhe ndryshimet në Nenin 13 të këtij ligji. “Në Nenin 13 të ligjit është shtuar nënparagrafi i ri ‘c’ me anë të të cilit është parashikuar se gjykata, me kërkesë të prokurorit mund të vendosë masën parandaluese të sekuestrimit edhe kur në bazë të të dhënave të mjaftueshme personi i dyshuar ka një standard të pajustifikuar jetese. Në këtë shtesë është konsideruar fakti se shpesh këta persona në dukje duket se kanë disa pasuri, të cilat mund t’i kenë deklaruar, në realitet kanë një mënyrë jetese me kosto të shtrenjtë, e cila nuk justifikon standardin e jetesës që ata bëjnë”, - shkruhet në relacionin qeveritar për ndryshimet në ligj. Në standardet që ky ligj përfshin bëjnë pjesë, vilat, veshjet e shtrenjta, sendet e çmuara etj.
Ndryshimet
Nevoja e ndryshimeve në ligjin “Antimafia” erdhi pasi në fillim të këtij viti prokuroria dha alarmin për pengesat e krijuara në luftën kundër pasurive të vendosura nga veprimtaria kriminale. Një vendim unifikues i Gjykatës së Lartë, i vitit 2007, është bërë pengesë në këtë drejtim, duke dështuar disa prej hetimeve të prokurorisë për pasuritë e vendosura nga grupet kriminale. Në muajin mars, Prokuroria e Krimeve të Rënda zhvilloi analizën e punës për vitin 2008, ku u vu në dukje se nga dhjetë kërkesa për sekuestrim të pronave që u përkasin grupeve kriminale, pesë prej tyre janë rrëzuar në gjykatë. Shkak ka qenë vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë, i cili është i detyrueshëm për zbatim nga organet e Drejtësisë. Edhe pse Prokuroria ka provuar se prona me vlera miliona euro janë vendosur nga veprimtaria kriminale e trafikut të drogës apo shfrytëzimit të prostitucionit, gjykatat e shkallës së parë janë detyruar të mos pranojnë bllokimin, duke zbatuar vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë. Vendimi në fjalë është dokumenti unifikues i Gjykatës së Lartë, me Nr.2/2 i regjistrit themeltar, datë 25 janar 2007. Praktikisht, vendimi parashikon se një personi nuk mund t’i hetohet dhe as t’i sekuestrohet pasuria në rast se nuk provohet se pronat e tij janë vendosur me drogën e kapur nga policia, në rastin e akuzave për trafik narkotikesh, pra në rast se nuk provohet që pasuria është vendosur si produkt i rastit, që bëhet objekt i procedimit penal.
Modeli
Sipas informacioneve paraprake, Shqipëria po përpiqet të bëjë disa shtesa në këtë ligj, që ngjasojnë me ligjin anglez në lidhje me sekuestrimin e pasurive kriminale. Ligji anglez i sekuestrimeve i jep shumë fuqi Prokurorisë në shkatërrimin e aseteve kriminale. Nëse me ligjin aktual duhej që të vërtetohej se prona e një të arrestuari ishte ngritur me të ardhura kriminale, tashmë konfiskimi i pronës me ligjin e ri është shumë i thjeshtë. Nëse një person që dënohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda nuk deklaron të ardhurat për ngritjen e pronës, atëherë kjo pronë sekuestrohet. Sipas akuzës qendrore, ligji anglez parashikon që prona sekuestrohet edhe nëse nuk është vërtetuar se është ngritur me të ardhura kriminale. Mosjustifikimi i të ardhurave për ngritjen e saj mund të sjellë konfiskimin e menjëhershëm.
GJYKIMI I KËRKESËS PËR SEKUESTRIMIN E PASURIVE
Neni 13
Kriteret për sekuestrimin e pasurive
1. Gjykata, me kërkesë të prokurorit, duke parashtruar arsyet përkatëse, vendos sekuestrimin e pasurive, për të cilat ka të dhëna se mund të jenë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në zotërim të personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet sipas këtij ligji, kur:
a) vlera e tyre rezulton të jetë në përmasa që nuk u përgjigjet të ardhurave të deklaruara ose veprimtarisë ekonomike të zhvilluar prej tij;
b) në bazë të të dhënave të mjaftueshme, ka shkaqe të bazuara për të menduar se këto sende janë produkt i veprimtarive të paligjshme ose përbëjnë investim të tyre.
2. Prokurori mund t'i kërkojë gjykatës ta detyrojë personin ndaj të cilit zhvillohen hetimet, ose ata që kanë titullin e pronarit apo zotërojnë çfarëdo titulli, fonde ose pasuri të çdo lloji, me vlerë që nuk përputhet me të ardhurat ose aftësitë e tyre ekonomike, që të justifikojnë ligjshmërinë e prejardhjes së tyre.
Sekuestrimet e pronave të kriminelëve, fitimet shkojnë për rehabilitimin e viktimave
Të gjitha fondet që do të grumbullohen nga shitja apo dhënia me qira e pronave dhe pasurive kriminale, do të përdoren në interes të rehabilitimit dhe kompensimit të viktimave të trafikimit. Gjithashtu, ato do të përdoren edhe për përmirësimin e infrastrukturës dhe të shërbimeve në zona me probleme sociale. Zhvillimi i programeve shkollore për edukimin ligjor, si dhe nxitja e edukatës së punës te personat e papunë, janë të tjera synime për të cilat do të përdoren këto të ardhura. Në legjislacionin aktual, qeveria parashikon përdorimin e vetëm 50 për qind të të ardhurave të buxhetit të shtetit, që përfitoheshin nga pronat e konfiskuara. Masa e konfiskimit vendoset me kërkesën e prokurorit, i cili i paraqet gjykatës arsyet ku bazohet kërkesa. Projekti aktualisht ndodhen në fazën e diskutimit me aktorët kryesorë të interesit, dhe pritet së shpejti të miratohet në Këshillin e Ministrave. Sipas projektit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar”, pasuritë e konfiskuara me vendim gjykate, kalojnë në favor të shtetit. Vendimi i formës së prerë për konfiskimin e pasurive i dërgohet menjëherë Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Mënyra e përdorimit të pasurive të luajtshme, pasurive të paluajtshme dhe pasurive që shërbejnë në veprimtari ekonomike e tregtare, vendoset nga ministri i Financave, në bazë të raportit të vlerësimit tekniko-financiar, si dhe të mundësive të përdorimit të tyre. Ndërsa përdorimi i pasurive të luajtshme dhe i mjeteve monetare, realizohet nga administratori, i cili kryen veprimet e nevojshme për të dorëzuar në llogaritë e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara fondet në mjete monetare. Pasuritë e paluajtshme të konfiskuara shiten, kalojnë në administrim të organeve të sistemit të drejtësisë, të rendit publik dhe mbrojtjes civile, ose kalojnë në pronësi të njësive të qeverisjes vendore. Veprimtaritë tregtare dhe pasuritë e paluajtshme të konfiskuara, që janë të vendosura në veprimtarinë e personave juridikë tregtarë, kalojnë në pronësi të shtetit.
Çfarë ka ndryshuar në ligjin e ri “Antimafia:
Pasuria mund të sekuestrohet pavarësisht se ndaj personit nuk është hapur asnjë proces penal
Do të rritet numri i veprave penale që do të shoqërohen me sekuestrime pasurie
Tani i takon individit të mbajë barrën e pronës për t’i vërtetuar shtetit burimin e të ardhurave
Do të përcaktohet destinimi i pasurive të konfiskuara për llogari të shtetit shqiptar
Do të përcaktohet njëherë e mirë se cila gjykatë do të ketë kompetencë për të gjykuar sekuestrimet
Do të përcaktohet numri i gjyqtarëve që duhet të marrin pjesë për të shqyrtuar një kërkesë për sekuestrim pasurie
27 Tetor 2009