E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronarët e objekteve në bregdet do të paguajnë çmimin e truallit, ndryshe objekti u konfiskohet

Komisioni i Ligjeve miraton projektligjin për privatizimin e truallit në zonat turistike

Eljona Ballhysa
Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi gjatë mbledhjes së djeshme projektligjin e hartuar nga Ministria e Drejtësisë për privatizimin e trojeve në bregdet. Në bazë të këtij projektligji, personat që kanë blerë objekte të ndërtuara në zonat turistike duhet të paguajnë për truallin në të cilin është ndërtuar objekti. Në rast të kundërt, objekti u konfiskohet nga shteti, për shkak se është ndërtuar në tokë shtetërore në bazë të ligjit të vitit 1993 për stimulimin e zonave turistike. Përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë, Marsida Xhaferllari, u shpreh dje në Komisionin e Ligjeve se 90% e kontratave të lidhura mes qeverisë dhe personave të stimuluar në bazë të ligjit të vitit 1993 janë shkelur. Këta persona kishin të drejtë, në bazë të këtij ligji, që të ndërtonin fshatra turistike dhe objektet t’i jepnin me qira. Por, përkundrazi, këta persona kanë ndërtuar objekte në tokë shtetërore dhe, në kundërshtim me kontratën, ua kanë shitur këto objekte personave të tretë, duke shkelur ligjin. Miratimi i projektligjit për privatizimin e trojeve shtetërore synon që shteti të sigurojë të ardhura nga përdorimi i tokës shtetërore.
Komisioni
Gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit të Ligjeve, ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ndërsa ka vlerësuar ligjin, ka shpjeguar domosdoshmërinë që shteti të bëhet palë në kontratat e shitblerjes së objekteve. “Ata që kanë lidhur një kontratë me personin e stimuluar, në fakt, duhet të lidhnin një kontratë me shtetin. Shteti, në kontratën që është lidhur, nuk është palë. Ndaj me këtë ligj rivendoset pozicioni i shtetit, i cili është pronari i truallit, po nuk ka marrë asnjë të ardhur për këto ndërtime të ndërtuara në pronën e vet. Këta persona do të duhet të paguajnë për shtetin në bazë të hartës së vlerës”, - është shprehur deputeti i PD-së.
Ndërsa Eduard Halimi sugjeroi që të merren masa për ata persona që nuk do të paguajnë. “Ligji është shumë i mirë. Unë do të sugjeroja disa ndryshime. Kështu, ligji ka parashikuar që të privatizohet vetëm sipërfaqja ku ndodhet njësia e ndërtuar, ndërsa unë propozoj të privatizohet edhe sipërfaqja që rrethon ndërtesën, pra oborri. Në ato raste ku ka bashkëpronarë, kjo të zgjidhet nga gjykatat. Po kështu mendoj se duhet të vendoset dhe një dispozitë që t’i detyrojë personat që të paguajnë për truallin. Sepse mund të ndodhë që personat të aplikojnë për privatizimin dhe të mos paguajnë më pas. Ndaj duhet të përcaktohet një afat kohor për t’u dhënë të drejtën këtyre personave që të paguajnë për truallin dhe në përfundim të afatit, në rast se nuk paguajnë, objekti të konfiskohet”, - është shprehur Halimi. Ky propozim u pranua.
Ndërsa përfaqësuesja e Ministrisë u shpreh se ndërtimet e paligjshme, që nuk janë objekt i këtij ligji, do të asgjësohen. “Ndërtimet e paligjshme janë vepër penale dhe ata konfiskohen nga shteti në rast se kanë vlerë. Nëse s’kanë vlerë, asgjësohen dhe toka i kthehet pronarit, nëse ka”, - është shprehur ekspertja Xhaferllari.
Projektligji
Projektligji “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror, në zonat me përparësi turizmin”, i miratuar nga Këshilli i Ministrave, parashikon skemën e privatizimit të truallit shtetëror mbi të cilin janë ndërtuar objekte, në zonat me përparësi turizmin. Në relacionin që i bashkëlidhet këtij drafti shpjegohet se nevoja e këtij ligji lindi për shkak të deformimit të ligjit të mëparshëm “Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin”. Në bazë të këtij ligji, truallin ka të drejtë ta blejë ose pronari i objektit të ndërtuar në tokën shtetërore që është i interesuar për të privatizuar këtë truall, ose personi i stimuluar, që është ai person që ka marrë me qira tokën shtetërore dhe ka ndërtuar objekte në të. Në rastin kur trualli i shitet personit të interesuar, çmimi paguhet në masën 80% të vlerës prej subjektit dhe 20% të kësaj vlere nga personi i stimuluar. Personat e interesuar për privatizimin e truallit duhet të paraqesin brenda një afati 60-ditor, dokumentacionin që do të publikohet nga Agjencia Kombëtare e Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale. Gjatë këtij procesi, ALUIZNI ka si detyrim bashkërendimin e punës me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe me Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për verifikimin e të dhënave për pronat shtetërore në zonat turistike të dhëna me qira. Blerja e truallit të njësisë së ndërtimit bëhet në bazë të kërkesës së paraqitur nga subjekti i interesuar, që mund të jetë pronari i objektit ose personi i stimuluar, pra ai që ka marrë me qira truallin shtetëror. Ndërkaq, çmimi i truallit do të jetë në proporcion me sipërfaqen, në funksion të njësisë së ndërtimit. Trualli kalon në bashkëpronësi të detyrueshme në tërësi të personit që gëzon objektin e ndërtuar brenda një zone të stimuluar, që është zona turistike e ndërtuar në truall shtetëror. Kontrata e shitjes ndërmjet ALUIZNI-t dhe subjektit të interesuar lidhet vetëm pas pagimit të plotë të çmimit të shitjes. Vetëm pas nënshkrimit të kontratës subjekti i interesuar ka të drejtë që ta regjistrojë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme kontratën për fitimin e të drejtave reale mbi njësinë e ndërtimit. Projekti parashikon se më parë do të realizohet çregjistrimi i objekteve private të ndërtuara në truallin shtetëror, pasi regjistrimi i tyre është i paligjshëm. Është përcaktuar si i domosdoshëm çregjistrimi i shitjeve të paligjshme në mënyrë që t’i hapet rruga zgjidhjes përfundimtare të këtij problemi, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të gjendet zgjidhja në rast se subjektet që disponojnë objektet refuzojnë të blejnë truallin. Në projekt parashikohet se procesi i regjistrimit fillestar të këtyre objekteve në ZRPP do të kryhet nga ALUIZNI. Ndërsa për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për të drejtën e pronësisë ndërmjet subjekteve të interesuara, projektligji parashikon se ALUIZNI ka të drejtë të lidhë kontratën e shitjes me subjektin e interesuar që paraqet kontratën më të hershme për kryerjen e veprimit juridik për kalimin e të drejtave reale të pronësisë.

Çmimi i truallit, në bazë të vlerës së tregut

Në këtë projektligj parashikohet edhe përcaktimi i çmimit të truallit që kalon në pronësi të subjektit të interesuar. Për efekt të kompensimit të ish-pronarëve është miratuar harta e vlerës së pronës dhe duke qenë se edhe fondi që do të krijohet do të vihet në dispozicion të këtij procesi, mënyra e përllogaritjes së çmimit të shitjes do t’i referohet kësaj harte. Projekti parashikon se nëse arkëtohet në mënyrë të shpejtë dhe të plotë shuma e vendosur, blerësi stimulohet përmes një zbritjeje të shumës që i detyrohet shtetit. Kjo dispozitë lehtëson mundësinë e pagesës dhe i nxit pronarët e objekteve që t’i shlyejnë sa më shpejt detyrimet financiare. Drafti i qeverisë ka parashikuar përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat duke e mbrojtur shtetin nga pagimi i këtij tatimi. Por ky tatim do të mbahet në rastet kur paguhet nga subjektet private. Gjithashtu, projektligji parashikon mbledhjen e tatimeve të prapambetura, sipas rregullave që do të përcaktohen nga ministri i Financave, si dhe parashikon sanksione në rast se personat përfitues nga ky ligj nuk respektojnë kërkesat e ligjit. Këto sanksione shkojnë në favor të ish-pronarëve.

Dokumentet që duhet të paraqesë subjekti i interesuar:

Kërkesën për kalimin e truallit në pronësi, të plotësuar sipas formularit tip, të miratuar nga ministri përgjegjës.
Kontratën e lidhur me personin e stimuluar, për kalimin e të drejtave reale mbi njësinë e ndërtuar.
Planimetrinë dhe sipërfaqen në m2 të njësisë së ndërtuar.
Kopje të dokumentit të identifikimit ose ekstrakt të regjistrit tregtar.

Dokumentet që duhet të paraqesë personi i stimuluar:

Kërkesën për kalimin e truallit në pronësi sipas formularit tip të miratuar nga ministri përgjegjës.
Marrëveshjen e qirasë apo të zhvillimit, të lidhur ndërmjet personit të stimuluar dhe i qiradhënësit.
Lejen e ndërtimit për njësinë e ndërtuar.
Planimetrinë dhe sipërfaqen në m2 të njësisë së ndërtuar.
Dokumentet e pronësisë për njësinë e ndërtuar, nëse ka.
Kopje e dokumentit të identifikimit ose ekstrakt të regjistrimit tregtar.

20% ulje të çmimit në rastet kur pagesa bëhet e plotë

Në projektligjin “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror, në zonat me përparësi turizmin” parashikohet masa lehtësuese në ndihmë të personave të interesuar për të bërë kalimin e pronësisë së truallit. Kështu, në Nenin 15 të këtij drafti parashikohet një reduktim në masën 10% të vlerës së truallit në ato raste kur i gjithë detyrimi financiar paguhet brenda 3 muajve nga data e njoftimit me shkrim. Po kështu parashikohet një reduktim të çmimit në masën 20% të vlerës së truallit në ato raste kur detyrimi financiar paguhet brenda 1 muaji nga data e njoftimit me shkrim. Të ardhurat kalojnë për kompensimin fizik të ish-pronarëve. Nga ana tjetër, projektligji parashikon sanksione. Në Nenin 17 të këtij drafti shkruhet se në ato raste kur subjekti i interesuar ose personi i stimuluar nuk paraqet kërkesë për kalimin e truallit në pronësi, trualli vlerësohet i lirë dhe kalon për llogari të kompensimin fizik të ish-pronarëve.

27 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›