E Diel, 1 Nëntor 2026

PDK-ja, letër ambasadave: “Kemi provat që faktojnë vjedhjet e votave”



Shaban Sulçe
Partia Demokristiane intensifikon aksionin e saj politik për të sensibilizuar faktorin ndërkombëtar në lidhje me manipulimet e ndodhura në zgjedhjet e 28 qershorit. Kreu demokristian, Nard Ndoka, i ka dërguar dje një letër informuese ambasadorit të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, Ambasadës Amerikane dhe ambasadave të vendeve të tjera perëndimore, në të cilën thekson se Partia Demokristiane ka të faktuara provat e manipulimit të votave në zgjedhjet e 28 qershorit. Për këtë arsye Ndoka kërkon nga ambasadorët ndërkombëtarë që të përdorin autoritetin politik dhe diplomatik për të rivendosur të drejtën e votës në Shqipëri. “Ju drejtohemi Juve, zoti Ambasador, si institucioni zyrtar i vëzhgimit të ecurisë së procesit zgjedhor dhe postzgjedhor, si dhe i nivelit të demokracisë në Shqipëri, që të përdorni autoritetin tuaj politik e diplomatik për të ndihmuar në rivendosjen e drejtësisë, kushtetutshmërisë dhe sovranitetit real të popullit në vendin tonë, shprehur përmes votës së fshehtë më 28 qershor 2009. Prova jonë e re dhe e dokumentuar në kuptimin politik, por edhe ligjor, mund të jetë edhe rruga më e mirë ligjore për t’i dhënë përgjigje krizës politike ku po përfshihet vendi ynë, ku nga njëra anë kemi një maxhorancë që refuzon drejtësinë dhe numërimin e votave dhe, nga ana tjetër, kemi një opozitë që kërkon mbrojtjen e votës së lirë”, - thekson në letrën e tij kreu i PDK-së, Nard Ndoka.

Letra

Në letrën e tij, kryedemokristiani Ndoka shpreh shqetësimin për një problem, i cili, siç e cilëson ai, nuk ka të bëjë me individin, apo me një subjekt të vetëm politik, por me parimet demokratike dhe vlerat ligjore të demokracisë në Shqipëri. Ai nënvizon rrugët që ka zgjedhur PDK-ja për të verifikuar shqetësimet që vinin për grabitjen e votës së saj në zgjedhjet e 28 qershorit. “Të gjithë vëzhguesit tanë të jashtëm, stafet e kandidatëve dhe aktivistëve tanë në rrethe flasin për deformim thelbësor të vullnetit të popullit dhe konkretisht, me vjedhje dhe deformim masiv të votave dhe rezultateve elektorale të Partisë Demokristiane dhe aleancës ‘Poli i Lirisë’, drejtuar prej saj. Në këto rrethana, në përpjekje për të ruajtur gjakftohtësinë dhe për të mbledhur provat e nevojshme ligjore për vërtetimin e pretendimeve tona, menjëherë pas zgjedhjeve kërkuam dhe tërhoqëm nga KQZ-ja kopjet filmike elektronike të të gjithë procesit të numërimit të votave. Stafi im teknik u angazhua për mëse dy muaj në përpjekje për të bërë verifikimin midis votave të vërtetuara në pamjet filmike dhe atyre të shënuara në procesverbalet zyrtare. Përfundimi është dramatik. Kemi të bëjmë me një deformim të plotë të rezultateve, të procesit, të zgjedhjeve dhe të vetë parimeve kushtetuese për zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri”, - shkruan Ndoka.

Provat
Ndoka thekson në letër se Partia Demokristiane ka faktuar në të paktën katër qendra votimi grabitjen skandaloze që u është bërë votave të saj në zgjedhjet e 28 qershorit. “Zoti Ambasador, vetëm në katër qendra votimi në bashkinë Shkodër rezulton se Partia Demokratike të ketë marrë 161 vota në QV Nr. 0083, 180 vota në QV Nr. 0101, 327 vota në QV Nr. 0255 dhe 246 vota në QV 0294, ndërsa PDK-ja të këtë marrë zero vota në QV Nr. 0083, zero vota në QV Nr. 0101. Nga verifikimet e kryera në dokumentacionin zyrtar, si dhe rinumërimi i votave ka rezultuar që shifrat e deklaruara në procesverbal janë të rreme. Konkretisht, janë shkruar 138 vota më tepër për Partinë Demokratike dhe 22 vota më pak për PDK-në. Shifra të tilla skandaloze janë regjistruar edhe në qendrat e tjera të votimit të këtij qarku, si dhe në disa qarqe të tjera të vendit. Nëse Ju dëshironi, ne jemi të gatshëm t’Ju vëmë gjithashtu në dispozicion të gjithë dokumentacionin, provat filmike të manipulimit dhe të dhënat e diferencës së madhe midis votave të dhëna dhe votave të pasqyruara në procesverbale”, - ka theksuar Ndoka. Kreu i PDK-së nënvizon në letër se kjo parti i ka konsumuar të gjitha etapat ligjore të parashikuara në Kodin Ligjor dhe për këtë arsye kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtrojë autoritetin politik dhe diplomatik për të mundësuar vendosjen e drejtësisë së votës në Shqipëri.

PS: Kryeministri Berisha të heqë dorë nga presionet ndaj medias

Partia Socialiste ka shprehur sërish shqetësimin për situatën aktuale në media, në të cilën, sipas selisë rozë, po konstatohen gjithnjë e më tepër presione të qeverisë. Deputeti socialist, Fatmir Toçi, duke iu referuar edhe raporteve më të fundit për çështjen e medias në Shqipëri, i bëri thirrje kryeministrit Berisha që të heqë dorë nga presionet ndaj medias, jo vetëm ndaj TVSH-së, por edhe ndaj organeve të pavarura mediatike. “PS-ja, në vazhdimësi, e ka bërë publik shqetësimin e saj për vënien e medias në shërbim të shtetit, në mënyrë të veçantë të RTSH-së, i cili është kthyer prej kohësh në një zëdhënës i bindur i veprimtarive shtetërore dhe private të drejtuesve kryesorë të tij. RTSH-ja nuk është e vetmja medie e vënë në shërbim të makinës shtetërore, por ajo është e vetmja medie në Shqipëri që financohet edhe nga kontributet e taksapaguesve shqiptarë dhe, siç po rezulton, po u shërben gjithnjë e më pak atyre. Veprimtaria e RTSH-së, gjatë viteve të fundit, por edhe më parë; raporti me politikën dhe vënia në shërbim të saj është koncepti që ka dhe modeli që kërkon të imponojë qeveria shqiptare mbi shtypin. PS-ja i bën thirrje kryeministrit dhe drejtuesve të tjerë të shtetit: Të heqin dorë nga presionet antiligjore, amorale dhe joetike ndaj medias; të merren masa për rishikimin sa më parë të Statusit të RTSH-së, për ta vënë atë vërtet në shërbim të publikut dhe jo të një grushti qeveritarësh dhe klaneve të tyre; të rishikohet ligji për radiot dhe televizionet, publike dhe private, në përputhje me standardet ndërkombëtare; ritheksojmë kërkesën e PS-së për vënien para përgjegjësisë të drejtuesve të RTSH-së që kanë shkelur ligjin dhe normat e Rregullores së RTSH-së”, - tha Toçi.

27 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›