E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjinushi: Në zgjedhje PSD del forcë e tretë, LSI maksimumi e katërta

Pesë muaj para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, Skënder Gjinushi sulmon ashpër Ilir Metën, duke deklaruar objektivin për të dalë forcë e tretë politike. Sipas tij, PSD hyn me një synim të qartë për t‘u rikonfirmuar si forcë e tretë politike në vend, sigurisht pa parë ëndrra me diell të ndonjërit që kërkon të dalë forcë e parë, por do dalë i 4-ti e poshtë. "PSD gjithmonë taktikën e vet politike e ka vënë në funksion të së mirës së vendit së pari, të së majtës së dyti, dhe sigurisht dhe në funksion të interesave dhe mbështetësve të PSD dhe jo si LSI, e cila gjithnjë luan taktikën e një force as majtas, as djathtas, vetëm e vetëm që të jetë forcë përcaktuese për marrjen e postit të Kryeministrit sipas taktikës së tyre", insistoi Gjinushi. Kjo, vijoi ai, është një taktikë e dështuar, sepse pati kosto në 2005, pra të majtët tashmë e kanë kuptuar që këto pozicionime nuk i shërbejnë fitores. "Rrjedhimisht, gjithë ata që duan ndryshimin e madh do votojnë për grupimin që është për këtë ndryshim, pra për grupimin PSD-PS dhe forcat e tjera përbërëse", tha Gjinushi. Në vlerësimin e tij, përvoja me LSI është negative edhe në zgjedhjet lokale, sepse në këto zgjedhje kur hyjmë së bashku mandatet e marra dhe votat e marra nuk i ka përdorur përsëri për të majtën, as në këshillat e qarqeve dhe as në këshillat bashkiake. "Siç ishte dhe rasti më i fundit, bllokimi i buxhetit në Këshillin bashkiak të Tiranës, pra LSI është nga ato që dhe kur futet me ty në zgjedhje, nuk del me ty mbrapa, dhe jo më kur pozicionohet as mish, as peshk, gjë që sigurisht vë shumë në dyshim qëllimin real të kësaj partie", theksoi Gjinushi. Këto, vijoi kreu i PSD-së, janë synimet tona për 2009-ën, fitoren ne e vlerësojmë që është e garantuar si grupim. Ndërsa roli i PSD-së do të jetë tepër përcaktues, pra ka shumë rëndësi një rezultat sa më pozitiv, sa më i mbështetur, për PSD do të thotë dhe një e majtë më e fortë, e bashkuar, do të thotë një e majtë më e suksesshme në qeverisjen e ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›