E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veliaj: Më 31 janar regjistrohemi si parti

Kreu i lëvizjes "G99" deklaroi dje se më 31 janar subjekti që ai drejton do të regjistrohet si parti politike, duke zgjedhur si aleat Partinë Socialiste. Duke folur në një intervistë për "VOA"-n, Veliaj tha se "tashmë që Kodi është aprovuar dhe ka përcaktuar vetëm një formë të garimit politik, G99 do të shndërrohet në një parti politike për të pasur mundësi të hyjë në zgjedhje. Kjo është një procedurë formale, e cila nuk ndryshon asgjë në frymën, idealin dhe energjinë e G99". I pyetur mbi zgjedhjen e koalicionit përkrah të cilit do të rreshtohet G99, i majtë apo i djathtë, Veliaj është përgjigjur se në Shqipëri nuk ekzistojnë koalicionet e majta apo të djathta. "Në Shqipëri ekzistojnë vërtet dy koalicione, ai i shkatërrimit dhe ai i ndërtimit. Ai koalicion që rrëzoi buxhetin e bashkisë, nuk është as i majtë e as i djathtë. Ai është koalicioni i shkatërrimit. Ne do të jemi në atë aleancë të përbërë nga njerëz që kanë ditur si të ndërtojnë, qoftë organizata të suksesshme apo dhe qytete që po rinovohen".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›